Futboll Sport

LU-LA NDERON INTER/ Sulmi i ekipeve italiane i plakur, shpëton edhe Atalanta

Lautaro Martinez është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Interit dhe këtë e kanë konfirmuar publikisht disa herë si drejtuesit, ashtu edhe trajneri Inzagi. Gjithsesi, rinovimi i shumëpërfolur i nisur që në dimrin që lamë pas, ku qe arritur dakordësia për një kontratë të re katërvjeçare, nuk ka ardhur ende.

Me ndërrimin e agjentit (i njëjtë më atë të Hakimit), çdo gjë ka nisur nga zeroja dhe bisedimet do duhet të rinisin sërish. Argjentinasi ndihet mirë në Milano, e ka treguar disa herë, por sirenat e kaluara spanjolle, si ato që kanë ardhur nga Barcelona, nuk e kanë lënë indiferent.

Duke ditur vlerat e tij dhe rëndësinë që ka për të ardhmen e Interit, sulmuesi kërkon nga zikaltrit një kontratë si “top player” dhe një projekt konkret për të ardhmen, që do t’i mundësojë trofetë. Kërkesat që janë parashtruar nga menaxheri po merren parasysh nga drejtuesit, por nuk ka nxitim për të rinovuar kontratën që skadon në 2023-shin.

Sidoqoftë, çështja “Lautaro” duhet zgjidhur sa më parë, duke pasur parasysh se paga prej 2.5 milionë eurosh që fiton 23-vjeçari ka shkaktuar pakënaqësi tek ai dhe se klubet më të mëdha europiane do të ishin të gatshme për t’u hedhur në sulm për shërbimet e tij.

SULMUESIT NË ITALI – Duke marrë parasysh rrogat e larta që kërkojnë Lautaro me shokë, kampionati italian gjendet ne një krizë sulmuesish elitarë. Koha kur në Serinë A luanin sulmuesit më të mirë të botës ka perënduar. Para 20 vitesh dyshet e sulmit që udhëhiqnin Juventusin (Trezege dhe Salas), Romën (Batistuta dhe Montela), Interin (Ronaldo dhe Vieri), Lacion (Simone Inzagi dhe Krespo) dhe Milanin (me Inzagin që mbështetej nga Shevçenko), ndillnin frikë në çdo stadium që shkonin.

E tashmja paraqet një panoramë ndryshe, ku vetëm qendërsulmuesit e Interit, Lukaku e Lautaro, janë në kulmin e karrierës së tyre, gjë që e treguan duke ndihmuar shpalljen e zikaltërve kampionë të Italisë. Osimhen, numri 9 i Napolit, është një nga lojtarët më premtues, por shoqërimi i tij nga “i vjetri” Mertens, ia heq dinamizmin sulmit të Napolit.

Ekipet e tjera duken në tentativa për të mbushur boshllëqe dhe nuk po investojnë seriozisht në repartin e tyre ofensiv: mosha e sulmit të Milanit me Ibrahimoviçin e Zhirunë është 73 vjeç; te Roma vetëm Edin Xheko është 35 vjeç; Juventusi mund të gjejë shpëtim vetëm te Morata si sulmues qendre; kurse Lacio është në duart e Imobiles, 30-vjeçarit që garanci jep vetëm kur luan në kampionat.

Mundësi zgjedhjesh të shkëlqyera ka ekipi tjetër zikaltër, Atalanta, kolumbianët e së cilës, Zapata dhe Muriel, kanë provuar të jenë pjesë thelbësore e ekipit.

Related posts

DERBI MIQËSOR NË “SELMAN STËRMASI”/ Kampionët e Superiores triumfon minimalisht ndaj Dinamos

Delo.autor

PROBLEM ME KAMERAT TEK STADIUMI/ Ja plani për inaugurimin e “Arenës Kombëtare”

Delo.autor

“Vullkani” Faton Vukshinaj merr një tjetër fitore

Sadik.Autor

Leave a Comment