Futboll Sport

RËNIA E FLAMURTARIT NGA KATEGORIA/ Ish-mbrojtësi rrëfen dramën: Ribaj mendoi të tërhiqej

Ditmar Bicaj i fajëson të gjithë për rënien e Flamurtarit. Nuk e mendonte asnjëherë, ndaj ndihet i shokuar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, lezhjani thotë se për ringritjen duhet një formatim total dhe shpreson se kjo mund të ndodhë brenda tri viteve.

Ai nuk ngurron që të flasë edhe për Andi Ribajn, ndërsa na zbulon se kapiteni kishte menduar tërheqjen nga futbolli pas humbjes së penalltisë që rrëzoi kuqezinjtë. Qendërmbrojtësi konfirmon se klubi nuk i ka mbetur asnjë detyrim nga koha kur ka luajtur në Vlorë, ndërsa karrierën e tij e shikon mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Bicaj, e mendonit se Flamurtari do të binte në Kategorinë e Dytë?

Të jem i sinqertë, nuk e mendoja se Flamurtari do të binte në Kategorinë e Dytë. Kur e kam marrë vesh jam shokuar, pasi ky është fundi.

Si u ndiet, pasi ju keni luajtur në Vlorë?

Sigurisht që më vjen keq. Është një ekip që i ka dhuruar shumë futbollit shqiptar dhe kush është futbollist dhe sportdashës, ndihet keq kur shikon Flamurtarin e Vlorës në këto nivele.

Cilët janë fajtorët për këtë situatë?

Fajtorë janë të gjithë nga pak. Çdonjëri që është pjesë e Flamurtarit duhet të mbajë përgjegjësi për këtë shkatërrim që i bëri. Më ka ardhur keq për një gjë, që Bashkia e Vlorës, një aset kaq të madh siç është Flamurtari, të mos e ndihmojë. Nuk di si ta shpjegoj këtë.

Si mund të ringrihet Flamurtari?

Klubi mund të ringrihet. Duhet një riformatim total. Mund të themi që të njëjtën situatë kaloi edhe Dinamo, por edhe pse pas 9 vitesh vuajtje, u rikthye ne Superiore. Uroj që Flamurtari të kthehet brenda tri viteve në elitë.

Së fundmi i keni dhënë një këshillë Andi Ribajt në “Facebook”, ku ai shfaqte dilema për të ardhmen te Flamurtari. Çfarë nënkuptonte ai koment: “Për mua jo…”?

Andin e kam mik shtëpie. Kemi jetuar bashkë në një shtëpi në kohën kur luanim te Skënderbeu. Unë e njoh shumë mirë karakterin e tij. Kaloi një periudhë shumë të vështirë pas asaj penalltie të humbur në ndeshjen kundër Tërbunit. Andi ka menduar edhe tërheqjen nga futbolli, sepse e vuan shumë atë që Flamurtari po kalon. Unë sinqerisht i kam shprehur mbështetjen time, sepse është në një moshë që ka akoma çfarë t’i japë futbollit. Ka sakrifikuar dhe ka refuzuar ofertat nga Kategoria Superiore vetëm që të kontribuonte për kuqezinjtë. Edhe pse me probleme të mëdha që ka kaluar ekipi, ai përsëri shprehej: “Unë këtu do të qëndroj derisa ta rikthejmë në elitë”. Kjo tregon shumë për këtë lojtar… Flamurtari u ka detyrime shumë ish-futbollistëve.

Ju keni gjë për të marrë?

Jo, detyrime Flamurtari nuk më ka. Gjatë kohës që kam luajtur në Vlorë, Sinan Idrizi ka qenë shumë korrekt jo vetëm me mua, por me të gjithë ekipin. Personalisht flas për periudhën e sezonit që ka qenë profesor Shpëtim Duro. Kohë kur ecuria e ekipit deri në mars ka qenë jashtëzakonisht e mirë, në sezonin 2017-2018. Pastaj nuk di më shumë. Pas asaj aventure, unë kam lëvizur te Teuta.

Ku do ta vijoni karrierën në sezonin e ri?

Momentalisht po stërvitem në mënyrë individuale sepse vij pas një dëmtimi, që më la pa luajtur 6 muaj. Në Superiore ose në Kosovë do jem, mes këtyre dy pistave.

Related posts

DERBI ME TIRANËN/ Gega: Derbi ka specifikën e vet, por parësore janë objektivat

Isa.Autor

“KUR PËSOJMË KRYQËZIME VETËM UNË, ONANA…”/ Thirrja e kapitenit, Handanovic: Kundërshtarët të na frikësohen

Delo.autor

SKANDALI/ Bënin stërvitje pa leje, policia nxjerr nga stadiumi Tiranën (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment