Futboll Ligue 1 Sport

KRONOLOGJIA/ Nga oferta e fundit e Barcelonës tek akordi me PSG-në, 24 orët e “çmendura” të Messit

Ishte një ditë-natë pa pushim. Në shtëpinë e Lionel Mesit pati telefonata të shumta, pastaj shumë diskutime dhe biseda mes tij dhe Luis Suarezit. Gjatë natës u raportua për një pendesë nga ana e Barcelonës dhe një ofertë për ta bindur të qëndronte, por në fakt kjo u mohua. Si përfundim, lojtari u transferua në Paris mes shumë peripecive.

01:39/ OFERTË – “La Porteria” publikoi lajmin e bujshëm pas mesnate se Barcelona kishte bërë një tjetër ofertë në drejtim të Lionel Mesit, në mënyrë që ky i fundit të ndryshonte mendje dhe të vazhdonte të qëndronte në Katalonjë. Sipas lajmit, blaugranët nuk i kishin humbur shpresat, duke qenë se ende Leo dhe PSG-ja nuk po gjenin dot marrëveshjen.

05:08/ AKORDI – Nga Argjentina u publikua lajmi se PSG-ja dhe Lionel Mesi kishin arritur akordin total dhe lojtari do të udhëtonte ditën e djeshme drejt Parisit për të firmosur kontratën. Lajmin e bëri të ditur gazeta “Ole”.

08:23/ QETËSI – Gazeta franceze “L’Equipe” shkroi se dita e martë ishte shumë e rëndësishme për të gjetur akordin mes Mesit dhe PSG-së. Sipas informacionit të gazetës, një avion privat i lojtarit fluturoi në mbrëmje drejt Ibizës për të takuar disa nga drejtuesit e skuadrës franceze. As lojtari dhe as babai nuk ishin në bord.

08:43/ E VËRTETA – Lajmi i publikuar nga “La Porteria” u mohua menjëherë nga burime afër futbollistit. Ato thanë se nuk ka pasur asnjë bisedim me Barcelonën që prej konferencës së lamtumirës.

09:38/ ÇMENDURIA – Tifozët e PSG-së ishin duke pritur me ankth lajmin zyrtar për transferimin e Lionel Mesit. Qindra fansa qëndruan në aeroport duke pritur argjentinasin, edhe pse ai nuk udhëtoi. Në rrugët e Parisit kishte shumë tifozë që në mëngjes.

09:56/ MOHIMI – Edhe Barcelona e mohoi lajmin që kishte bërë një ofertë në mesnatë për të bindur Lionel Mesin që të qëndronte.

10:14/ ME QETËSI – Sipas gazetës “L’Equipe” Mesi dhe PSG-ja ende nuk kanë një marrëveshje. Bisedimet vazhdojnë që nga mesnata. Klani i futbollistit ka marrë gjithçka me qetësi dhe nuk ka ndërmend të nxitojë. Ndërkohë, PSG-ja dëshiron ta zyrtarizojë sa më shpejt.

10:55/ KA BESIM – Sipas gazetarit Fabricio Romano, klubi francez është i qetë dhe ka besim. “Durim. PSG-ja është e bindur dhe optimiste për të transferuar Lionel Mesin. Ai do të udhëtojë drejt Parisit sapo të mbyllen të gjitha detajet. Është një kontratë e rëndësishme”, tha ai.

11:10/ STRATEGJIA – Gazeta spanjolle “MARCA” raportoi se Mesi dhe të tijtë kishin vendosur që nuk do të niseshin pa mbyllur të gjithë marrëveshjen. Vazhdonin kontaktet mes avokatit të tij dhe klubit francez.

11:53/ MARRËVESHJA – Dy gazetat franceze, “L’Equipe” dhe “Le Parisien” siguruan se Mesi dhe PSG-ja kanë arritur marrëveshjen dhe se lojtari do të nisej drejt Parisit.

12:10/ DETAJET – Pak minuta më vonë dolën edhe detajet e kontratës së Lionel Mesit me PSG-në. Ka firmosur për 2 vite me opsionin për një të tretë me rrogë bazë 35 milionë euro. Ai gjithashtu do të marrë edhe premio vetëm për firmën mbi kontratë.

12:33/ PSG STËRVITET – Në pritje të zyrtarizimit të Lionel Mesit, skuadra e PSG-së po stërvitej dhe në rrjetet sociale u publikuan foto të Nejmarit dhe Mbapesë.

