Futboll Sport

ANGLI-GJERMANI/ Sfida e gjigantëve, mes historisë e dështimit. Ja pikat e dobëta dhe të forta…

A mund të diskutohet Herri Kejn, 23 gola dhe 14 asiste sezonin e fundit në Premier Ligë, 336 ndeshje dhe 221 gola me Totenhemin? Mundet, nëse nuk shënon prej një muaji. Goli i fundit ka ardhur më 23 maj ndaj Lestërit. Ndërsa me fanellën e kombëtares nuk feston prej 5 ndeshjesh.

Problemi ishte forma, edhe pse përfliten edhe shpërqendrimet e merkatos. Por Sauthgejt vazhdon t’i japë besim. Kejn (35 gola me kombëtaren) i ka shënuar Gjermanisë në 26 mars 2016, në një miqësore. Tani është vendosur në shërbim të skuadrës. Me Sterlingun ka ndryshuar shpesh pozicion, duke u tërhequr për t’i lejuar shokut që të hyjë në qendër. Një variant që mund të riprezantohet kundër gjermanëve.

I VËRSHËLLYERI – Leroi Sane është ai të cilit i përmendet emri kur mungon dhe kritikohet kur është. Mungesa e tij në Botërorin 2018, i skarcuar pas mbledhjes së parë, u përcaktua pas eliminimit të Gjermanisë si gabimi i madh i Lëvit. Por më pas dolën lajme për sjellje jokorrekte të tij në grumbullim. Kur Guardiola e la të largohej nga Siti për t’u kthyer në Gjermani, thuhej se te Bajerni do të kishte gjetur vazhdimësinë dhe pjekurinë në sjellje.

Në fakt Sane është 25.5 vjeç dhe maturia duhet të kishte ardhur. Por në kombëtare mungon: është i hutuar, pa koordinata, madje edhe i dëmshëm. Duhet të ishte titullar, por është parakaluar nga Haverc. Kundër Hungarisë mungonte Myler dhe pati shansin të ishte titullar, por u panë gabime nga të gjitha llojet. Publiku e vërshëlleu, kritikët, veçanërisht ish-futbollistët, po e masakrojnë.

TË RINJTË – Shtypi anglez kërkon njëzëri konfirmimin e Bukajo Sakës titullar, më i miri në fushë kundër Çekisë. Në formacionet e katër gazetarëve të “The Times”, djaloshi i Arsenalit është gjithnjë titullar në ekipin që pritet të luajë kundër Gjermanisë. Interesant edhe pozicioni: në dy fusha të formacioneve të mundshme konfirmohet si sulmues i djathtë, në një rast i majtë dhe në tjetrin tërhiqet në mesfushë. Sepse në fund të fundit është kjo dhuntia e 19-vjeçarit, i cili ende pa mbushur 20 vjeç, shënoi 7 gola me Arsenalin në 45 prezencat e sezonit të shkuar. Taktikisht është një burim i rëndësishëm.

GJERMANI NGA LONDRA – E quajnë “Bambi” edhe është futbollisti më i ri i Gjermanisë që ka debutuar në një Europian, 18 vjeç e 117 ditë. Nëntorin e shkuar ishte pjesë e U-21, por e kombëtares angleze. Sepse Xhamal Musiala, me nënë gjermane dhe baba nigerian, lindi në Shtutgart, por u rrit në Londër.

Bajerni ua rrëmbeu dy vite më parë të rinjve të Çelsit. Federata gjermane e bindi në dimër të zgjidhte “Pancerat”, por pa asnjë polemikë nga ana angleze. Në këtë Europian dukej se do të kishte një rol maskote, sepse dy ndeshjet e para i pa nga tribuna. Por me Hungarinë hyri në fushë në 82′ dhe pas pak çastesh ndërtoi aksionin e barazimit që e dërgoi Gjermaninë në 1/8-at. Edhe Mateus tha se meriton një fanellë titullari.

SIGURITË – Është lideri i Anglisë, njeriu që ka tërhequr kombëtaren në 1/ 8-at, duke shënuar të vetmit 2 gola të skuadrës së Garet Sauthgejtit. Rahim Sterling doli me kockat e thyera nga finalja e Ligës së Kampioneve. Forma e tij sezonin e fundit konsiderohej në rënie të lirë, duke qëndruar për shumë muaj zgjedhje e dytë e Pep Guardiolës në skuadrën e Mançester Sitit.

Papritur, djaloshi i rritur në lagjen e “Wembley”-t del nga hija dhe tregon përveç golave, një personalitet të fortë. Lëvizjet, shpejtësia dhe driblimet e tij mund t’i krijojnë probleme mbrojtjes gjermane. Në fazën e grupeve u prezantua shpesh në rolin e qendërsulmuesit pasi këmbehej me Kejnin. Pas një sezoni me ulje-ngritje (14 gola në total), Europiani është hakmarrja e tij.

I PAZËVENDËSUESHMI – Joshua Kimish është gjithçkabërësi i Gjermanisë. Është edhe numri 6 më i mirë në botë, sipas Bastian Shvajnshtaigerit, i cili në këtë rol u shndërrua në një idhull. Për shkak të nevojës, futbollisti i Bajernit të Mynihut u rreshtua në krah të djathtë të mbrojtjes në dy ndeshjet e para.

Dhe kundër Portugalisë provokoi një gol dhe një asist. Kur e pa keq kundër Hungarisë, Lëv e riktheu në mesfushë dhe Kimish i dha më shumë gjallëri Gyndoanit. Tani ekziston dyshimi se kundër Anglisë do të detyrohet të rikthehet në krah, për mungesë alternativash, ose ndoshta do të qëndrojë në mesfushë së bashku me Goreckën, njëlloj si te Bajerni. E vetmja siguri është që Gjermania edhe në “Wembley” nuk mund të bëjë pa liderin e saj të madh trupvogël.

Related posts

BARCELONA-LIVERPOOL/ Humori në rrjet, ja si Messi dhe yjet e Liverpoolit presin duelin Champions (VIDEO)

Delo.autor

LARGIMI I KRISTI VANGJELIT/ Ish-mbrojtësi i Skënderbeut luan falas në Australi

Delo.autor

SKRINJIAR OPTIMIST: “DJALLI” nuk e ndal vrullin e INTERIT, sfidojmë edhe…

Isa.Autor

Leave a Comment