Futboll Sport

STATISTIKAT/ Spanja fsheh topin, Italia bombarduese. Zbuloni sekretet e ndeshjeve të para të “EURO 2020”

Spanja mund të bënte goleadë në ndeshjen kundër Suedisë, por për fatin e keq të saj sfida përfundoi 0-0. Këtë e tregojnë 17 tentativat drejt portës kundërshtare në duelin debutues në Europian. Pesë prej tyre u bllokuan nga portieri Robin Olsen, i cili po ndalte gjithçka që i shkonte përballë.

Shumë opinionistë thonë se portieri është për këtë punë, ndërsa të tjerë reflektojnë duke kritikuar sjelljen e sulmuesve të Spanjës në fushën e lojës. Të gjitha argumentet mund të qëndrojnë, por Luis Enrike është ai që do të nxjerrë përfundimet për të korrigjuar situatën në prag të ndeshjes së ardhshme.

GODITJET- Të dhënat zyrtare të UEFA-s konfirmojnë se nga këto 17 goditje vetëm 5 ishin në portë. Kjo do të thotë se nuk është arritja më e madhe e bërë nga një skuadër në këtë Europian. Kombëtarja që udhëheq këtë renditje është Italia, e cila në ndeshjen hapëse kundër Turqisë bëri 24 goditje dhe 8 prej tyre shkuan në portë. Ekipi i Roberto Mançinit arriti që të shënonte edhe tre gola.

Danimarka bëri 23 tentativa drejt portës së Finlandës dhe 6 prej tyre shkuan në portë, ndërsa Skocia është e radhës me 19 goditje në total me 5 në portë. Spanja renditet e katërta në këtë renditje me 17 goditje, 5 të pritura, 5 të bllokuara dhe 7 larg katërkëndëshit. Dani Olmo ishte lojtari spanjoll që provoi më shumë herë portën kundërshtare me 5 tentativa.

Ai pasohet nga Morata me tre dhe nga Koke me 2. Imobile dhe Embolo me nga 5 goditje udhëheqin renditjen dhe të dy kanë arritur të gjejnë rrugën e rrjetës. Efektiviteti është arma më e fortë e Rumelu Lukakut, i cili ka arritur të shënojë 2 gola në tri tentativa.

ZOTËRIMI- Për sa i përket zotërimit të topit, asnjë skuadër nuk i afrohet 75% të Spanjës kundër Suedisë. Danimarka me 62% në ndeshjen kundër Finlandës është skuadra e dytë me më shumë zotërim topi në ndeshjet e Europianit. Holanda është e treta, ndërsa pas tyre renditen Zvicra, Belgjika dhe Italia.

Shumë distancë ka në pasimet e kryera. “Furia e Kuqe” ka arritur të bëjë 945 pasime, nga të cilat 852 kanë qenë të sakta. Belgjika është e radhës me 722 pasime dhe nuk është rastësi që ka për trajner një spanjoll si Roberto Martinez. Skuadra e tretë për pasime është Holanda me 680, ndërsa Italisë iu deshën 640 pasime për të shënuar tre gola.

PROBLEM- Ideja që u krijua gjatë kësaj ndeshjeje është e njëjtë me atë të Spanjës në Rusi. Edhe në kryeqytetin rus kishte pasime pa fund, por pa thellësi dhe pa kuptim. Kundër Zvicrës arriti më shumë se 1 mijë pasime dhe nuk e gjeti dot rrugën e rrjetës.

Ekzaktësisht ishin 1115 pasime, 23 goditje drejt portës dhe vetëm 9 në kuadrat në 120 minuta lojë. Në fakt, gjëja pozitive është se Spanja nuk pësoi asnjë goditje në kuadrat. Diçka pozitive, nga e cila “Furia e Kuqe” duhet të rindërtojë planin për ndeshjet e ardhshme.

Related posts

NDIHESH I RREZUAR NGA SHKARKIMI? Trajneri i skuadrës së Serisë A jep përgjigjen epike

Delo.autor

ZYRTARE/ Çështja e rinovimit, Torino vendos për Vojvodën

F.autor

FINALJA E MADHE E CHAMPIONS-IT/ Ja statistikat e Mançester Siti-Çelsi

Delo.autor

Leave a Comment