Futboll Sport

MERKATO E BUJSHME/ Tirana kërkon 200 mijë euro për Hoxhallarin, ja prapaskenat me klubin skocez…

Erion Hoxhallari prej kohësh ëndërron që të luajë në një kampionat të huaj dhe ofertat nuk i kanë munguar. Së fundmi, interesim konkret për mbrojtësin e Tiranës dhe të Kombëtares shqiptare kanë shfaqur skocezët e St Mirren. Vetë lojtari nuk i ka mohuar asnjëherë negociatat me këtë klub, por gjatë orëve të fundit situata është komplikuar disi.

PAGA

Të gjithë ata që largohen nga Shqipëria dhe për më tepër nga klubi më i madh, Tirana, natyrisht që shpresojnë edhe për një kontratë të kënaqshme financiarisht.

“Panorama Sport” mëson se pretendimet e Hoxhallarit kanë qenë afër 9 mijë paund në muaj kundrejt klubit skocez. Zyrtarët e këtij të fundit i kanë ofruar deri tani 6 mijë paund në muaj, çka e ka lënë të pakënaqur mbrojtësin 25-vjeçar. Negociatat kanë disa javë që vazhdojnë, por asnjë nga palët nuk është tërhequr nga pretendimet e veta. Në këtë moment duket se ka ngrirë gjithçka dhe për lojtarin mund të hidhen në sulm klube kroate që prej kohësh e monitorojnë.

KËRKESA E TIRANËS

Hoxhallari është ende nën kontratë me Tiranën, por klubi nuk është bërë pengesë në rast se ai vendos të largohet. Natyrisht, Refik Halili i ka vendosur një çmim kartonit të lojtarit dhe kërkesa fillestare ka qenë 200 mijë euro.

Mësohet se edhe kjo nuk është pritur mirë nga skocezët, që gjithsesi nuk i kanë ndërprerë bisedimet.

Halili nga ana tjetër ka lënë shteg për bisedime, por gjithnjë duke vënë në dukje se një produkt i klubit të tij dhe me një moshë 25-vjeçare nuk mund të mos ketë vlerësimin e duhur për kartonin.

Drejtuesit e St Mirren kanë hedhur si opsion mbajtjen e një përqindjeje të kartonit nga klubi i Tiranës dhe nëse Hoxhallari do të shitet sërish, atëherë bardheblutë mund të përfitojnë.

Skocezët fillimisht kanë ofruar 20 për qind të kartonit, por më pas kanë qenë të gatshëm që të lënë edhe 40% të tij, me qëllim që të mos paguajnë lek “cash” për shërbimet e Hoxhallarit përveç rrogës. Ky variant gjithsesi nuk e ka bindur presidentin e Tiranës, i cili ka kërkuar një përqindje të kartonit dhe një shumë parash për ta lënë të lirë Hoxhallarin. Gjatë ditëve të ardhshme mund të ketë zhvillime të reja, por deri dje marrëveshja ishte e “ngrirë”.

Related posts

PËRBALLJA NDAJ MILAN NË EUROPA LEAGUE/ Manchester United mirëpret Ibrahimovic: Ky burrë i madh…

Delo.autor

FSHF PUBLIKON ÇMIMET/ Ja sa kushtojnë biletat kundër Islandës

F.autor

LAÇI-KUKËSI/ Gjoka hedh në fushë “arsenalin e rëndë” në këtë ndeshje (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

Leave a Comment