Futboll Kategoria Superiore Sport

PROTAGONIST ME GOL NË FITOREN NDAJ KASTRIOTIT/ Mbrojtësi Hakaj: Mendoj se ishte një realizim i shkëlqyer, shpresoj të vazhdoj kështu…

Mbrojtësi i Partizanit, Esin Hakaj, ishte njeriu që i hapi udhë suksesit të “demave” përballë Kastriotit, duke shënuar një gol të shkëlqyer për të barazuar fillimisht shifrat. Mëngjarashi ka qenë lojtari i vetëm që i ka luajtur të gjitha ndeshjet si titullar në formacionin e Dajës dhe ka qenë ndër më të rëndësishmit. Për “Panorama Sport” Hakaj foli për golin që shënoi, fitoren e arritur kundër Kastriotit, titullin kampion dhe objektivat e tij individualë, ku tha “pse jo” për një grumbullim me Kombëtaren në të ardhmen.

Esin, shënuat një gol të shkëlqyer, duke i hapur udhë dhe suksesit të Partizanit. Ishte goli i parë si i kuq, ia vlejti pritja?

Ia vlejti, pa diskutim. Më e rëndësishmja ishte që ekipi fitoi. Ndoshta goli mund të vinte edhe më përpara, por rëndësi ka që morëm tri pikët që ishin shumë të rëndësishme për ne.

Në momentin kur gjuajtët nga ai kënd dhe nga ajo distancë, mendonit se do ta gjenit trekëndëshin e portës apo thjesht shpresuat që topi të ndalet në rrjetë?

Të jem i sinqertë, aty ku doja të shkonte topi, aty shkoi. Ishte shumë shpejt, fillimisht m’u duk portieri afër dhe doja me patjetër të gjeja trekëndëshin e largët. Kontakti ishte i duhuri dhe topi shkoi aty ku dëshiroja.

Mund të themi se ky gol ishte më i bukuri këtë sezon në kampionatin shqiptar?

Në aspektin personal, patjetër që është goli më i bukur që kam shënuar. Nëse të tjerët mendojnë se është goli më i bukur në Superiore, pa diskutim që është një vlerësim i madh për mua. Mendoj se ishte një gol i shkëlqyer, mënyra si u realizua, aksioni, gjithçka ishte perfekte.

Jeni një titullar i padiskutueshëm në formacionin e Partizanit. Sa i vlerësuar ndihet Esini nga trajneri Daja dhe stafi teknik?

Normalisht që ndihem shumë i vlerësuar, kam luajtur të gjitha ndeshjet në formacion. Shpresoj të vazhdoj kështu me këto ritme dhe të jap gjithmonë maksimumin.

Në Shqipëri kemi vuajtur gjithmonë për mbrojtës të majtë. Te Partizani doli Trashi, mund të themi se ka ardhur dhe radha e Hakajt që të bëjë hapin e madh, pse jo të kapë dhe Kombëtaren?

Pse jo të mos jem dhe pjesë e Kombëtares? Po presim, kam dhënë më të mirën për Partizanin dhe do të vazhdoj të jap maksimumin me këtë fanellë.

Fakti që nuk keni një “rival” për krahun e majtë, e bën më të lehtë kjo gjë për ju apo do të donit të kishit më shumë konkurrencë për fanellën e titullarit?

Besoj se për mua nuk do të ishte problem, unë do të bëja gjithçka të njëjtë. Gjithmonë kam dhënë maksimumin tim, 100%. Normalisht, çdo ekip ka nevojë për alternativa, por për mua nuk do të ndryshonte gjë.

Daja ka provuar disa lojtarë para jush në mesfushë, Melo, Asani e së fundmi Çinari. Jeni më komod me Eraldon në të njëjtën linjë duke pasur parasysh dhe raportet e mira që keni edhe jashtë fushe?

Të them të drejtën, me Çinarin jam rritur që i vogël, kuptohemi shumë mirë. Për mua nuk është problem, çdokush që luan në krah kuptohem shumë mirë. Edhe me Melon, edhe me Bardhin. Janë të gjithë lojtarë shumë të mirë dhe e kam edhe unë më të lehtë të ambientohem.

Në aspektin personal e nisët sezonin shumë mirë, më pas kishit një rënie disi. Çfarë po ndikon kaq shumë këtë sezon, që të gjithë lojtarët dhe ekipet kanë luhatje?

Normalisht kanë pasur luhatje të gjithë, por tani në fund të sezonit, nuk lejohen më gabimet, pasi jemi pretendentë për titullin kampion. Më përpara, ndeshjet kanë qenë shumë të ngjeshura. Për një muaj e gjysmë, janë luajtur rreth 13 ndeshje, normalisht që janë shumë. Lodhja fizike bën të veten. Nuk kemi pasur shumë mundësi ta tregojmë 100% tonë për një vazhdimësi.

Fitorja kundër Kastriotit iu dha dhe kreun provizorisht. Mendoni se kampionati do të vazhdojë kështu deri në fund, apo mund të vendosen fatet e sezonit dhe më herët?

Kështu siç po shkon kampionati, mendoj se do të vendoset në ndeshjen e fundit. Ka dhe ndeshje direkte në mes, të shikojmë si do të shkojë.

U larguat i dëmtuar nga fusha, ka Esini një dëmtim serioz apo do të jetë gati për ndeshjen e radhës?

Shpresoj që të jem gati. Kisha një kontraktim dhe nuk mund të vazhdoja. Tani jam më mirë dhe shpresoj që të jem në fushën e lojës.

Related posts

CHAMPIONS/ “Shpërthen” Conte, Lukaku rihap sfidën me Barcelonën (VIDEO)

Delo.autor

ABSURDITETI/ I detyruar të kryejë ushtrinë, Son gjen zgjidhjen për t’i shpëtuar dënimit

Isa.Autor

BARAZIM NË “PAQE”/ Tjetër hap fals në kampionat, Barcelona ndan pikët me Alaves

Delo.autor

Leave a Comment