Futboll Sport

“EURO 2020″/ “Grupi i ferrit” jashtë, rruga për në finale e Anglisë është… autostradë

“Grupi i ferrit” është i gjithi jashtë. Asnjë nga Franca, Gjermania dhe Portugalia, tri prej favoriteve për të triumfuar në edicionin e 16-të të Europianit, nuk mbijetoi pas fazës së 1/8- ave dhe shtohen shanset që ky turne të ketë një skuadër të vogël në finalen e “Wembley”- t në 11 korrik.

Që kjo të mos ndodhë, duhet të japë një dorë edhe Anglia. Ose më saktë, e kanë të gjithë në dorë djemtë e Sauthgejtit, sepse në krahun që të dërgon në finale, “Tre Luanët” janë e vetmja skuadër e madhe që ka ngelur në garë. Në pengesën e tyre të radhës është Ukraina e Andrij Shevçenkos, e cila pasi eliminoi Suedinë mbrëmë, kompletoi edhe të katërta çiftet çerekfinaliste.

Dhe nëse të shtunën në “Olimpico”, ata do të bëjnë një surprizë, atëherë një mes tyre, Çekisë ose Danimarkës do të priste biletën në finalen e madhe. Por, ky është një skenar që anglezët nuk mund t’ia tolerojnë vetes që të ndodhë, pasi eliminuan kërcënimin e tyre më të madh, Gjermaninë, rivalen e përjetshme që i doli shumë shpejt në rrugë. Në gjysmëfinale, fituesi i duelit Ukrainë-Angli do të përballet me atë të Danimarkë-Çeki.

Kundër Ukrainës Anglia ka humbur vetëm 1 herë në 7 përballjet e deritanishme, 1-0 në një kualifikuese Botërori në vitin 2009. Çekia është përballur me Anglinë edhe në fazën e grupeve këtë turne, duel që Anglia e fitoi 1-0. Në gjysmëfinale, Anglia do të rikthehej sërish në “Wembley” përpara 60 mijë tifozëve këtë herë, ndërsa finalja luhet gjithashtu në të njëjtin stadium. A do ta humbasë Anglia një shans të tillë? Tani presioni është i gjithi mbi ta, por ata besojnë se “Football is coming home”…

Related posts

E BUJSHME/ Juventus kërkon sulmuesin e Interit dhe mbrojtësin e Romës

Delo.autor

SUPER MERKATO/ Nuk ndalet Flamurtari, pret edhe dyshen Cale-Torassa

Isa.Autor

Salah takon sozinë e tij, nuk do e dalloni dot kush është i vërteti (VIDEO)

Sadik.Autor

Leave a Comment