Futboll Seria A Sport

JUVENTUS-MILAN/ “Jashtëtokësori” Ronaldo përballë “Zotit” Ibrahimovic, koha për të treguar muskujt

Të dy së bashku bëjnë… 75 vjeç! 36 për jashtëtokësorin portugez dhe 39 për “Zotin” e futbollit suedez. Por, më e bukura është se këta dy kampionë i meritojnë pseudonimet që kanë marrë nga të tjerët dhe i kanë dhënë vetes së tyre, pasi ende sot, në një moshë të pamenduar, vazhdojnë që të bëjnë diferencën. Madje, nesër më shumë se kurrë (të dielën në orën 20:45), në “Allianz Stadium” të Torinos duan që ta konfirmojnë, pasi mbi cilësitë e tyre varet edhe e ardhmja e një sezoni që deri pak kohë më parë pritej të ishte e ndryshme, por ndërkohë ka ndryshuar në një formë që askush nuk e priste.

RONALDO – Kristiano nuk është nga ata që dështon në objektivat e tij, aq më shumë që me Juven sivjet, përveç zonës Champions, ka edhe një rekord tjetër në shënjestër. Ai kryeson listën e golashënuesve të Serisë A, me një avantazh prej 6 golash nga Lukaku dhe ndaj Milanit do të kërkojë të 100-in me ngjyrat bardhezi (aktualisht 99). Fundja, vërtet zona Champions mund të jetë shumë pak për të, por nëse shënon dhe ruan kreun e renditjes së goleadorëve të Serisë A, në fund të këtij sezoni Ronaldo do të dinte se si të ngushëllonte veten. Cila? Ajo e të bërit i vetmi në botë që shpallet kryegolashënues i tri prej ligave më të mëdha në Europë. Pas Premier Ligës dhe La Ligës, Ronaldo kërkon të mbetet i përjetshëm edhe në Serinë A.

Si portugezi ka mundur të bëjë edhe Luis Suarez, “Këpuca e Artë” në Holandë, Angli e Spanjë, por Ronaldo duke triumfuar personalisht sivjet në Itali do të digjte sulmuesin aktual të Atletikos së Madridit, pasi Seria A ka shumë më shumë vlera sesa kampionati holandez (me gjithë respektin)… Dhe nëse përveç këtij objektivi vetjak i shtojmë edhe nevojën jetike të Juves për zonën Champions, pse jo, të gjithë do të donin të shihnin edhe një herë tjetër Ronaldon që të festonte duke treguar muskujt, siç bënte dy vite më parë ndaj Atletikos në Champions, kur e përmbyste me tre gola. Të gjithë tifozët e Juves e presin këtë!

IBRAHIMOVIÇ – Por që Ronaldo të bëjë të vetin objektivin personal dhe atë të Juves, duhet të kalojë mbi “kufomën” e Zlatan Ibrahimoviçit. Ndonëse përballen në distancë, edhe Milani e ka artiljerin e tij. Golashënuesi më i fortë i fazës së parë në Serinë A ka humbur ashtu si Milani së fundmi kthjelltësinë, por kampionët e mëdhenj dinë se si të frymëzohen nga sfida si kjo me Juven, pasi duke mposhtur “Zonjën e Vjetër”, Zlatani jo vetëm do të mbante premtimin “Champions”, por do të shpërblente edhe rinovimin e freskët të kontratës me kuqezinjtë. Për më tepër, të thyejë edhe tabunë personale, pasi nuk ka shënuar kurrë në impiantin e ri bardhezi, si kundërshtar…

Related posts

Messi tregohet modest: Ronaldo nuk është lojtar i përkryer, ka nevojë për përmirësim

Q.Autor

INZAGI ME SURPRIZË NË PORTË/ Zikaltërve u rikthehet dyshja e sezonit të kaluar. Si pritet të rreshtohet Interi sonte ndaj Kremonezes

F.autor

Finalja Boka-River/ Shikoni çmimet “e çmendura” të biletave për superklasiken (FOTO)

Isa.Autor

Leave a Comment