Futboll Sport

“EURO 2020″/ Belgjika mposht Portugalinë falë golit të Hazard dhe kualifikohet në çerekfinale

Portugalia kampione në fuqi të Europës dorëzon kurorën që në fazën e 1/8-ave, pasi u mposht me rezultatin minimal 1-0 nga Belgjika në “Estadio de la Cartuja” të Sevillas dhe i dha fund aventurës në Euro 2020.

Nuk arrin dot të lërë gjurmë Cristiano Ronaldo në këtë ndeshje, pasi bëri shumë pak për të shmangur humbjen, ndërsa Belgjika siguroi kalimin në çerekfinale falë një perle të Thorgan Hazard nga distanca, në minutat e fundit të pjesës së parë.

Sfida nisi menjëherë vrullshëm për Portugalinë, që iu afruar ndjeshëm golit në minutën e 6’, por sulmuesi i Liverpoolit, Diogo Jota gjuajti shumë keq dhe dërgoi topin jashtë, ndonëse në një pozicion mjaft të mirë shënimi.

Provon të reagojë Belgjika, por është e paqartë në manovrën e saj sulmuese, ndërsa në minutën e 25-të është radha e Ronaldos që të tregojë aftësitë me një goditje dënimi, por gardiani Thibaut Courtois grushtoi në mënyrë spektakolare, duke ruajtur rrjetën të paprekur.

Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej në barazim pa gola, “djajtë e kuq” të Europës dolën në një kundërsulm të shpejtë me Lukakun, që shërbeu për De Bruyne dhe më pas topi shkoi te Thorgan Hazard, që lëshoi një ta djathtë spektakolare nga distanca, duke dërguar sferën në rrjetën e portës së Rui Patricios.

Pjesa e dytë nisi menjëherë me një lajm të keq për belgët, pasi fantazisti Kevin De Bruyne kërkoi zëvendësim pas pak sekondash, për shkak të një dëmtimi dhe në vendin e tij u aktivizua sulmuesi i Napolit, Dries Mertens.

Në minutën e 58’ Portugalia pati mundësinë më të mirë për të rikthyer baraspeshën, por edhe pse në një pozicion të favorshëm brenda zonës, gjuajti keq, duke dërguar topin mbi kuadratin e portës së mbrojtur nga Courtois.

Trajneri i Portugalisë bën disa zëvendësime për të freskuar ekipin dhe në minutën e 82-të është mbrojtësi i Manchester City-t, Ruben Dias që u shkon pranë golit të barazimit, por gjuajtja e tij me kokë ishte qendrore dhe u grushtua nga portieri belg.

Vetëm një minutë më vonë ishte anësori që luan për Borussian e Dortmundit, Raphael Guerreiro që gjeti shtyllën pingule me një gjuajtje të bukur brenda zonës, ndërsa në të 88-ën ishte Courtois që bëri sërish heroin për belgët, duke pritur në dy kohë një gjuajtje të Andre Silvës.

Pas kohës së rregullt dhe 5 minutave shtesë, rezultati mbeti i pandryshuar, me Portugalinë që kthehet në shtëpi dhe Belgjikën që gjen Italinë në fazën çerekfinale, por që nuk mund të festojë plotësisht për shkak të dëmtimit të De Bruyne.

Related posts

KUQEZINJTË TRIUMFOJNË ME “POKER”/ Duka reagon menjëherë pas suksesit: Djemtë na e shpërblyen, ëndrra vazhdon…

Delo.autor

I DASHURUAR ME CILËSITË E TIJ/ Pirlo hedh sytë nga mesfushori i PSG, projektohet shkëmbim me…

Delo.autor

NUK KA SHËNUAR ENDE/ RONALDO ka FRIKË, i bën një kërkesë TË ÇUDITSHME JUVES

Isa.Autor

Leave a Comment