Romelu Lukaku është kthyer në liderin e Interit. Sulmuesi belg udhëhoqi zikaltrit drejt fitimit të titullit kampion në Itali, sukses emocionues dhe tepër i rëndësishëm, duke marrë parasysh faktin që mori fund dominimi 9-vjeçar i Juventusit.
Goleadori i ekipit të Antonio Contes flet për Rtbf Sport rreth raportit me trajnerin italian, largimit nga Manchester United dy vite më parë, teksa shprehet se në të ardhmen do e shohim si trajner.
“E dini pse Conte më vlerëson kaq shumë? Sepse realizoj në fushë çdo detyrë që më ngarkon. Di të sulmoj, di të mbroj, kam aftësinë për të luajtur me shpinë nga porta, por edhe sulmoj hapësirat. Contes i pëlqen edhe mentaliteti që kam.
Ai e di që unë nuk kam frikë të punoj. Nëse luan për Conten, duhet ta kesh të qartë që të pret një punë shumë intensive“, deklaron 28-vjeçari, i cili i rikthehet momentin kur la “Djajtë e Kuq” për t’u transferuar në Serie A.
“Nuk po më ecte fare tek United, gjërat nuk po shkonin mirë, më duhet ta them. Në kushte të tilla, kur të vjen një shans më i mirë nga diku tjetër që të lejon mundësinë për të përjetuar diçka ndryshe, pse të mos e provosh?
E ardhmja? Kam ndërmend të bëhem trajner pasi të tërhiqem nga futbolli, por do e nis nga puna me moshat. Do i hedh hapat me radhë”, deklaroi Romelu Lukaku, autor i 29 golave këtë sezon me kampionët e Italisë.