Futboll Sport

UELLS-ITALI/ Puthje, muzikë për “Oscar” dhe pica, kështu karikohen “Azzurrët”

Italia sfidon sot Austrinë, prova e parë e vërtetë për “Axurrët”, duke qenë se nga 1/8-at luhet me eliminim direkt dhe të shohim nëse shkëndijat e frikshme të ofruara në grup do të shndërrohen në një flakë të vërtetë. Skuadra e Mançinit i fitoi të tria duelet në mënyrë bindëse në Grupin A, duke shënuar 7 gola dhe duke mos pësuar asnjë, por mbi të gjitha duke dëfryer dhe ofruar një lojë spektakolare që nuk ishte parë asnjëherë në historinë e kësaj përfaqësueseje. Për më tepër, Mançini dhe të tijtë shkojnë në Londër si të pathyeshëm prej 30 ndeshjesh (25 fitore dhe 5 barazime), pa harruar në të njëjtën kohë se prej 11 takimesh nuk pësojnë asnjë gol. Akoma më shumë se kaq, Italia është shumë më e freskët se Austria, duke qenë se nga 26 lojtarët në dispozicion, trajneri i tyre ka përdorur deri tani 25 të tillë (vetëm portieri i tretë Meret nuk ka shkelur fushën), ndaj edhe ky fakt përbën një avantazh shumë të madh, duke parë se nga ana tjetër, 6 nga 11 titullarët e Austrisë u është dashur që të luajnë 270 minutat totale, plus shtesat.

PUTHJE FATSJELLËSE – E kujtoni ritualin e francezëve, kur mbrojtësi Loran Blank i puthte tullën portierit Fabien Bartez përpara çdo ndeshjeje? Një rit i tillë ekziston tashmë edhe në kombëtaren e Italisë, me Leonardon Bonuçin që nuk mungon asnjëherë ta bëjë të njëjtën gjë me Atilio Lombardon, një prej asistentëve të trajnerit Mançini. Dhe deri tani nuk i ka ecur aspak keq! “Shqiponja e tullave” siç e quanin tifozët e Kristal Palasit, në periudhën që ai luante ende në fushë, është një nga shumë prej ish-shokëve të Mançinit te Sampdoria që punojnë në kombëtare. Por përveç Lombardos, Xhanluka Viali është shefi i delegacionit italian, ndërsa në stafin teknik bëjnë pjesë edhe Alberiko Evani, Xhulia Nuçari dhe Fausto Salsano, njerëz me shumë famë, por edhe me shumë seriozitet e karizëm, njësoj siç ka treguar deri edhe kjo Itali.

MASKOTË PËR “OSCAR” – Të gjithë e njohin maskotën e “Euro 2020”, të quajtur Skillzi, por Italia ka vendosur që të ketë edhe një të vetin, të personalizuar në grumbullim dhe anas fushës në çdo ndeshje. Bëhet fjalë për një pastor abrucez të krijuar nga fituesi i tri çmimeve “Oscar”, Karlo Rambaldi. Presidenti i federatës, Gabriele Gravina, tha se diçka të tillë ia kishte borxh Rimbaldit, i ndarë nga jeta në vitin 2012, pasi kishte fituar tri çmime “Oscar” për filmat si “E.T”, “Alien” dhe “King Kong”, pas të cilëve i kishte treguar edhe krijesën aktuale italiane, pastorin abrucez, i krijuar në vitin 2007: “Maskota jonë në këtë Europian është ‘Oscar’-i i katërt për Rambaldin”, tha Gravina.

MUZIKË PËR “OSCAR” – Një tjetër fitues i tri çmimeve “Oscar”, muzikanti Xhorxho Moroder, ka shkruar “Un estate italiana” (Një verë italiane), e cila është e njohur edhe si kolona zanore e Botërorit 1990, pikërisht në Itali. Së bashku me këngëtarët Xhana Nanini dhe Edoardo Benato, ky hit vazhdon t’i rezistojë ende fort kohës, ndonëse në 1990-ën, vetëm Kielini ishte në moshën 6 vjeç, ndërsa 19 prej lojtarëve aktualë që ka marrë me vete Mançini as që kishin lindur. Por kjo nuk do të thotë se tingujt e “Un estate italiana” nuk vazhdojnë që të ndezin gjakun e “Axurrëve”, përkundrazi, pas fitores së tretë me Uellsin në grupe, kjo këngë u këndua nga i gjithë delegacioni përballë tifozëve dhe gazetarëve që ishin mbledhur jashtë “Olimpico”-s për të përshëndetur beniaminët e tyre, duke treguar rigjetjen e shpresës së madhe italiane te ky grup i ndërtuar nga Mançini.

“PICA-PARTY” – Jo vetëm muzikë për të celebruar kualifikimin në 1/8-at e “Euro 2020”. Pas suksesit me Uellsin, të kaltrit morën leje nga trajneri i tyre jo vetëm për të pasur një ditë pushimi jashtë Koverçanos me familjet e tyre, por në kthim patën edhe një surprizë tjetër. Çiro Oliva, picaioli më i famshëm napolitan dhe miku i ngushtë i Lorenco Insinjes, kishte përgatitur nga një picë speciale për të gjithë, por të llojit “Margarita”, siç e kërkojnë rregullat e rrepta të vendosura nga Mançini, pasi edhe “shthurja” e merituar për një natë duhet të ketë limitet e veta. Tani shpresohet vetëm që limitet e Italisë të mos kenë qenë ato të treguara vetëm në fazën e grupeve. Prandaj, “Forza Italia”!

Related posts

“JEMI SHUMË TË..”/ Pas Chris Richards, një tjetër amerikan tek Bayern Munich

Delo.autor

“Futbolli nuk do të kishte kuptim pa të”, John Cena përzgjedh lojtarin më të mirë në botë

Q.Autor

TRAGJEDI NË FAMILJE/ Partizani humb një futbollist tjetër para ndeshjes me Vllazninë, ja emri

Delo.autor

Leave a Comment