Futboll Premier League Sport

MERKATO E VERËS/ Chelsea i rrit rrogën në 15 milionë euro, ja 4 arsye pse Lukaku s’tundohet…

Interesi i Çelsit për Romelu Lukakun nuk po venitet pavarësisht refuzimit të fundit të belgut. Pas zbarkimit të vetë djalit të Roman Abramoviçit në Milano, ofertat po vijnë duke u rritur dhe e fundit ishte 15 milionë euro pagë për 28-vjeçarin, por pritshmëritë janë që të mos ndalet këtu.

Synimi i bluve është i qartë, duan me patjetër shërbimet e sulmuesit, që nga ana e tij nuk ka ndërmend të largohet nga Interi deri në momentin kur vetë klubi do ia kërkojë një gjë të tillë.

Në situatën aktuale “Big Rom” është i pashitshëm dhe zikaltrit e kanë ndërtuar gjithë projektin e tyre rreth tij. Futbollisti po e shpërblen duke treguar besnikëri ndaj ngjyrave zikaltër dhe janë katër motive kryesore ato që e çojnë sulmuesin drejt një qëndrimi të tillë. E

SHKUARA – Skepticizëm i ekzagjeruar dhe fyerjet e tabloidëve britanikë, kujtime të këqija nga “Premier League”. Bashkë me 6 gjuhë të tjera, Romelu flet një anglishte të shkëlqyer. Mbretëria e Bashkuar që në fillim ka qenë si shtëpia e tij, kur shikonte të luante idhullin e tij Didier Drogba. Pastaj realiteti e goditi ndryshe. Çelsi trokiti shumë shpejt në portën e tij, që kur ishte 18 vjeç.

Pas tij shkoi tek Uest Bromuiç dhe pastaj u shit përfundimisht tek Evertoni ku realizoi shumë gola. Në 2017-ën Murinjo e solli të Mançester Junajtid, por gjithë ky rrugëtim i Lukakut u ndoq me skepticizëm, kritika të shumta dhe sulme të shpeshta nga tabloidët britanikë. Mbi të gjitha, në vitin e fundit flitej më shumë për peshën e tij sesa për golat e shënuar. Për të gjitha këto Romelu nuk ka kujtime të mira nga Anglia, Liga nuk e mbështeti dhe e braktisi në momentet e tij më të vështira. Ndjenjat mund të ndryshojnë, por për momentin belgu nuk dëshiron të rikthehet.

QYTETI – Një mural dhe shumë afeksion, sidomos gjatë humbjeve, në këtë mënyrë në Milano u bë “mbret”. Vendin e tij në këtë botë, Lukaku e gjeti pikërisht në Milano, në asnjë qytet tjetër nuk ka marrë kaq shumë dashuri të pakushtëzuar dhe kjo ndjenjë me sa duket i ka krijuar varësi. Është bukur të quhesh mbret dhe të shikosh veten të përjetësuar në një mur përballë të famshmit “San Siro”.

Por, më shumë se  në triumf, sulmuesi e ka ndier mbështetjen në momentet më të errëta të aventurës së tij zikaltër dhe atëherë e ka kuptuar zgjedhjen e duhur që ka bërë. “Pas humbjes së finales së “Europa League”, përgjigjja emotive që mora nga tifozët, më tregoi se njerëzit më donin vërtet shumë.

Mora më shumë përkrahje se komente negative”, ka deklaruar së fundmi belgu. Në Milano ka blerë tri apartamente dhe ka interesa të ndryshëm edhe tregtarë, me pak fjalë ka ndërtuar një mbretëri të vogël. Atëherë pse do të dëshironte të zbriste nga froni pikërisht tani?

MIRËNJOHJA – Në 2019 ndodhej në një tunel, në fund të të cilit nuk shihte dritë. Falë Interit realizoi ëndrrën italiane. Jeta dhe perspektivat ndryshojnë vazhdimisht. Në 2019, Lukaku donte me mish e me shpirt të largohej nga Mançester Junajtidi. Donte të arratisej nga Anglia, donte Interin dhe Italinë dhe klubi zikaltër e ndihmoi të realizonte ëndrrën e tij, gjë që Romelu nuk mund ta harrojë. Është tregues i mirënjohjes ndaj atyre që i dhanë drejtim momentit kyç të karrierës së tij, që në ishull po merrte të tatëpjetën.

Në një intervistë konfirmonte: “Ëndërroja gjithmonë ta vishja fanellën e Interit dhe në profesion kam bërë gjithmonë atë që kam dashur”. Në një pikë të aventurës së tij me Junajtidin, u largua për t’u stërvitur më Anderlehtin në Belgjikë, për t’iu treguar “Djajve” se mes tyre çdo gjë kishte përfunduar. Këtë vit u paraqit në “Apiano Xhentile” që në ditën e parë. Dallimi është i dukshëm…

OBJEKTIVAT – Motivim i dyfishtë, ta fitojë pa Konten Skudeton që do t’i japë Interit yllin e dytë në fanellë. Për lidhjen mes Kontes e Lukakut është thënë gjithçka dhe njihet nga të gjithë. Sfida e re e belgut do të jetë të shkojë përtej teknikut që e ringriti karrierën e tij dhe të tregojë se mund të bëjë mirë edhe nën urdhrat e një trajneri tjetër. Aventura me Simone Inzagin ka nisur me këmbën e duhur, pas telefonatave dhe takimit në Apiano, bisedat e tyre janë zhvilluar në 360 gradë, edhe për tema që nuk kanë të bëjnë me futbollin.

Në kokën e Lukakut është fiksuar fitimi i titullit të 20 që do t’u shtonte yllin në fanellë, objektiv ky që mes grupit të lojtarëve e kemi dëgjuar shumë herë që nga nisja e grumbullimit. Ideja për të arritur këtë trofe historik i ngacmon shumë zikaltrit dhe nga kjo nuk shpëton as Lukaku, që shijen e fundit të titullit në nivel kombëtar e kishte provuar me moshat e Anderlehtit. Duket se Skudeto e majit që la pas, i ka hapur oreksin gjigantit belg.

Related posts

LARGOHET RUDI GARCIA/ Al Nassr ofron 100 milionë euro për Mourinho, portugezi nuk kthen përgjigje

F.autor

ISHTE HEROI I PORTUGALISË/ Nga përralla e Euro 2016 tek aventura në Arabi: rasti i Eder

Delo.autor

Chiellini ‘besnik’ ndaj Juves, përgatit rinovimin në verë

Q.Autor

Leave a Comment