Futboll Kategoria Superiore Sport

ZBULOHET PRAPASKENA/ Kukësi kërkon me çdo kusht një mesfushor spanjoll. Gati goditja

Deri më tani të gjithë lojtarët e afruar në merkato te Kukësi janë bërë pa u zyrtarizuar trajneri i ri dhe mund të thuhet se tekniku nuk ka afruar asnjë futbollist që paraprakisht ta ketë sugjeruar vetë. Mirëpo tani ka ardhur momenti që edhe një dëshirë e Diego Longos të realizohet, edhe pse mbetet për t’u parë nëse klubi do të arrijë të bindë nga ana financiare futbollistin që kërkon italiani.

Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë kampit verilindor konfirmojnë se dëshira e teknikut është një mesfushor spanjoll që ka luajtur në nivele të larta në Spanjë dhe që mund t’i bëjë shumë punë ekipit të tij. Bëhet fjalë për një mesfushor me eksperiencë, por që për momentin në klub janë të rezervuar sa i përket emrit të lojtarit për të cilin bëhet fjalë. Faktikisht verilindorët janë vënë në kërkim të tri lojtarëve për ta konsideruar si të kompletuar ekipin: përnjë mbrojtës, një mesfushor dhe sulmues. Ndonëse deri tani kanë bërë shumë afrime, ende në klub nuk e konsiderojnë si të kompletuar grupin për të konkurruar, ndaj nuk e konsiderojnë ende të mbyllur merkaton.

Gjatë këtyre ditëve, gazeta ka arritur të mësojë edhe emrat e lojtarëve që pëlqehen, siç është rasti i sulmuesit Balanuk dhe mbrojtësit Ignjatoviç. Për të parin mbetet problem rroga e lartë që kërkon, afërsisht 10 mijë euro në muaj dhe gjasat më të mëdha janë që marrëveshja të mos arrihet, vetëm në rast se sulmuesi tërhiqet dhe pranon me një rrogë më të ulët. Sa i përket Ignjatoviçit, kalimi i turit në Europë për Laçin vijon t’i komplikojë akoma më shumë mundësitë për t’u afruar në Kukës.

PËRGATITJET – Sakaq, skuadra është duke vijuar normalisht edhe me përgatitjet që po kryhen me nga dy seanca në ditë, për t’u mundësuar lojtarëve të kapin formën e duhur fizike. Njëkohësisht, duke qëndruar sa më shumë kohë me ta, Longo ka mundësinë t’i njohë më mirë futbollistët, por edhe ata me njëritjetrin, pasi shumë prej tyre nuk kanë luajtur më parë bashkë. Grupi i futbollistëve ka qenë i plotë dhe për momentin nuk raportohet për lojtarë të dëmtuar dhe me probleme. Sakaq, javën e dytë të gushtit skuadra ka programuar që të udhëtojë drejt Sllovenisë për të vijuar fazën përgatitore, ku edhe do të qëndrojë afërsisht dy javë. Aty kanë programuar edhe disa takime miqësore, që do t’i vlejnë teknikut për të parë më nga afër formën e lojtarëve dhe progresin e bërë. Ditët para nisjes se kampionatit do të jenë në Shqipëri për të mbyllur përfundimisht edhe fazën përgatitore.

Related posts

MILAN-VERONA/ Pioli hedh “artilierinë e rëndë” në fushë (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

I FIKSUAR PAS RONALDOS/ Uzuni: Edhe mbathjet i kam të CR7, ja kur ndryshoi jeta ime

Delo.autor

(FOTO) Çudira shqiptare, në Kategorisë e Parë fusha në stadiumin vijëzohet me tallash

Sadik.Autor

Leave a Comment