13:00/ DEBUTIMI – Sipas “Le Parisien” Mesi do të jetë në stadiumin e PSG-së që të shtunën në ndeshjen kundër Strasburgut, por debutimi i tij në Ligue 1 mund të jetë në 29 gusht, në ndeshjen kundër Reims.

13:10/ PËRGATITJET – Stadiumi “Le Parc des Princes” po bëhej gati për të pritur Lionel Mesin. Në hyrjet e tij shkruhej “Mirë se vjen”.

13:26/ DEL NGA SHTËPIA – Sulmuesi argjentinas u largua nga shtëpia e tij, ku ka kaluar gjithë natën në shoqërinë e Luis Suarezit. Ky i fundit u largua më parë, pastaj 7 makina u nisën drejt aeroportit të Barcelonës. Shumë tifozë e prisnin për t’u përshëndetur.

13:36/ EDHE BABAI – Horge Mesi gjithashtu udhëtoi drejt Parisit. Ai ishte elementi kryesor i bisedimeve me PSGnë.

13:39/ “GRANDE LEO”- Shumë tifozë prisnin argjentinasin në hyrje të aeroportit të Barcelonës për ta përshëndetur. Ai ishte i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij. “Grande Leo” ishin të bërtiturat që dëgjoheshin.

14:02/ HIQEN FOTOT – Menjëherë sapo u mësua fakti që Mesi ka arritur marrëveshjen me PSG-në për dy vitet e ardhshme me opsionin për ta rinovuar sërish, Barcelona nisi që të largonte fotot dhe banderolat e tij që ishin të vendosura në “Camp Nou”.

14:40/ PRITJE – Leo Mesi duhet të arrinte në “Le Bourget” rreth orës 15:10 dhe ata që e presin janë të shumtë.

14:51/ AVIONI – Lionel Mesi është gjithmonë e më shumë afër Parisit. Avioni i tij privat është futur në territorin francez.

15:25/ NEJMAR – Nejmar ka publikuar në “Instagram” disa video ku shfaqet me Leo Mesin dhe shkruan se do të luajnë sërish bashkë.

15:30/ ULET AVIONI – Avioni që transportoi Leo Mesin nga Barcelona në Paris është ulur. Ai ishte në të bashkë me Antonelën, tre djemtë Tiago, Mateo dhe Çiro dhe Pepe Kostën, asistentin personal të Leos. Gjithashtu, ishte prezent edhe babai.

15:40/ NJË DIAMANT – PSG-ja ka nisur të publikojë disa video në rrjetet sociale, por pa cituar Lionel Mesin. Kulla Eifel, gjashtë “Topat e Artë”, treshja me Nejmarin dhe Mbapenë. Thonë se një diamant i ri po vjen.

15:50/ PËRSHËNDETJA – Lionel Mesi ka përshëndetur tifozët e shumtë që e prisnin në aeroport. Leo kishte veshur një fanellë të bardhë me mbishkrimin “Ici est Paris” (Këtu është Parisi).

16:30/ KONFERENCA – PSG-ja bën me dije se konferenca e prezantimit të Lionel Mesit do të jetë ditën e sotme në orën 11:00 në stadium.

17:20/ VIZITAT – Lionel Mesi kaloi vizitat mjekësore në Paris. Të gjithë po prisnin me padurim momentin e zyrtarizimit të marrëveshjes.

17:45/ HOTELI – Lionel Mesi do të jetojë në një hotel luksi pranë Kullës Eifel. Më vonë mund të vendosë që të blejë një vilë ose apartament për 2 vitet në Paris.

19:00/ TESTET- Lionel Mesi ka kaluar me sukses testet mjekësore me ekipin e PSG-së.

20:00/ STADIUM- Argjentinasi mbërriti në stadium për të bërë fotot me fanellën e re të skuadrës franceze.

20:15/ NË HOTEL- Pasi shkoi në stadium, iu bashkua familjes së tij pak minuta më vonë.

Related posts

MISTERET E TRAGJEDISË AJRORE/ 7 muaj nga aksidenti i futbollistit Emiliano Sala

Delo.autor

TRI BLERJE TË REJA PËR Conten/ Ja si ndryshon formacioni i Inter në garën për titull (FOTO)

Delo.autor

(VIDEO) Manchester City kalon në avantazh ndaj Tottenham, ja autori i golit

Q.Autor

Leave a Comment