Futboll Sport

ANGLI-DANIMARKË/ Trajneri Southgate: Nuk kemi luajtur kurrë një finale dhe do të jetë një mundësi e artë për…

Kravata me vija dhe jele ku ishin “uniforma” e Gareth Sauthgejtit në Botërorin rus. Duke parë se si rrodhën ngjarjet tri vite më parë, trajneri anglez ka vendosur t’i besojë fatit. Sot në mbrëmje do të vishet me këmishë të bardhë e xhaketë blu. Kravata? Rigorozisht me pika. Këtë veshje me vlerë (në treg për 807 euro), 51-vjeçari nuk e kishte vetëm ndaj Skocisë, një sfidë që përfundoi në barazim. Duke marrë shembull nga homologu danez Hjulmand që ka si hajmali një triko leshi, edhe Sauthgejt, me sa duket, po merr masat e tij në aspektin fatsjellës për takimin e orës 21:00 kundër Danimarkës.

KONFERENCA E TRAJNERIT – Nga kompanitë e basteve, Anglia cilësohet si favorite, por Sauthgejt predikon qetësi në kuadër të përballjes me danezët. “Të mos harrojmë se Danimarka ka fituar një titull europian, ndërsa ne jo. Mendoj se ndonjëherë, populli anglez e harron këtë aspekt. Nuk kemi luajtur kurrë një finale dhe për lojtarët e mi do të jetë një mundësi e artë për të shkruar një copë histori të futbollit tonë”, deklaroi 51-vjeçari në fjalën hapëse të konferencës së tij për shtyp. Mungesa e Kristian Eriksenit dhe ajo që i ndodhi në ndeshjen e parë të “Euro”-s, ishte një tjetër temë e diskutuar nga trajneri anglez. Lidhur me mesfushorin, ai u shpreh:

“Goditje e rëndë për ekipin e Danimarkës, por sidomos për lojtarin, ashtu edhe për gjithçka që ka ndodhur më pas. Por ata iu përgjigjën në një mënyrë të habitshme gjithë kësaj drame: kam vënë re se ka një dallgë emocionale, një lidhje më të fortë me fansat e tyre pas asaj që ndodhi. Ata kanë një përvojë të përbashkët që i bën ata më të fortë, ndaj duhet të kemi kujdes. Vërtet luajmë në shtëpinë tonë, por përkushtimi dhe vëmendja nuk duhet të mungojnë përgjatë gjithë përballjes”.

Humbja e fundit për Anglinë në shtëpi ka ardhur pikërisht kundër Danimarkës e cila fitonte në tetorin e kaluar 1-0 me gol të Eriksenit nga pika e bardhë e penalltisë. Sauthgejtit nuk i shpëtojnë këto detaje, ndaj edhe në analizën që i bën sfidës shprehet: “Vjet i kemi përballur dy herë dhe e dimë fort mirë se sa e vështirë është të luash kundër kësaj Danimarke.

Kanë lojtarë të fortë dhe të aftë teknikisht të cilët janë rritur shumë krahasuar me ndeshjen e fundit mes nesh. Për fat, do të kemi mbështetjen e tifozërisë sonë dhe është bukur të ndiesh këtë energji. Sidoqoftë, këto takime vendosen në fushë, ndaj do të nevojitet që të luajmë mirë, të mbrojmë fort e të sulmojmë si duhet. Faktorët e jashtëm mund të ndikojnë, por ne jemi të përgatitur për të mundur një skuadër që taktikisht vlen shumë”.

Related posts

“NUK BËHESH KAMPION ME 5 NDESHJE”/ Mancini flet për dy yjet e Italisë: Duam ekip me…

Delo.autor

(FOTO) Blerja e re e Barcelonës nuk humb kohë, stërvitet me skuadrën

Q.Autor

Calhanoglu tradhëton Montella-n për Gattuso

Q.Autor

Leave a Comment