Futboll Sport

ITALI-SPANJË/ Roberto Mancini dhe Luis Enrique, zotërinjtë e fiksuar me kontrollin e topit

Kur Federiko Kieza tha dy ditë më parë: “Ne dhe Spanja jemi dy skuadra shumë të ngjashme”, pa dyshim që sulmuesi i të kaltërve e dinte mirë se çfarë po nxirrte nga goja. “Axurrët” kishin nisur ta studionin skuadrën e Luis Enrikes. Mjeshtrat e “tiki-takës”, edhe në evolucionin e tyre asturian, mbetën po të njëjtët, por Italia e ka nxjerrë mësimin, madje e ka treguar me fakte versionin e saj se si t’i kundërpërgjigjet.

“Furitë e Kuqe”, të cilat e kanë shndërruar stilin e tyre të lojës në një leksion shumë të thjeshtë, e kanë zotëruar topin mesatarisht 67 për qind të kohës në ndeshjet që e kanë sjellë deri në gjysmëfinale. Ajo që i ndjek është pikërisht Italia me 56 për qind dhe ndoshta është pikërisht ky çelësi i ndeshjes së sotme në “Wembley”.

Nëntë vite më parë, jo vetëm italianët, por e gjithë bota admiroi një futboll marramendës, të përbërë nga pasazhe loje me një shpejtësi të çmendur dhe me asiste që kalonin edhe në “gropa” defensive në dukje të pamundura për t’u arrirë. Një futboll gjenial, i cili shkatërroi një Itali të bukur të Prandelit në “Euro 2012”.

Rezultati 4-0 shpërbleu në mënyrën më të mirë gjithçka ishte parë në fushën e lojës, ndonëse në fund duke e pabesueshme se zotërimi i topit mes Spanjës dhe Italisë u nda 52 me 48 për qind. Italisë iu desh të studionte mjaft vite, përpara se të mësonte leksionin… Më konkretisht u desh të vinte Roberto Mançini në drejtim për të përmbysur konceptet e vjetruara të paraardhësit të tij. Po, sepse luksin e sotëm, Xhanpiero Ventura e kishte në dorë që atëherë, por Zhorzhinjo sipas tij ishte një “i robotizuar, nuk ka vend për të në ekipin tim”, derisa nga dëshpërimi u detyrua që ta hidhte në fushë në ndeshjen vendimtare kundër Suedisë, por pa rezultat. Kjo pasi barazimi pa gola në “San Siro” la Italinë jashtë Botërorit 2018. Ndërkohë, trajneri aktual, atë lojtarin e robotizuar, i cili dinte të luante gjasme vetëm në një mënyrë, e ka shndërruar në farin e lojës së tij, madje duke i vënë përkrah edhe një tjetër fantazist si Verrati.

Me këtë luks e vetmja kombëtare që mburrej ndër vite kishte qenë vetëm Spanja, një ide e trashëguar që nga kohët e Barcelonës së Guardiolës, ndërsa në Itali, ideja e dy organizatorëve ngjitur me njëri-tjetrin jo vetëm që ishte tabu, por vinte në rrezik idenë e shkollës së futbollit në gadishullin Apenin. Po e gjithë kjo që po na shohin sytë deri tani, mos ndoshta do të thotë se tashmë kemi të bëjmë me një Itali të spanjollizuar? Jo saktësisht… “Nuk është se ne frymëzohemi nga Spanja, por kemi thuajse të njëjtat ide loje: të zotërojmë topin, të bëjmë presing shumë lart në sulm, të kërkojmë të dominojmë kundërshtarin.

Pastaj, mënyra sesi zhvillohet loja në fushë është e ndryshme”, vazhdonte shpjegimin Federiko Kieza. Spanja aktuale e ndërton lojën e saj me mbrojtësit, pasi nuk është një rastësi se Pau Torres dhe Laport, dy qendërmbrojtësit e Luis Enrikes, janë futbollistët që kanë luajtur më shumë topa në të gjithë turneun. Madje, i vetmi që ka bërë më mirë se ata është sërish një spanjoll, Hordi Alba. Dhe një skuadër që ia beson fatet e saj të lojës atyre që kudo tjetër kanë si detyrë të ndalin golat, dhe jo t’i ndërtojnë ato, tregon arsyet pse kjo Spanjë, e parë shpesh edhe në vështirësi, është një skuadër e paparashikueshme.

Konceptet në fjalë i njeh shumë mirë Daniele de Rosi, asistenti i Mançinit, i cili pasi punoi me Enriken te Roma, pa që ai ta transferonte nga mesfusha në qendër të mbrojtjes vetëm për të pasur më shumë qarkullim topi, ide pas të cilave italiani e shprehu botërisht:

“Enrike është një nga trajnerët më të zgjuar dhe më të zotë që kam pasur në karrierë”. Gjithsesi, Italia nuk ka ndërmend ta kopjojë Spanjën, pasi Mançini ia ka besuar Zhorzhinjos çelësat e lojës, një futbollisti që për pasime të sakta është i pari pas trios spanjolle. Por edhe kjo nuk është një rastësi: nëse iberikasit ndërtojnë me mbrojtësit, Italia sapo të mundet mbështetet te “braziliani”, një futbollist që përveç një mesatareje prej 74 pasimesh në destinacion për ndeshje, numëron edhe 57.7 kilometra të kryer në 5 ndeshje. E thënë ndryshe, njësoj sikur t’i kishte rënë rreth e përqark “Wembley”-t dhe “Stamford Bridge”- s, stadiumit ku pret të luajë sot dhe impiantit të Çelsit.

Në këtë “Euro 2020”, i vetmi që ka vrapuar më shumë se Zhorzhinjo është spanjolli Pedri, një tjetër që duket kapur me pinca për të bllokuar manovrën e “Furive të Kuqe”. Për ta përmbledhur: Itali-Spanjë do të jetë një sfidë mes dy skuadrave që shohin te kontrollimi i lojës çelësin fitues për të sulmuar.

Në zotërimin e topit, nëse spanjollët kanë saktësi më të lartë në pasime, “Axurrët” janë ata që godasin më shumë portën rivale (101 kundrejt 95 të spanjollëve). Por kur mbërrin në fund, diferenca quhet: Xherard Moreno dhe Çiro Imobile, të cilëve duke i bashkuar edhe Kilië Mbapenë plotësojnë podiumin e goditjeve të gabuara. Prandaj, cili mes Morenos dhe Imobiles do të ketë kolauduar siç duhet shënjestrën mbrëmjen e sotme, do të jetë ai që do t’ia grisë tjetrit biletën për finalen e madhe…

Related posts

PARTIZANI BIND NË VLORË/ 3 gola për 3 pikë dhe prek me një “dorë” titullin kampion

Delo.autor

“Liberté, Egalité, Mbappé”…, 19 nga 23 kampionët e Francës janë emigrantë (FOTO)

Sadik.Autor

NEYMAR, RONALDO APO MESSI? Ja super ylli që ka thyer rrjetet sociale me largimin nga klubi (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment