Futboll Seria A Sport

GATI REVOLUCIONI/ Nga mesfusha tek bërthama, ja 4 musketierët e trajnerit Allegri…

Viti ka 52 javë, e po aq ishin edhe formacionet e Juves të rreshtuara në sezonin e kaluar kur në stol ishte Andrea Pirlo.

“Mjeshtrit” iu hoqën gradat, teksa “gjenerali i ri” është Masimiliano Alegri. Emër i njohur, e ide po aq të njohura, ndaj Juvja e sivjetshme pritet të jetë më konstante.

Në rezultate, por sidomos në emra. Trajneri i rikthyer ka gjetur edhe kolonat mbi të cilat do të bazojë rikthimin e tij, e pse jo, edhe atë te sukseset. E thënë ndryshe, objektiva të njëjtë dhe grup i njëjtë. Në kokën e Alegrit idetë janë të qarta dhe po ashtu “besnikët” nga të cilët nuk ka në plan të heqë dorë. Bonuçi, Kuadrado, Kieza e Dibala janë themeli, por fillimisht le të sqarojmë detajet.

MESFUSHA – Vitin e kaluar, mesfusha dha sinjale pozitive me Bentankurin, Mekenin dhe Arturin, kur ky i fundit ishte mirë. Më pas filluan dëmtimet dhe Pirlo e pa veten të detyruar të ndryshonte, qoftë për arsye teknike, ashtu edhe për çështje manovre. Me Arturin ende të dëmtuar, Mekeni dhe Bentankur i ofrojnë besueshmëri Alegrit, ndaj dyshja mund të jetë pjesë e bazës prej 7-8 lojtarësh që do të jenë të paprekshëm për shumicën e sezonit. Për nga cilësia, ajo bardhezi është ende organika më cilësore e kampionatit italian, ndaj rikthimi te titulli nuk mund të konsiderohet utopi, pavarësisht se Interi ka ruajtur strukturën e Milani trajnerin.

BËRTHAMA 2021-‘22 – Ronaldo nuk mund të komentohet, aq më tepër që të dielën do të zbarkojë në Torino e më pas do të qartësohet çdo dyshim në lidhje me të ardhmen. Për momentin, portugezi duket i fokusuar te “Zonja e Vjetër” pavarësisht se duket e vështirë që të vijojë të përballojë minimalisht 40 ndeshje në sezon. Në skadencë kontrate, por diskutim i ngjashëm edhe për Paulo Dibalën. Rikthimi i Alegrit pritet t’i riktheje shkëlqimin e dikurshëm, pavarësisht se dëmtimi i orëve të fundit i ka ngadalësuar procesin e gjetjes së formës. Kieza e Kuadrado përbëjnë faktorin “K”.

Të dy cilësohen si të paprekshëm dhe thelbësorë për atë që duhet të jetë bërthama e sezonit 2021-‘22. Shpejtësia dhe driblimet janë pjesë e repertorit të tyre, por të bashkuara me cilësinë e Juves, mund të jenë elementi kyç për rikthimin te sukseset. Në fund, por jo i fundit, Leonardo Bonuçi. I saposhpallur kampion Europe, mbrojtësi do të mundohet të mbajë të ulur “qepenin”. Më pak gola të pësuar shtojnë përqindjen e mundësisë për sukses. Alegri e di mirë dhe siç thoshte pak vite më parë, “nuk ka rëndësi se si fiton nëse në finish mbërrin i pari”.

Related posts

VIDEO EPIKE/ Futbollin e kanë qejf edhe kafshët, momenti kur dreri i egër shënon gol dhe hidhet përpjetë nga gëzimi

F.autor

TEUTA NIS PUSHIMET/ Priten lëvizje tek durrsakët para sezonit të ri

Delo.autor

VENDIM I PAPRITUR/ Vetëm 23 vjeç, djali i Refik Halilit tërhiqet nga futbolli

Delo.autor

Leave a Comment