Futboll Kategoria Superiore Sport

“GARANTOJ SE SEZONIN TJETËR DO JEMI…”/ Presidenti Takaj: Ju tregoj planin e Skënderbeut

“Shumë shpejt do të kthehemi aty ku e ëndërrojmë”. Ardjan Takaj nuk dorëzohet për Skënderbeun, edhe pse për momentin është i lumtur që skuadra ia ka dalë të mbijetojë në një prej kampionateve më të vështira për korçarët në dekadën e fundit. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, presidenti flet për herë të parë rreth pritshmërive për një amnisti nga UEFA të klubit bardhekuq, si dhe shpresën që e mban gjallë për të vazhduar projektin. Takaj tregon edhe gjëra të pathëna më parë rreth viteve të arta, nga pengjet, te trajnerët që ka bashkëpunuar dhe deri te shitjet e bujshme që ende i sjellin të ardhura. Ai pranon për gazetën se drejtuesit e tri klubeve të Superiores e kanë kërkuar ta afrojnë për të investuar.

Disa tituj kampionë radhazi dhe histori në Europë, ndërsa tashmë duhet të festoni për mbijetesën në Superiore. Cila është ndjesia për një president që është orientuar gjithmonë për të kapur vendet e kreut?

Po prandaj futbolli është i bukur, sepse nuk mund të jesh i përjetshëm në majë. Ka ulje dhe ngritje, kështu që është mirë t’i provosh të gjitha. Në çdo pozicion ku je, mendoj se kampionati bëhet i bukur dhe ajo që më ka ngrohur në këtë periudhë janë djemtë e rinj që kemi në skuadër. Janë të gjithë premtues për të ardhmen dhe kjo më ka bërë edhe më entuziastë për vazhdimësinë. Natyrisht nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse u largua gjithë ekipi dhe u bë nga e para me të rinj.

Gjithsesi, ndërtimi nga e para me të rinj ishte një zgjidhje nga halli për shkak të situatës…?

Për hir të së vërtetës kjo ka qenë një dëshirë imja prej vitesh, për të pasur një ekip me të rinj premtues, që rriten te Skënderbeu për 3-4 sezone dhe më pas bëjnë hapin e madh. Tashmë, besoj se jemi tamam në kohën e duhur për ta zhvilluar këtë projekt. Kaluam vështirësinë më të madhe, që ishte mbijetesa në Superiore. Për të qenë i sinqertë, edhe fat nuk kemi pasur. Të paktën, sa jam unë në futboll, nuk më ka bërë kurrë vaki që të na dëmtohen gati 8 qendërmbrojtës gjatë sezonit. Kjo ishte diçka e paimagjinueshme. Gjithsesi, arritëm objektin që kishim dhe mbi të gjitha shkuam në finalen e Kupës. Nëse fitonim edhe Kupën, do të ishte diçka tjetër. Megjithatë, them se jemi shumë mirë.

Shpëtimi i Skënderbeut u cilësua si një mrekulli, por mund të fitonit edhe Kupën. Keni ndonjë keqardhje për finalen me Vllazninë?

Nuk mund të them keqardhje, edhe pse s’më vjen mirë që derisa shkuam në finale, pse mos të fitonim. Unë shikoj një brez që po rritet dhe që muajt e fundit u fut në shina. Kjo finale ishte një motiv më shumë për vitin tjetër, sepse janë të rinj dhe kanë kohë për të arritur suksese. Jam i bindur se sezoni i ri do të jetë më i mirë për Skënderbeun.

Dukej sikur kishte humbur çdo shpresë për të qëndruar pas dy fazave të para, por më pas besuat te Migen Memelli. Ishte ky një nga bastet më të rrezikshme tuajat dhe që në fund trajneri e fitoi?

Nuk ishte se kishim humbur çdo shpresë. Ndoshta dukej për opinionin sikur ishim dorëzuar, pasi edhe rezultatet e tregonin këtë. Ardhja e Memellit bëri që të kishte një motivim ndryshe në ekip. Skema që ai zgjodhi bëri që skuadra të futej në lojën e vetë dhe të marrë rezultate. Këto ndryshimet e trajnerëve kështu janë, herë marrin për mirë dhe herë për keq. Më duket sikur Memelli gjeti atë çelësin dhe erdhi te Skënderbeu në momentin e duhur për të çuar skuadrën aty ku i takon.

Memelli konfirmoi se ia keni rinovuar kontratën…

Po, trajneri është rikonfirmuar për sezonin e ri. Kemi diskutuar dhe i besova sërish, pasi na i shpërbleu. Aq sa unë e njihja Memellin, kisha parë tek ai dëshirën e madhe për të punuar, si dhe ambicien që kishte. Edhe kur e zgjodha, në intervistën e parë që bëra te ju, kam deklaruar se donim të shfrytëzonim te ky trajner pikërisht këtë ambicie dhe na doli për mbarë. Nuk mund ta ndërpresim bashkëpunimin kur çdo gjë po ecën në rrugën e duhur.Çfarë planesh keni, si do të vazhdojë Skënderbeu?

Skënderbeu do të jetë pa diskutim më konkurrues në sezonin e ri. Do të shohim për vende më të mira dhe natyrisht skuadra do të jetë e bazuar te këta djemtë e rinj që mbyllën sezonin. Do të futemi edhe në merkato për të marrë ato përforcime që vërtet kemi nevojë. Nuk besoj se do të kemi firo nga grupi ekzistues, sepse të gjithë janë nën kontratë. Thjesht ne do të forcohemi më tepër, që të jemi një Skënderbe më i fortë.

OK, por dënimi mbetet dhe nuk përfaqësoheni dot në Europë. A mund të na thoni se cilat janë tashmë shpresat tuaja për të ardhmen?

Ne do të vazhdojmë punën. Pastaj, me këtë që thoni ju, i bie që ekipet që nuk kanë marrë pjesë në Europë për gjithë këto vite, atëherë sot do të ishin shkrirë. Njeriun shpresa e mban gjallë. Edhe ne besojmë se do të rikthehemi një ditë aty ku e meritojmë.

Si do të riktheheni, prisni amnisti nga UEFA?

Nuk mund të flasim në ajër, por ne kemi shpresë dhe kjo nuk diskutohet. Nuk e kemi humbur dhe ajo na mban ende te Skënderbeu. Më mirëkuptoni, kaq mund të them për momentin, sepse nëse flas, na mbijnë armiqtë shumë shpejt. Sa herë jemi përgatitur për diçka, ka dalë e kundërta. Thjesht ne do të vazhdojmë punën si klub. Skënderbeu nuk ka qenë një klub që në gjithë historinë e vetë është shquar për pjesëmarrje në Kupat e Europës. Këtu flas për atë që ka ndodhur para 10 viteve. Nuk diskutohet që klubi ka pasur historinë e vetë me ato uljet dhe ngritjet. Tashmë ne po vazhdojmë projektin, për të pasur një ekip që Korça meriton ta ketë. Garantojmë se do të jemi konkurrues, pastaj nëse do të marrim apo jo pjesë në Europë, është diçka tjetër.

Në Korçë duhet të mësohen tashmë me një ekip që thjesht do të luftojë për mbijetesë apo mesin e tabelës…

Të lutem, mos na i vrit kaq shumë shpresat që kemi. Ne besojmë se shumë shpejt do të kthehemi aty ku e ëndërrojmë të gjithë. Kaq mund të them.

Related posts

Milionat nuk i kryejnë punë PSG-së, Reali në çerekfinale të Ligës së Kampionëve

Q.Autor

Espanyol – Barcelona, formacionet e mundshme

Q.Autor

SUPERNDESHJA/ Man City sërisht në avantazh, shënon… (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment