Futboll Sport

“EURO 2020″/ Anglia favorite ndaj Ukrainës, rivalitet i ashpër në Çeki-Danimarkë

Pas shumë e shumë përpjekjeve më në fund Anglia ia doli mbanë për të eliminuar Gjermaninë në një përballje me eliminim të drejtpërdrejtë në një aktivitet madhor dhe tani përfaqësuesja e “Tre Luanëve” bëhet gati për të hedhur një hap shumë të rëndësishëm në Europian, teksa skuadra e drejtuar nga trajneri Gareth Southgate do të ndeshet me ekipin e Ukrainës. Bëhet fjalë për çerekfinalen e fundit të këtij Europiani dhe natyrisht që skuadra që mban vendin e katërt në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA-s konsiderohet favorite për të kaluar mes katër përfaqësueseve më të mira të këtij kompeticioni.

Në gjithë historinë e saj kombëtarja angleze ia kishte dalë për të kapërcyer thjesht një herë të vetme pengesën e sfidave të “knock out”-it në një event të tillë. Në vitin 1996 në evropianin që organizoi vetë Anglia e drejtuar nga trajneri Terry Venables eliminoi Spanjën pas gjuajtjeve të 11-metërshave dhe deri më sot ky mbetet edhe rezultati i vetëm pozitiv për “Tre Luanët”, ndonëse shpikësit e futbollit marrin pjesë për herë të dhjetë në fazën finale të kompeticionit më të rëndësishëm të Kontinentit të Vjetër, në rang përfaqësuesesh.

Dy vendet kanë diferenca shumë të mëdha dhe për të përforcuar një detaj të tillë mjafton të kujtohet fakti që Ukraina konsiderohej si vendi me pozicionimin më të ulët në renditjen botërore nga 16 skuadrat e kualifikuara nga faza e grupeve, pas vetëm Republikës Çeke, që aktualisht mban vendin e 40 në klasifikimin e FIFA-s.

Për momentin, skuadra e drejtuar nga ish-“ylli” i verdhebluve, Andriy Shevchenko, pozicionohet në vendin e 24-t në renditjen botërore dhe në fakt Ukraina përfaqëson edhe ekipin që pritej më pak të mbërrinte deri në këtë pikë të kampionatit.

Si rrallëherë përvec forcës Anglia këtë radhë ka gjithashtu edhe favorin e faktorit fushë, duke pasur parasysh që “final four” do të organizohet pikërisht në Ishull. Deri tani katër ndeshjet e para “Tre Luanët” i kanë luajtur në shtëpi dhe, pavarësisht presionit të natyrshëm që ofron një stadium mitik si Wembley anglezët janë mbajtur mirë, duke ruajtur qetësinë që nevojitet në një aktivitet të tillë madhor.

Ky është viti i pestë për trajnerin Southgate në krye të përfaqësueses dhe anglezët krenohen thjesht me kualifikimin për në gjysmëfinalet e botërorit rus, ku u thyen nga Belgjika si dhe praninë në katërshe në edicionin hapës të Ligës së Kombeve, ku “Tre Luanët” u mposhtën nga Holanda pas kohës shtesë. Për çudi, disfata të tilla konsiderohen si arritje shumë të mëdha nga krerët e Football Association të cilët vazhdojnë të mbështesin pa masë trajnerin aktual të ekipit, madje drejtuesit e Federatës Angleze kanë deklaruar përpara kohe se çfarëdo që të ndodhë Gareth Southgate do të konfirmohet si tekniku i kombëtares angleze deri në botërorin e ardhshëm, që do të mbahet vitin tjetër në muajt nëntor – dhjetor, në Katar.

Këtë herë, për sfidën me Ukrainën Anglia do të shtrëngohet për të lënë ishullin dhe “Tre Luanët” do ta luajnë takimin e radhës në Apenine, më saktë në kryeqytetin italian. Deri tani Anglia është ruajtur, duke luajtur me “frena dore” dhe trajneri Gareth Southgate është treguar shumë i kursyer në zgjedhjet e tij.

Në krahun tjetër Ukraina është shfaqur plot luhatje dhe skuadra e Andriy Shevchenkos ia doli për të kaluar fazën e grupeve me doza të theksuara fati. Tani natyrisht Ukraina nuk ka më asgjë për të humbur dhe është e qartë që Anglia do të duhet të hapet për të gjetur zona të lira në fushën e lojës.

Në 5 përballjet kompetitive në aktivitetet madhore Anglia kryeson minimalisht 2-1 me fitore, ndërsa në statistikat e përgjithshme, duke shtuar edhe dy sfida miqësore, “Tre Luanët” udhëheqin 4-1. Takimi Ukrainë – Angli do të mbahet në “Qytetin e Përjetshëm”, në orën 21:00, në Stadio Olimpico dhe do të drejtohet nga kryesori gjerman Felix Brych, shkruan Super Sport.

Më herët do të masin forcat gjithashtu edhe Republika Çeke me Danimarkën, në një duel tepër të barabartë. që vlen gjithashtu kalimin për në fazën gjysmëfinale të këtij kompeticioni. Të dy ekipet kanë bërë një figurë shumë të mirë deri në këtë pikë të kampionatit, gjithsesi Republika Çeke apo Çekosllovakia ka dominuar 13-2 me fitore 26 përballjet ndërmjet tyre. 5 nga 6 sfidat e fundit ndërmjet tyre në të gjithë kompeticionet janë mbyllur në barazim. Takimi Republikë Çeke – Danimarkë do të luhet në orën 18:00, në Azerbajxhan, në Stadiumin Olimpik të Bakusë dhe do të drejtohet nga kryesori holandez, Bjorn Kuipers.

Related posts

SUPERLIGA/ Luftëtari luan ndaj Kastriotit, ja formacionet zyrtare të skuadrave

Isa.Autor

NË KËRKIM TË NJË KLUBI TË RI/ Dani Alves i vetofrohet Juventusit, por…

Delo.autor

Ronaldo është akoma i dashuruar dhe shumë xheloz për Irinën

Sadik.Autor

Leave a Comment