Futboll Sport

ANGLIA E BASHKUAR, SEKRETI ËSHTË KANE/ Mediat zbulojnë surprizën, kapiteni organizoi një barbeky me birra

Data ishte e rrethuar prej kohësh në axhendën e Herri Kejnit dhe ndoshta kjo ka qenë një ndër idetë më të bukura, por mbi të gjitha strategjia e duhur për të mbajtur kombëtaren e tij shpesh frenetike të përqendruar maksimalisht dhe mbi të gjitha të bashkuar.

Në mes të kësaj vere emocionuese, 23 qershori dukej data e duhur që kapiteni i “Tre Luanëve”, por edhe pjesa tjetër e grupit që e përbën atë të merrte frymë, të mund të relaksohej, por në një mënyrë që pas festës së menduar Anglia të ishte edhe më e karikuar, më e bashkuar.

Pas fitores me Çekinë, që u dha edhe kokën e grupit ishullorëve, dhe teksa prisnin të njihnin kundërshtarin e 1/ 8-ave, Kejn telefonon një prej miqve të tij më të ngushtë, por jo një personazh dosido: fituesin e çmimit “Grammy”, këngëtarin me famë botërore Ed Sharan.

“A do të vish të luash dhe të këndosh për kombëtaren tonë, pasi dua të organizoj një festë private, për të rritur edhe më shumë frymën në grup. Vetëm duke qenë më të bashkuar mund të fitojmë Europianin”, ishte kërkesa e Kejnit për Ed Sharanin, i cili as që mund ta diskutonte prezencën e tij. Madje, sulmuesi i Totenhemit shkoi edhe më tej duke i marrë leje trajnerit Sauthgejt që për një natë dikush t’i lejonte vetes edhe ndonjë birrë, përpara një barbekyje me mish argjentinas.

Dhe pasi mori edhe aprovimin e “shefit”, pjesën tjetër e bëri të mundur grupi i sigurisë që mbron përfaqësuesen, duke vendosur një perimetër sigurie në një park aty pranë, plus dy ekrane gjigante në të cilat transmetoheshin dhe ndiqeshin ndeshjet Francë-Portugali dhe Gjermani-Hungari, nga ku mund të dilte edhe rivalja e tyre e radhës. Surpriza e organizuar nga Kejn u pëlqye shumë nga të gjithë, por teksa birrat dhe mishi përpara ndeshjeve e të qeshurave nuk mungonin, nevojitej në sfond muzika, ndaj futja në “skenë” e papritur e Ed Sharanit çarmatosi të gjithë anglezët.

Fillimisht nën tingujt “Angels” të Robi Uilliamsit dhe më pas të një muzike më ritmike, festa e organizuar nga Kejn u duk qartë se ishte një dozë adrenalinë dhe bashkimi për të gjithë, siç konfirmuan më pas sukseset me Gjermaninë dhe me Ukrainën: “Ishte e pabesueshme hyrja e Ed Sharanit. Kur mendoj që të tjerët paguajnë nga 15-20 mijë euro për ta parë në koncert nga vetëm pak metra larg, ne e kishim aty të këndonte për ne. Ishte një ide mjaft e bukur dhe na surprizoi duke luajtur tavolinë më tavolinë”, deklaroi mbrojtësi i djathtë, Tripier.

Related posts

Cuculi e mbyll me Shkëndijën, mbrojtësi 30-vjeçar drejt rikthimit te Partizani

Sadik.Autor

FORMULA 1/ Gara e Spanjës nis me një super aksident (VIDEO)

Sadik.Autor

NË PRAG “AUSTRALIAN OPEN”/ Federer i dëshpëruar: Kjo gjë do të ndodhë një ditë

Delo.autor

Leave a Comment