Futboll Sport

ËSHTË NJË “HAJMALI” NË “EURO 2020″/ Sulmuesi Depay: Kemi ëndrra të mëdha, mund të jetë viti i Holandës

Memfis Depaj mbetet një nga figurat më karizmatike të Holandës dhe një “hajmali” në këtë Europian. Është për momentin goleadori i skuadrës, me 28 gola të shënuar në histori, dhe është përfshirë në të gjitha realizimet kundër Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut, me “portokallinjtë” që fituan Grupin C një ndeshje përpara përfundimit. Sulmuesi 27-vjeçar është intervistuar nga UEFA lidhur me gjithçka, nga roli i tij në fushë te riaftësimi i dëmtimit në ligamentin e gjurit dhe në fund për shanset që ka Holanda për të shkuar deri në fund të kompeticionit.

Cilat janë momentet më të bukura që kujtoni nga faza e grupeve?

Normalisht, ndeshja hapëse kundër Ukrainës, e cila pati një finale entuziazmuese. Ishin tri pikët tona të para, një ndeshje brenda fushës sonë me fansat, atmosfera në stadium pasi nuk kishim luajtur prej kohësh një ndeshje në një kompeticion kaq të madh, lojtarë të rinj që po u jepet shansi dhe po rriten. Shumë gjëra të bukura.

Si e konceptoni rolin tuaj në këtë skuadër?

Përpiqem të përdor aftësitë e mia për të krijuar raste. Nëse të jepet shansi për të shënuar, ndonjëherë ke saktësi, por ka raste kur mungon. Nëse e bën në mënyrë të rregullt, kthehesh në një lojtar të rëndësishëm për skuadrën. Megjithatë, është po aq e rëndësishme që të jemi efikasë edhe nëse unë nuk jam i përfshirë. Shikoni për shembull Dumfris, është shumë i rrezikshëm.

A mund t’i ndihmoni shokët më të rinj të skuadrës?

Mendoj se po, kam një raport të mirë me lojtarët më të rinj, por gjithashtu edhe me “veteranët”. Unë ndodhem në mes. Kur luajmë më të rinjtë kundër më të vjetërve në stërvitje, unë jam ende në skuadrën e të parëve sepse mbusha vetëm 27 vjeç në shkurt. Kam marrë pjesë në Botërorin e vitit 2014 dhe ishte e njëjta situatë. Ndaj, e di se si ndihen më të rinjtë. Gjithashtu, kemi të njëjtët interesa, si për shembull në muzikë dhe të pasurit dëshirën për të qenë më të mirët: kjo e bën më të lehtë socializimin në fushë.

Çfarë impakti ka pasur dëmtimi i fundit në gju te ju?

Së pari, realizon faktin që shëndeti është aspekti më i rëndësishëm, pavarësisht gjithçkaje. Kjo më mban të fokusuar. Më ndihmon me zhgënjimet, kur nuk kam luajtur aq mirë sa shpresoja pas një humbjeje. Njëkohësisht, nis të njohësh më mirë trupin. Kjo është shumë e rëndësishme dhe e dobishme për mua. Dhe, më duhet ta them, të qenët kaq në formë për të bërë diferencën më duket diçka fantastike.

Së bashku, ju dhe Xhorxhinio Vajnaldum keni shënuar 53 gola për Holandën. Si e shpjegoni këtë?

Xhini ka aftësi të mëdha shënuese dhe vrapimi. Di shumë mirë se kur duhet të gjendet në zonë. Kjo është shumë e rëndësishme për skuadrën. Kemi luajtur edhe më parë së bashku në të kaluarën, te PSV Eindhoven, pra e njohim shumë mirë njëritjetrin.

Çfarë mendimi keni për përballjen e radhës ndaj Republikës Çeke?

Di që janë një skuadër shumë intensive. Nuk kemi luajtur bashkë prej kohësh, kujtoj që hera e fundit për mua ka qenë në 2015-ën. Nuk kanë qenë asnjëherë një kundërshtar i lehtë, kështu që e dimë se do të jetë e vështirë. Duhet të japim 100% nëse duam të fitojmë. Po e planifikojmë, por me siguri nuk do të jetë shëtitje.

E keni ndjesinë se ky mund të jetë viti juaj?

Është logjike që të tjerët të mendojnë kështu duke konsideruar rezultatet tona në kompeticion. Megjithatë, vazhdoj të them se duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Sigurisht, kemi ëndrra të mëdha.

Related posts

MUNGON VETËM ZYRTARIZIMI/ Sulmuesi shqiptar pranë transferimit tek skuadra e PSV-së, ja emri…

Delo.autor

MERKATO E BUJSHME/ Sulmuesi i Juventusit i bindur nga Xavi, i vetofrohet Barcelonës për në verë

Delo.autor

Miralem Pjanic: Roma dhe Napoli nuk fitojnë asgjë

Sadik.Autor

Leave a Comment