Futboll Seria A Sport

NGA KAMPIONËT TEK REVOLUCIONI/ Të gjithë ekipet në gjueti të Inter-it, ja si ndryshon Seria A në sezonin e ri…

Si do të luajnë ekipet e mëdha të Serisë A? Vështirë të thuhet në këto momente kur drejtuesi punojnë ende për të përforcuar skuadrat. Ide interesante, gjithsesi, ka sepse nëse një ekip ka ndryshuar trajner apo lojtarë, ka rivalë që nisin sezonin në emër të vazhdimësisë. Janë të paktën gjashtë skuadra në Serinë A që premtojnë betejë të fortë, e në fund përveç kampionit, do të gëzojnë edhe vlerësuesit e estetikës.

KAMPIONËT – Interi ka pësuar tronditjen më të madhe e më të papritur. Antonio Konte u largua duke mos e lënë situatën siç e gjeti. E sigurt është që ka lënë një skuadër fituese dhe zgjedhjet e Marotës janë të ngjashme me ato të kohës së Juves. Nuk mori Alegrin, por trajnerin që i ngjante më shumë (Simone Inzagin). Tek Interi nuk duan të përmbysin asgjë dhe dëshirojnë t’i nënshtrohen një strategjie më të butë. Skuadra do të ndjekë titullin me të njëjtin modul (3- 5-2), të cilin Inzagi e ka praktikuar në vitet e tij te Lacio ku fillimisht e nisi me 4-3-3. Pasimet e shpejta dhe vertikalizimet janë dogma e trajnerit, por mënyra me të cilën zikaltrit do të veprojnë mund të jetë disi e ndryshme, sepse futbolli i Kontes ishte i kodifikuar dhe i përbërë nga lëvizje të imponuara me britma nga pankina. Inzagi ndërkohë është nga ata trajnerë që i lënë më të lirë lojtarët në zgjedhjet e lojës. Kjo është një arsye më shumë që skuadra të vuajë mungesën e Eriksenit, i cili do të kishte qenë ideal për skemat inzagiane. Danezi mund të ishte Luis Alberto i Interit, por gjithsesi, në këto kushte, do t’i duhet më tepër trajnerit t’i përshtatet ekipit se sa anasjelltas. Kjo edhe për shkak të merkatos. Me të larguar Hakimin, zikaltrit po mundohen të sjellin Nandezin që krahun e mbulon mirë, por nuk ka cilësitë e marokenit. Ky është një shkak tjetër që tekniku 45-vjeçar mbështetet shumë te Dimarko. Teksa në sulm Lautaro e Lukaku garantojnë gola, në mesfushë do të ketë nevojë për modifikime. Për lojën e Inzagit, Barela duhet të bëjë Milinkoviçin, pa pasur fizikun e këtij të fundit. Sidoqoftë, problemet ekzistojnë, siç ekzistojnë edhe zgjidhjet.

KUSH NUK NDRYSHON – E dyta dhe e treta e kampionatit mund të kapen pas vazhdimësisë. Milani dhe Atalanta kanë trajnerë të njëjtë, por mbase qëllimet mund të kenë ndryshuar disi. Vitin e kaluar kuqezinjtë e komanduan për një kohë të gjatë kampionatin falë një loje shumë europiane, të shpejtë dhe me zhvendosje masive në fushën rivale. Shpenzimi energjik do të jetë në rend të ditës dhe me Champions-in nëpër këmbë do të jetë e vështirë që ritmi të jetë gjithmonë i lartë. Në këto kushte, humbja e Donarumës ndikon më pak në aspektin e manovrës së sa ajo e Çalhanoglusë. “Djallit” i duhet një fantazist që të zbresë shpesh në mesfushë, ndërkohë që Diazi ka më tepër qasje prej sulmuesi. Alternativa mund të ishte kalimi në skemën 4-3-3 me përfshirjen e Pobegës në formacion. Djaloshi ka cilësi të spikatura ofensive dhe me Zhirunë në fushë mund të kishte hapësira e nevojshme për rolin që mbulon. Atalanta nuk ndryshon asgjë. Mbase sepse është e vështirë që të përmirësohet. Gasperini nuk e ka pasur kurrë problemin e interpretuesve, aq sa ka skarcuar edhe dikë si Iliçiçi, që e ka mendjen vetëm te faza sulmuese. Agresiviteti, paraprirja e rivalit dhe sulmi nga krahët janë cilësi të vajosura mirë, ndaj nuk do të ishte çudi që bluzinjtë të provonin një skemë siç është 4- 2-3-1. Mbase kjo do të thotë një mbrojtës më pak e lojtarë krahu që nisen më nga prapa, por njëkohësisht do të vlente për të shtuar një forcë sulmuese në ekip. Në këtë sens, alternativat e Atalantës janë cilësore, siç e dëshmojnë Murieli, Malinovski, Zapata apo Mirançuku.

RESTAURIME – Te Juventusi janë lodhur me revolucionet. Pas përpjekjes me Sarrin dhe Pirlon, bardhezinjtë mendojnë për ndryshime të vogla. Masimiliano Alegri rikthehet në bazë dhe e vazhdon aty ku e la. Aktualisht i mungojnë Pjaniç, Kanselo dhe maratonomaku Matuidi, pa harruar edhe Manxukiçin e vërtetë. Në fakt, edhe Ronaldo është dy vjet më i moshuar dhe Dibala shfaq brishtësi fizike që nuk dukeshin dy sezone më parë, megjithatë trajneri mund të ngushëllohet me Kiezën e Kielinin kampion Europe, Moratën, De Ligtin dhe Mekenin. Juves aktuale i mungon Lokateli dhemund të rikthehet Pjaniçi, megjithatë 4-3-3 i Alegrit kërkon dy gjysmëmesfushorë që dinë të gërshetojnë të dyja fazat. Sivjet mund të mos shohim ndërtimin e lojës ashtu siç impononte Pirlo, megjithatë Konti Maks është nga ata që i ndërton skuadrat në varësi të materialit teknik, që te bardhezinjtë është cilësor.

REVOLUCION DHE VAZHDIMËSI – Ndryshimi më i fortë ka prekur Lacion. Që nga trajneri e deri te skema. Sarri kërkon 4-3-3 që do të thotë më shumë hapësirë për të mbuluar. Kur luanin me 3-5-2 e Inzagit, bardhekaltrit nuk kishin probleme pas shpinës, megjithatë tekniku i ri kërkon të replikojë në kryeqytet të gjitha gjërat e mira që pati treguar me Napolin. Duke qenë se e përmendëm, në krye të stolit jugor është vendosur Luçiano Spaleti, i cili i jep vazhdimësi 4-3-3-shit të Gazutos, aq më tepër me organikë të njëjtë. Dëmtimi i Demes i ka ndërlikuar disi planet, por kjo mund të sjellë spostimin e Zielinskit përpara mbrojtjes, pak a shumë siç bënin De Rosi te Roma apo Brozoviçi tek Interi, kur në pankinë ishte pikërisht Spaleti.

PASIONI MOU – Çfarë na mbetet të themi për Zhoze Murinjon. Trajneri më i madh portugez ka trashëguar ekipin e bashkëkombësit Fonseka, i cili u përpoq t’i përshtatej, pa shumë suksese, futbollit italian. Mbrojtja me tre e sezonit të kaluar dhe tranzicionet ishin përditshmëri për Fonsekën, i cili në fund u largua për t’i lënë vendin “Specialit”. Tekniku i ri verdhekuq do të luajë me 4-2-3-1, skema e tij tipike, me të cilën vuajti jo pak në kampionatin anglez me Totenhemin. Termat taktikë me dikë si Mou do të ishin humbje kohe, ndaj kampionati i tij përveç se në fushë, do të na argëtojë me sfida dialektike, inteligjencë dhe shumë pasion – karakteristikë të cilën në Romë e vlerësojnë veçanërisht. Në miqësoren e fundit, Roma e tij tregoi karakteristika interesante, por spektaklin e dhuroi trajneri që ftoi disa nga lojtarët që të “zgjoheshin”. Në fakt, organika që ka mund t’i dhurojë kënaqësi Murinjos, por sidomos ambientit ku suksesi mungon prej shumë kohësh.

Related posts

MERKATO E VERËS TEK INTER/ Marotta: Hakimi ikën te PSG brenda 24 orëve, nuk dua të shes më lojtarë

Delo.autor

PARALAJMËRIM PËR TOTTENHAM/ Inter nuk do të luajë për barazimin ndaj Tottenham

Isa.Autor

I PAPËRMBAJTSHËM/ Marquez “FLUTURON” në Austri, ndjekin dy pilotët e Ducati, Rossi i…

Isa.Autor

Leave a Comment