Futboll Kategoria Superiore Sport

NGA ZËRI TE DURO/ “Xhuxhët” e futbollit që u bënë gjigantë për shqiptarët

Futbolli ka treguar se nuk është çështje centimetrash, por demonstrim i një klasi të lartë që në shumë raste ka “mbuluar” lartësinë trupore. Jo më shumë se 1.70 m, këmbë të vogla numër 37, 38, 39, robustë por edhe jo, me qendër graviteti të ulët, ruajnë ekuilibrin, të shpejtë, peshë e lehtë edhe jo, zotërues të një teknike të lartë, të shpejtë, driblues, karakteristika këto që janë pjesë e arsenalit të tyre.

Futbollistë me parametra të tillë nuk kanë qenë të paktë, madje titullarë e protagonistë edhe me klube të njohura e deri në Kombëtare. Shpesh të pazëvendësueshëm. Por shumë prej tyre vetëm nga shtatlartësia e kanë ndërprerë herët karrierën, si të papëlqyer. Në botën futbollistike janë të shumtë dhe mjaft të njohur lojtarët shtatshkurtër, si gjermani Uve Zeler, anglezi N. Stajll, Zhires, Maradona, Mesi, Insinje, Verrati apo J. Alba (Barcelona) etj.

Fatmir Frashëri (Tirana) dhe Agim Janku (Partizani)

Po në futbollin shqiptar, cilët janë lojtarët shtatshkurtër, apo “gjigandët e vegjël” që kanë bërë histori? Nuk kanë munguar, madje duke qenë tipikë absolutë me klubet e tyre, në ekipet Shpresa e deri në Kombëtare. Nga R. Spahiu, G. Merja, Th. Duro, A. Janku, N. Mërhori, N. Xhaçka, M. Hima, S. Braho, V. Zëri, L. Seiti, P. Kovaçi, F. Rama, L. Gjondeda deri te Toska i Korabit, janë disa nga përfaqësuesit klasikë, që në një përzgjedhje-kujtesë “Panorama Sport” ua ofron lexuesve të saj.

Falë talentit, mjaftonte një veprim spektakolar, një driblim, një asist, një gol i tyre për të entuziazmuar një stadium, e një tifozëri. Të paparashikueshëm për kundërshtarët, mbrojtje, taktika, të paimitueshëm, të pazëvendësueshëm, vendimtarë e titullarë deri në skuadra me lojtarë klasi e kalibri në kohëra, epoka të ndryshme.

Të pëlqyer apo jo nga trajnerë, por të padiskutueshëm në formacion, idhuj për qytetin, shumë të dashur, të respektuar e popullorë. E që kanë shkruar një pjesë të rëndësishme të historisë për klubet.

Rexhep Spahiu (Partizani) – Protagonist absolut i futbollit kombëtar, me Partizanin e përfaqësuesen në vitet pas lufte dhe ato më pas. Kampion Ballkani më 1946-ën, jo më shumë se 1.67, titullar, mesfushor, shpirti i skuadrës. Më pas trajner i njohur dhe me kontribut të madh për klubin Partizani, një legjendë. Prej vitesh i ndarë nga jeta.

Gani Merja (Partizani) – Mesfushori robust i Partizanit të fundviteve ‘50, kampion, titullar i skuadrës, protagonist me ngjyrat e këtij klubi. I fortë, me një fizik të admirueshëm, falë trupit shtatshkurtër, jo më shumë se 1.68 m, i tillë kujtohet edhe sot. I palodhur, “kacafytja” – kështu e kanë thirrur lojtarë e tifozë në fushë e jashtë saj. Ka vite që nuk jeton.

Thoma Duro (Dinamo) – Jo më i gjatë se 1.63 m, shtatshkurtër klasik, sulmues i krahut të majtë, por i kudondodhur. Titullar me Dinamon legjendare të viteve ’60, në krah të Jarecit, Bushatit, Lubonjës. I pandalshëm, problem për mbrojtësit kundërshtarë, si një motor “Vespa” kështu e kanë cilësuar, kur me “mashtrimet” e tij habiti kinezët dhe zviceranët në Zyrih. Pak takime me Kombëtaren, si ajo në Zvicër e Belfast dhe pak gola në karrierë.

Niko Xhaçka (17 Nëntori) – I shpejtë, sulmues i djathtë në vitet e shkëlqimit të 17 Nëntorit të famshëm, ‘65-‘70. Lojtar i krahut të djathtë të sulmit nëntoras, i shpejtë, orientues për mbrojtjet duke i dhënë vrull lojës së ekipit në krah, por edhe shënues. Kur ulte kokën Niko, niste vrapin, vështirë ta ndaloje. I diplomuar, për shumë vite ka qenë mësues gjeografie. Jo më shumë se 1.65 m. Lojtar i Kombëtares.

