Futboll Kategoria Superiore Sport

MERKATO E VERËS/ Trajneri italian “konfirmohet” te Kukësi, tani pritet vetëm… zyrtarizimi

Diego Longo është thuajse një trajner i Kukësit, teksa pritet vetëm zyrtarizimi. Burimet e “Panorama Sport” e konfirmojnë një gjë të tillë, por gjithsesi edhe vetë aktorët pjesë e kësaj marrëveshjeje lënë të nënkuptohet se palët janë shumë pranë njëra-tjetrës.

Gazeta u përpoq të kontaktonte gjatë ditës së djeshme me teknikun Longo, të cilit i drejtoi një pyetje në lidhje me lajmin që italiani është shumë pranë pankinës së Kukësit. Në vend të trajnerit, u përgjigj dikush nga stafi i tij, i cili pohoi se për momentin tekniku nuk dëshiron të prononcohet për këtë çështje, por e njeh mirë skuadrën e Kukësit dhe Kategorinë Superiore, duke i konsideruar verilindorët si një skuadër ambicioze.

“Mund t’ju konfirmoj se ka pasur një takim mes trajnerit Diego Longo dhe drejtuesve të Kukësit. Mund t’ju them gjithashtu se ka ende disa gjëra për të verifikuar dhe për të sistemuar. Mister Longo punon gjithnjë me shumë entuziazëm, me pasion dhe me profesionalizëm, ndaj edhe kërkon që të jetë i sigurt se janë të gjitha kushtet për të luftuar për objektiva ambiciozë. A është arritur marrëveshja në parim? Siç jua thamë, ka ende disa gjëra për të sistemuar, gjëra që në fakt nuk janë dytësore, por të rëndësishme.

Për momentin, trajneri nuk ka asnjë deklaratë për të bërë në lidhje me këtë lajm. Ai sigurisht që ka shumë respekt për futbollin shqiptar dhe e di që Kukësi është një ekip jashtëzakonisht ambicioz dhe shumë i rëndësishëm në Kategorinë Superiore”, ishte përgjigjja e një pjesëtari të stafit të Longos. Fakti që nuk mohoi asgjë, por shprehu konsideratën për skuadrën e Kukësit, tregon se palët kanë mbyllur gjithçka.

PEJIÇ – Në lidhje me situatën e trajnerit, gazeta kontaktoi edhe me drejtorin sportiv të Kukësit, Pero Pejiç, i cili është personi kyç në këtë operacion dhe që ka kryer bisedimet me ndihmësin e Mirçea Luçeskut. Kroati dribloi paksa me përgjigjen e tij, por pranoi se me 99% çështja e trajnerit është e mbyllur, por pa komentuar më shumë nëse bëhet fjalë për Diego Longon. “Çështja e trajnerit është e vendosur me 99%. Këto ditë thjesht presim të firmosim kontratën dhe të mbyllim zyrtarisht marrëveshjen. Se cili do të jetë nuk mund t’jua them, pa u firmosur ende”, sqaroi Pejiç, i cili nga ana tjetër nuk mohoi se bëhet fjalë për Diego Longon.

Italiani ka një eksperiencë jo të vogël mbi supe, ku edhe pse si ndihmës, ka qenë në nivele të larta të trajningut europian. Mjafton të thuash se ka qenë ndihmës i Mirçea Luçeskut, një emër i madh i trajningut europian dhe atij botëror.

Related posts

Flasin faktet. Interi, klub i specializuar për të gabuar rëndë në merkato…

Q.Autor

MASAT KUNDËR COVID-19/ Rregulli i ri i zëvendësimeve, UEFA merr vendimin final

Delo.autor

PROBLEMET NUK KANË FUND/ Milan mbetet me dhjetë, Trajneri heq Piatek nga fusha (VIDEO+FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment