Futboll Kategoria Superiore Sport

“PRESIDENTI TAKAJ MË DHA GARANCI”/ Mbrojtësi Meksi: Prisni një Skënderbe me synime madhore

Skënderbeu ka ndërmend të krijojë një ekip kompetitiv për sezonin e ri dhe kjo është arsyeja pse shumë lojtarë vendosën që të qëndrojnë besnikë të korçarëve, pavarësisht vështirësive të hasura në këtë sezon. I këtij mendimi është edhe kapiteni Jorgo Meksi, i cili nga Greqia ku ndodhet me pushime, zbulon disi planet e presidentit Takaj për ekipin e ri dhe bisedën që ka pasur me drejtuesit e klubit si dhe garancinë për të ardhmen.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i krahut të djathtë të Skënderbeut flet për planet e merkatos dhe pritshmëritë për sezonin e ri.

“Mbyllëm një vit të vështirë dhe me shumë dilema dhe oshilacione. Mund të them se ka qenë sezoni më i vështirë për mua, i shoqëruar edhe me ngarkesë të lartë psikologjike. Gjatë gjithë kohës na ka vrarë ndërgjegjja se po çonim në kategorinë inferiore një ekip që ka histori në dekadën e kaluar. Kjo ishte ajo që na rëndonte më shumë dhe na bënte të ndiheshim fajtorë. Por, diçka që nuk kemi për ta harruar kurrë është fakti se pavarësisht momenteve të vështira, gjithmonë kemi ndier mbështetje dhe ngrohtësi.

Si nga klubi aq më shumë nga qyteti dhe tifozët. Këta të fundit nuk na kanë braktisur asnjëherë siç ndodh me shumë klube të tjera, por na kanë qëndruar afër. Më pas rilindëm me Memellin në krye dhe arritëm t’ia dilnim, por këtë sezon ka për të qenë një tjetër histori. Kam folur me presidentin dhe trajnerin dhe kemi garancinë se do të krijohet një ekip pretendent dhe konkurrues jo si ai i sezonit të shkuar. Kjo na bindi të gjithëve për të qëndruar dhe për të ndjekur projektin e ri të Skënderbeut. Kam folur me presidentin, por edhe me Memellin.

Presim që ekipi të ketë elementët më të mirë të sezonit që mbyllëm dhe shto këtu edhe elementë të tjerë. Kjo është diçka që na mbush me besim dhe tregon se projekti do të vazhdojë. Unë jam në kontratë me Skënderbeun dhe për një tjetër sezon dhe do të vijoj të jap maksimumin tim. Normalisht që e ëndërroj një aventurë në një kampionat më të fortë, por besoj se jam në klubin e duhur për të bërë hapin cilësor. Skënderbeu është klubi i mundësive të mëdha për çdo lojtar, pasi e ka treguar se nga ky klub mund të luash shumë më lehtë apo të transferohesh shumë më lehtë në një ekip të një niveli tjetër”, mbylli prononcimin e tij Jorgo Meksi.

Related posts

LIVE/ Skënderbeu-Flamurtari, Krasniqi kalon në avantazh “Ujqërit e Dëborës”

Delo.autor

Merkato, ​Arsenal nis bisedimet me Malcom

Q.Autor

Dzeko: Finalja? Një ëndërr e realizuar

Sadik.Autor

Leave a Comment