Futboll Sport

ANGLI-DANIMARKË/ Sfidohen edhe dy… mbretëreshat, në “Wembley” do të jetë një takim për çaj e biskota

Sot do të jetë radha e Angli-Danimarkë, një gjysmëfinale e cila do të vërë përballë njëratjetrës jo vetëm dy skuadra futbolli, por edhe një derbi mes dy mbretëreshave: Elizabet kundër Margret. Thuhet se Mbretëresha Elizabet është shumë e apasionuar ndaj futbollit.

Një herë në “Wembley” u dorëzonte Kupën e Anglisë fituesve, madje për të garantohet se ka qenë dhe mbetet një tifozë e Arsenalit, ndonëse në rininë e hershme ka simpatizuar pikësëpari Uest Hemin. Gjithsesi, duke parë se Arsenali ka qenë skuadra e vetme në mbretërimin e saj që është ftuar në “Bakingam Palas” për një çaj me biskota, mund të kuptohet qartë se për kë rreh zemra e saj.

Kjo ngjarje daton në vitin 2007, me Çesk Fabregasin, organizatorin dhe prijësin e delegacionit të “Topçinjve”, që për takimin në fjalë tregonte: “Dukej qartë që Mbretëresha e ndiqte futbollin. Ajo na e pranoi në sy edhe tifozllëkun e saj për Arsenalin. Madje, u habita teksa m’u drejtua me emër dhe gjatë bashkëbisedimit tonë më shprehu shumë komplimente për mënyrën e lojës sime. Këto fjalë ishin të veçanta, pasi dukej se i ndiqte me kujdes ndeshjet”.

Por Elizabeta ka qenë një kontur i rëndësishëm i futbollit në ishull, prej më shumë se gjysmë shekulli madje. I paharrueshëm do të mbetet momenti i dorëzimit të Kupës së Botës së vitit 1966 Anglisë, me trashëgimtaren e fronit e cila ishte ajo që i dorëzoi Bobi Murit, kapitenit të “Tre Luanëve”, të vetmin trofe të fituar nga përfaqësuesja e vendit të saj.

Një tjetër trofe i dhuruar nga ajo ishte edhe ai i Europianit të vitit 1996, por këtë herë ia dorëzonte Jurgen Klinsmanit dhe Gjermanisë, pikërisht asaj skuadre që 30 vite më parë Anglia kishte mposhtur me shumë polemika në finalen e Botërorit, me një gol fantazmë që me teknologjinë e ditëve të sotme bën të dallohet qartë se topi nuk e kishte kaluar vijën. Gjithsesi, një mbretëreshe askush nuk do të kishte guximin që t’ia thoshte këtë edhe me pamjet e sotme, pasi kurora peshon shumë, hija është tepër e rëndë, pavarësisht buzëqeshjes së fshehur që gjithmonë shoqëron figurën e Elizabetës.

Por duke u rikthyer në realitetin e sotëm, pikërisht Mbretëresha e Anglisë mund të vendosë të rikthehet sërish në skenë, pasi “Tre Luanët” e Sauthgejtit i ndajnë vetëm dy ndeshje nga ngritja e mundshme e trofeut… Sërish aty, në “Wembley”, ndonëse hapi i parë, përpara se pallati mbretëror të nisë të mendojë nëse Elizabeta duhet të jetë protagoniste në “Wembley” më 11 korrik, është kualifikimi përballë Danimarkës, një skuadër e cila gjithashtu ka një kurorë mbi veten, ndonëse jo aq pasionale sa ajo e Elizabetës.

Kjo, pasi edhe Danimarka përfaqësohet nga një mbretëreshë, Margret, ndonëse ajo nuk është shumë, për të mos thënë fare e interesuar për futbollin. Tifozi më i zjarrtë i shtëpisë është djali i saj i parë, princi Frederik, trashëgimtari i fronit, i cili në ndeshjet e luajtura në Kopenhagen në këtë “Euro 2020” nuk ka munguar asnjëherë.

Dhe ndoshta nuk do të mungojë as sot në “Wembley”, pasi fundja për një kurorë mund të mbyllet një sy edhe ndaj normave strikte anti-COVID, si karantina e detyrueshme 10- ditore. Gjithsesi, sido që të përfundojë edhe gjysmëfinalja e sotme, e sigurt është se në fund monarkia do të jetë prezente, pse jo, shoqëruar edhe me çaj e biskota në një kopsht fantastik e mitik siç është “Wembley”.

Related posts

Suker zbulon prapaskenën: E zgjodhëm në 7 orë, tani jemi në finale

Isa.Autor

Ramires tek Lazio është një intrigë; Interi mund të bllokojë gjithçka

Isa.Autor

E BUJSHME NGA SPANJA/ Pakënaqësi tek Inter, Real Madrid mund të përfitojë për mbrojtësin…

Delo.autor

Leave a Comment