Futboll Sport

HUMBJA E PENALLTISË NË 1996/ Trajneri Southgate: Tani nëna ime do ta harrojë dhimbjen e para 25 viteve

Deri tani, udhëtimi i Anglisë në këtë “Euro 2020” mund të përmblidhet i gjithi në atë ulërimë të lëshuar nga Garet Sauthgejt, pas vërshëllimës finale në gjysmëfinalen kundër Danimarkës. Për trajnerin e “Tre Luanëve” ky udhëtim është diçka historike edhe deri në këtë pjesë, duke qenë se vetëm ai ka mundur t’ia dhurojë Anglisë këtë mundësi.

Por e bukura e gjithë kësaj është se pikërisht ai, Garet Sauthgejt, ishte i njëjti që ia kishte mohuar mundësinë Anglisë për të luajtur një finale, sërish në “Uembli”, teksa 25 vite më parë ai humbte penalltinë vendimtare përballë Gjermanisë. Në atë “Euro 1996”, Anglia udhëhiqej në fushë nga Toni Adams, me kapitenin e atij turneu i cili paraditen e djeshme, në emisionin “Good Morning Britain”, tregoi se çfarë përfaqësonte për Sauthgejtin fitorja 2-1 kundër Danimarkës, duke parë edhe emocionet e ish-shokut të repartit në fytyrën e tij, përballë 60 mijë tifozëve që kishin mbushur “Uemblit”.

“Menjëherë pas ndeshjet i shkrova Garetit urimet e mia: ‘Jam krenar që jam shoku yt’. Ndërkohë që përgjigjja e tij ishte: ‘Pas kësaj fitoreje falënderoj Zotin që nëna dhe babaim im nuk kanë më pse të durojnë më gjithë atë dhimbje që u shkaktova 25 vite më parë’. Mendoj se Garet tashmë ka marrë një orientim të ri dhe ka shumë merita për mënyrën se si këta djem të rinj e të talentuar po rriten dhe po bëhen një skuadër e vërtetë, një skuadër e madhe. Madje, shumë prej tyre të mos harrojmë se as që kishin lindur ende, kur Sauthgejt humbte atë penallti ndaj Gjermanisë, por gjërat fatmirësisht ndryshojnë për të gjithë, por edhe për mirë madje”, deklaroi ish-kapiteni i Anglisë në 1996-ën, Toni Adams.

APELI I TIFOZËVE – Çështja është se e gjithë euforia që ka kapluar anglezët mund të ndryshojë të dielën, në rast se ajo që do të fitojë në fund do të jetë Italia. Gjithsesi, për faktin që ata do të kenë mundësinë të luajnë finalen e së dielës, ka bërë që në rrjetet sociale të kryeministrit Boris Xhonson të kishte qindra mijëra mesazhe që i kërkonin kreut të shtetit t’i jepnin titullin “Sir” Garet Sauthgejtit, ndërkohë që ky i fundit kërkon që të shuajë disi këtë eufori, jo më shumë te tifozët, sesa te futbollistët e tij, siç treguan edhe fjalët e shprehura pas suksesit me Danimarkën: “Tani të qëndrojmë të gjithë disi të qetë. Është e vërtetë që kemi bërë një rrugë të madhe deri tani, por nuk kemi fituar ende asgjë. Përballë do të kemi Italinë, një skuadër fantastike, e cila ka treguar shumë cilësi dhe karakter deri në këtë pjesë të sezonit. Prandaj, të rikuperojmë gjendjen fizike dhe psikologjike. Për një finale duhet të kesh balancë dhe qetësi, nuk mund të fluturojmë me ëndrra, edhe pse luajmë në shtëpi”, shprehet trajneri i Anglisë.

Related posts

HARROJENI RONALDO/ Ky ishe futbollisti që shkëlqeu për Juventusin në debutim

Isa.Autor

PRITET LARGIMI I HAKIMI/ Inter arrin akordin me lojtarin e Bundesligës. Ja 3 objektivat “Zikaltër”…

Delo.autor

HARROJNË HUMBJEN NË CHAMPIONS/ Të besuarit e Guardiolës mposhtin Palace dhe marrin kreun

Delo.autor

Leave a Comment