Bahri Ishka (17 Nëntori) – Sulmues i krahut të majtë, 168 cm, shumë i shpejtë, manovrues. Edhe ky lojtar i Kombëtares dhe i 17 Nëntorit të famshëm të viteve ‘60-‘70. Shënues, driblues, vendimtar në mjaft takime të kohës me bardheblutë. Ishka-Hyka-Xhaçka, ky ka qenë sulmi i skuadrës në vitet e arta. Më pas trajner, pedagog. Nuk jeton prej vitesh. Të dy kampionë me 17 Nëntorin e atyre viteve.

Agim Janku (Partizani) – Një tjetër lojtar i kategorisë së “gjigandëve të vegjël”. Një jetë me një fanellë, inxhinier në profesion, talent i shkollës partizanase, ndonëse jo shumë i pëlqyer nga trajneri Boriçi, por i detyruar ta aktivizonte titullar. I papërmbajtshëm në krahun e majtë, i shpejtë, i shkathët, inteligjent, driblues dhe shënues. Protagonist në derbi në duelet me Frashërin e 17 Nëntorit. Futbollist i Shpresës, u nda me futbollin pas një dëmtimi të rëndë në gju më 1978- ën. Jo më i gjatë se 1.66 m.

Çesk Ndoja (Vllaznia) – Mesfushor, titullar i ekipit kampion dhe fituese i kupës në fillimvitet ‘70. I dalluar edhe në dy vitet e luajtura me Luftëtarin. Shtatshkurtër, 1.69 m, robust, pozicional, qarkullues i topit në kombinimet me Bizin, Zhegën, Hoxhën, Pukën. Prej vitesh jeton në Gjermani.

Nimet Merhori (Besa) – Jo më shumë se 1.65 m, lojtar autentik i futbollit me traditë kavajas. I shpejtë, driblues edhe shënues. Ndër golat e realizuar në karrierë dy i ka më shumë se historikë: në Danimarkë ndaj Framadit 1-1 ishte ai që i dha Besës kualifikimin e madh në turin e parë të Kupës së Kupave (1972-1973) dhe tjetrin në Skoci ndaj Hibernians.

Nevruz Duçka (Labinoti) – Fitues i Kupës së Shqipërisë me Labinotin e Elbasanit në sezonin 1973-1974, në krah të legjendave M. Gjika, Jorgaqi e Rudi. I zbuluar nga mjeshtri Sh. Lamçe, me tipare mesfushori, por i vendosur pas sulmuesve, i shquar edhe me nuhatje goleadori, një ndër shënuesit e dalluarit të asaj periudhe dhe të historisë së klubit elbasanas. “Nokja”, 1.67 m i fortë si një “trung”, kështu e kanë vlerësuar bashkëkohësit, i dashur nga sportdashësit, fjalëpakë e punëshumë. Së bashku me Dalipin, edhe ky i asaj stature fizike, kanë qenë mesfusha e Labinotit. Ka disa vite që nuk jeton.

Sefedin Braho (Partizani, Luftëtari) – “Shigjeta e Jugut”, produkt gjirokastrit, një karrierë midis Luftëtarit e Partizani. Shtatshkurtër, as 1.69 m, filloi karrierën pa mbushur 17 vjeç, është më i vogli midis veteranëve të Luftëtarit. Lojtar krahu, me sprinte të rralla, shpejtësi e driblim me topin në lëvizje, cilësi që e karakterizonin individualitetin e tij. I frikshëm për kundërshtarët, një i “madh midis të vegjëlve” i tillë ka qenë. Protagonist absolut i Luftëtarit të viteve ‘75-‘80 të Hito Hitajt, në sulm me Seitin e Kallucin. I përhershëm në Kombëtare dhe si përforcim nga “Partizani”, në takimet ndërkombëtare.

Tores Çiraku (Partizani, Dinamo) – Jo i shpejtë, jo i pëlqyer nga Boriçi për shtatlartësinë, jo më shumë se 1.68 m, në vitet ‘70 kalon te Dinamo. Inteligjencë taktike, me Dinamon e mrekullive. Blutë ia besonin atij lojën, që e merrte topin nga mbrojtja në sulm, një kursor i palodhur në krahun e djathtë, kalkulues, furnizues dhe asistman. Një kampion edhe për korrektesën.

