Futboll Kategoria Superiore Sport

TETË GOLA NË 2 NDESHJE/ Sulmi i Partizanit është i frikshëm, më të mirët në Conference League

Partizani e ka armën më të fortë sulmin dhe këtë gjë e konfirmojnë statistikat ndeshje pas ndeshjeje. Edhe pse “demat e kuq” të Ilir Dajës pësojnë më shumë se sa trajneri do të dëshironte, sulmi i ka nxjerrë gjithmonë nga situata.

Plot 8 gola i shënoi Partizani skuadrës moldave të Sfintulit, duke kaluar me sukses turin e parë dhe duke avancuar në turin pasardhës, aty ku do të kenë përballë gjigantët zviceranë të Bazelit.

LIGA E KONFERENCËS

Me tetë golat e shënuar kundër Sfintulit në 180 minuta, Partizani ka sulmin më të mirë në Ligën e Konferencës pas turit të parë. Të kuqtë e Ilir Dajës renditen të parët dhe lënë pas plot 65 ekipet e tjera pjesëmarrëse në këtë kompeticion të ri të UEFA-s. Në tetë golat e shënuar, protagonist absolut ka qenë Stenio Zhunior, me bomberin brazilian që ka shënuar 4 gola dhe ka dhuruar tri asiste.

Cara ka shënuar dy gola, po aq sa Lukas Kardozo. Të gjitha rrjetat e realizuara kanë ardhur nga sulmuesit. Partizani lë pas ekipin e Dinamo Batumit, me 7 gola, si dhe sllovakët e Zilinas, me 6 gola. Vllaznia renditet e 11-ta, me 4 gola të shënuar, ndërsa ekipi i Laçit i 18-ti, me 3 rrjeta të realizuara.

FRONI NË SUPERIORE

Forca e Partizanit në sulm, nuk është rastësi. Edhe gjatë edicionit të shkuar futbollistik, “demat” kishin ofensivën më të mirë në Superiore, ku në 36 ndeshje, tundën rrjetën plot 53 herë. Golashënuesi më i mirë i ekipit ishte Jasir Asani, me 9 gola të realizuar.

Sulmuesi që tashmë është transferuar në Hungari te Kisvarda, ndiqej nga Çinari me 8 gola, që po ashtu është transferuar larg Shqipërisë. Stenio Zhunior me 6 gola, si dhe Tedi Cara e Lukas Kardozo me nga 5 gola në Superiore sezonin e shkuar, janë treshja e sulmit aktuale e Partizanit. Pritet që Partizani të bëjë dhe ndonjë përforcim në sulm, por për momentin, të tre lojtarët e ofensivës po bëjnë detyrën e tyre, duke realizuar në çdo ndeshje dhe duke qenë problem për kundërshtarët.

Related posts

OPERACIONI “FSHESA”/ Kukësi hap derën për largimet, i piketuar edhe heroi i ndeshjes ndaj Vllaznisë

Delo.autor

PO SHKËLQEN NË KAMPIONATIN TURK/ Sokol Cikalleshi vulos fitoren e Akhisarspor

Delo.autor

MERR FUND AVENTURA E GREZDËS TEK RANGERS/ Ja skuadra e re e sulmuesit shqiptar

Delo.autor

Leave a Comment