Futboll Kategoria Superiore Sport

“GOLI KUNDËR PARTIZANIT MË RRITI”/ Zhan Viktor: Superiorja më ka befasuar, do t’i ndëshkojmë sërish…

Skënderbeu duket se pas shumë kohësh ka goditur në merkaton e janarit me afrimet që i kanë dhënë tjetër imazh dhe rendiment ekipit. Mes shumë përforcimeve të bëra duket se këtë sezon, Zhan Viktor është pikërisht goditja e munguar e korçarëve.

I kthyer në njeriun e rëndësishëm në çdo ndeshje, por edhe në atë gol që u ka dhënë gjashtë pikë vendimtare korçarëve, Viktor ndihet i sigurt dhe i bindur se ka bërë zgjedhjen e duhur për t’i dhënë një tjetër impuls karrierës së tij.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori brazilian ka rrëfyer gjithçka, që nga kalimi te korçarët dhe ditët e para të tij e deri te golat përballë Partizanit dhe Kastriotit që i japin një tjetër vlerë sezonit.

Viktor, një histori suksesi kjo jotja. A jeni i kënaqur?

Të them të drejtën, po, jam vërtet i kënaqur dhe besoj se kam kaluar pritshmëritë e mia në këtë ekip. Është e vështirë të përshtatesh në një skuadër, sidomos në janar dhe për më tepër në një mënyrë loje krejt ndryshe nga sa je mësuar. Them se e kam gjetur veten shpejt në këtë ekip dhe kjo, për fat të mirë, ka dhënë frytet e veta.

Ku ndryshon futbolli këtu nga Portugalia apo Brazili ku ju keni luajtur?

Është shumë herë më ndryshe nga sa kam luajtur më parë. Këtu futbolli është shumë herë më fizik dhe më taktik se në çdo ekip tjetër ku kam qenë.

Atje luhej më shpejt, në Portugali dhe në Brazil. Më shpejt dhe më thjesht, ndërsa këtu ka shumë duele fizike dhe përplasje në një ndeshje. Por, kjo ndoshta më ka shkuar për shtat dhe them që kam bërë zgjedhjen e duhur. E them këtë sepse unë si profil jam më shumë lojtar fizik.

Çfarë ndryshoi te Viktori pas ardhjes te Skënderbeu?

Në të kaluarën luaja ekran dhe përpiqesha gjithmonë të shkatërroja sulmet e kundërshtarëve fizikisht. Isha një lojtar që ndëshkohesha shumë, kjo për shkak të lojës. Ndërsa tani luaj si mesfushor i mirëfilltë dhe marr pjesë jo vetëm në shkatërrimin e aksioneve të kundërshtarit, por edhe në ndërtimin e lojës sonë.

Çfarë ju bindi, si erdhët te Skënderbeu?

Ka qenë një bisedim i gjatë, në fakt, mes menaxherëve dhe më erdhi kjo ofertë. Doja të ndryshoja ambient për të luajtur më shumë dhe nuk hezitova. Bisedova me menaxherin tim dhe vendosëm se Shqipëria dhe Skënderbeu do të ishte një ekip i mirë për mua për të tentuar rritjen e mëtejshme.

Tani jeni kthyer në njeriun deciziv. Si ndiheni?

Të them të drejtën, pas golit të parë jam ndier më i çliruar. Kam pasur mundësi që të jem më i qetë dhe të vlerësohem akoma edhe më shumë. Kjo ka qenë ana pozitive. Më pas edhe ky gol bëri që të rritet akoma edhe më shumë besimi dhe të jem më i kënaqur.

Si e kaloni kohën në Korçë Viktor?

Kam gjetur përshtatjen shumë shpejt. Është një qytet i vogël, por i ftohtë. Që në fillim gjeta mikpritje nga shokët e ekipit. Jemi një grup i pandarë me lojtarët afrikanë dhe po shkojmë shumë mirë bashkë. Nga ana tjetër, edhe qyteti të mirëpret e të vlerëson.

Ndaj Partizanit shënuat golin tuaj të parë me fanellën e Skënderbeut. A mendoni se do ia dilni sërish?

Po ka qenë një nga ndeshjet më të mira që kemi zhvilluar këtë sezon dhe për mua personalisht shumë e veçantë pasi shënova golin e parë me këtë fanellë. I kam ende të freskëta emocionet e asaj mbrëmje. Shpresoj shumë të përsërisim të njëjtin sukses edhe këtë radhë. Luajmë ndaj vendit të parë dhe do jetë e vështirë, por ne po kalojmë një formë të shkëlqyer dhe kam besim se do dalim me rezultat pozitiv nga kjo përballje.

Related posts

SHPREH ECURINË E PËRKRYER TË ARSENAL/ Granit Xhaka: 21 ndeshje pa humbje, Mendoj se është…

Isa.Autor

LIVE/ Kukësi-Partizani: Përfundon pjesa e parë, vendos goli i Malës (VIDEO)

Isa.Autor

LAJM SPEKTAKOLAR/ Federata Botërore: Shqipëria vend organizator në botërorin e…

Isa.Autor

Leave a Comment