Futboll Sport

ARBITRI KRYESOR NUK DËGJOI VAR-IN/ Inter-Juve, dy shurdhë zbardhin skandalin e 2018

Një ndër ndeshjet e viteve të fundit që ka bërë shumë zhurmë lidhur me arbitrazhin ishte sërish Inter-Juventus, ajo e sezonit 2017- 2018, e mbyllur 3-2 për bardhezinjtë në “San Siro”. Pas përplasjes së famshme Ronaldo-Iuliano në 1998-ën, dy dekada më vonë shpërthejnë sërish polemikat mes dy armiqve të përhershëm, aq sa emisioni investigativ në rrjetin “Mediaset”, “Le Iene”, pas hetimit të bërë tetorin e vitit të kaluar i janë rikthyer sërish çështjes në fjalë.

Ajo që ka shtyrë në një hetim të imtësishëm, është arsyeja pse kaseta e komunikimit mes arbitrit kryesor Daniele Orsato dhe sallës së VAR-it është zhdukur, lidhur me bisedën e tyre për përplasjen Pjaniç-Rafinja, e cila meritonte kartonin e kuq të juventinit, pasi po me VAR në pjesën e parë ishte ndëshkuar Vesino, duke kthyer vendimin, nga karton i verdhë në të kuq. Pas episodit Pjaniç-Rafinja, arbitri Orsato u pa të nxjerrë kartonin e verdhë nga xhepi, por në vend të juventinit ai ndëshkon D’Amrbozion për protesta, duke falur ish-mesfushorin e torinezëve, i cili ishte ndëshkuar më parë. Në serinë që u transmetua mbrëmjen e djeshme në “Italia 1” u transmetuan pamjet e gjetura të sallës së VAR-it, ndonëse audio mungonte.

Edhe pse “Le Iene” kanë këmbëngulur për ta pasur kasetën e dialogut mes Orsatos dhe VAR-it, autorët e programit kanë vendosur që të kërkojnë ndihmën e dy djemve të shurdhër, ekspertë në leximin e buzëve, për të kuptuar bisedën e bërë. Sipas asaj që tregojnë dy ndihmësit, Paolo Valeri, kryesori i dhomës së VAR-it, në momentin e ndërhyrjes së Pjaniçit shfryn: “Uhhh, check!”, duke nënvizuar menjëherë se episodi në fjalë duhej riparë.

Më pas ai shtyp butonin e kuq në panel që e vë në lidhje me Orsaton në fushë dhe sipas leximit të buzëve shprehu: “Kontakti ekziston, po e kontrolloj tani”. Ndërkohë, Alesandro Xhalatini, i pranishëm në sallë si ndihmës i Valerit në VAR thotë: “E verdhë është”, ndërsa Valeri e konfirmon: “Po, pa dyshim”. Por, pikërisht këtu nuk kuptohet pse kryesori në fushë nuk vendosi të japë të verdhë dhe aq më tepër të shkojë në monitor për ta riparë episodin.

Në videon e transmetuar shihet edhe ndërhyrja e VAR-it në rastin e “inkriminuar” të pjesës së parë, kur interisti Vesino shkakton një faull të rëndë ndaj Manxukiç. Por, nëse këtë herë Orsato nga fusha e ndëshkoi fillimisht me të verdhë, Valeri nga VAR-i i tërhoqi vëmendjen që të shkonte të rishihte imazhet, teksa në të njëjtën kohë i fliste në kufje: “Daniele, jam Paolo, flit me mua. E shkel në kërci”, dhe Orsato ndërron kartonin, duke i dhënë të kuq.

Emisioni “Le Iene”, i cili së bashku me ish-prokurorin e Federatës Italiane të Futbollit, Xhuzepe Pekoraro, ishin denoncuar nga Orsato, Valeri dhe dizenjatori Ricoli pas akuzave për “mashtrim sportiv në favor të Juventusit dhe fshehje të provave”, ndonëse presin ende një vendim nga gjykata, e kanë fituar betejën e tyre të paktën nga aspekti shpirtëror. Kjo, për faktin se në një intervistë të kohëve të fundit, Daniele Orsato e kishte pranuar hapur gabimin: “Nuk kam arsye që ta rishoh pas tri vitesh atë kontakt Pjaniç-Rafinja, pasi e pranoj që kam gabuar. E ripashë menjëherë pas ndeshjes në televizor dhe e kuptova se gabova”.

Related posts

NGA COCA COLA TEK BIRRA/ Janë 2 miliardë euro në lojë, UEFA del me komunikatë zyrtare kundër CR7 me shokë

Delo.autor

LIVE/ Chelsea-Burnley, Kante barazon shifrat për “Blutë e Londrës”

Delo.autor

NUK I BIND URDHËRIT TË ANCELOTTIT/ Presidenti Perez me “dorë të hekurt”, ndëshkon fantazistin. Ja emri…

Delo.autor

Leave a Comment