Vasillaq Zëri (Shkëndia, Dinamo) – Magjistar si një brazilian ka qenë. Futbollisti më virtuoz që ka prodhuar futbolli shqiptar. I zbuluar te Shkëndija, ndonëse trajneri Konçi nuk e pranoi të konkurronte për nga shtati shumë i shkurtër, 1.67 m. Teknikë e lartë natyrale, aftësi individuale dribluese, manovruese në hapësira të vogla, shënues, një mesfushor me shumë fantazi. Një karrierë brilante dhe me Përnaskën e Ballgjinin krijuan një treshe spektakolare te Dinamo e viteve ’70-‘80. Një kolos i plejadës së lojtarëve shtatshkurtër, lojtar me Kombëtaren. U nda nga jeta në moshë të re.

Luan Seiti (Luftëtari) – Jo më shumë se 1.64 m, eksploziv, i fortë, nuhatës, shënues, i dyti në renditje me 17 gola pas Kovaçit në sezonin 1979-1980. I paharruar në Durrës në fitoren 4-0 të Luftëtarit, që bëri xhiron televizive të kohës, kur topi ngeci në rrjetë dhe askush nuk e nxirrte prej saj. Nga futbolli ka kujtim jo vetëm golat, por edhe ligamentet e dëmtuara, ndërhyrje kirurgjikale. 24 ditë qëndroi në spitalin e Korçës nga një goditje e rëndë që mori në kokë. I veçantë edhe për zemrën që e ka në krahun e djathtë.

Fred Filiali (Lokomotiva) – Shtatshkurtër, 1.69 m, i talentuar, që e përdorte topin si një Overat. Klasik mesfushor, me shikim periferik, ia njihte lojën, pozicionet lojtarëve, shpërndarës i topave për shokët. Përdorues i të dyja këmbëve, jo i shpejtë, por me manovrime të sakta. Kur niste sulmi durrsak, ai do të kalonte nga këmbët e tij. I fortë, pa fjalë, asnjëherë problem. Hima-Filiali ishin dyshja durrsake e viteve ‘75-’85.

Mir Hima (Lokomotiva) – Sulmues i njohur, jo më shumë se 1.68 m, robust, i fortë, i shpejtë në krahun e majtë, problematik për mbrojtjet dhe asistentët, pasi luante në vijë “off side”. I pandalshëm kur vërshonte, nuk binte lehtë në tokë, tërhiqte një skuadër, sidomos në takimet në udhëtim, po kështu edhe në Durrës, kur çdo gol, driblim apo ndërhyrje e rëndë ndaj tij bënte të reagonte një tifozëri.

Latif Gjondeda (Flamurtari) – Mesfushor i talentuar, jo më shumë se 1.65 m i gjatë, me mushkëri elefanti. Një karrierë e gjitha flamurtarase, protagonist i asaj skuadre spektakolare, titullar në sfidat e paharruara të kohës, ndaj Zvezdës, Barcelonës edhe në betejat historike kundër 17 Nëntorit në vitet ‘80- ‘90. Nuk ndalonte asnjëherë, i palodhur si një makinë vrapuese, i shpejtë, me shikim të admirueshëm periferik, i vendosur majtas, por edhe i kudondodhur. Nga këmbët e tij harkoheshin topat në zonë për Rucin, Kushtën, Bubeqin.

Përparim Kovaçi (Tomorri) – Jo më shumë se 1.67 m, golashënuesi i shquar jo vetëm i Tomorit, por një ndër ata që kanë shkruar historinë e goleadorëve shqiptarë. I fortë, nuhatës, produkt i shkollës beratase të trajnerit Mukli. I rrezikshëm, lojtar zone, u ka shënuar të gjithëve. Protagonist absolut në sfida të rëndësishme të periudhës 1980-1990, goleador në renditje, një idhull i vërtetë për tifozërinë vendëse me gola spektakolarë të realizuar prej tij.

Kiçi Mile (Shkëndija, Tomori) – Mesfushor, organizator i palodhur, edhe ky si Kovaçi i grupit të lojtarëve shtatshkurtër. Simbol i Tomorit 1980-1990, njeriu-skuadër, për nga shpirti, egoja që demonstronte në fushë. Produkt i Shkëndijës. Më pas një karrierë e luajtur deri në mbyllje me Tomorin e Muklit, vëllezërve Kokalari, Arbëri, asaj skuadre të mrekullueshme ku ai shkëlqeu me fantazinë e talentin e tij.

Fehmi Rama (Besëlidhja) – Një tjetër i traditës “të vegjël, por të mëdhenj”, jo më shumës e 1.62 m. “Furtja” kështu e njohin madje dhe sot, talent i shkollës lezhjane, protagonist absolut i Besëlidhjes së viteve ‘80. Mesfushor-sulmues, i fortë fizikisht, robust, driblues dhe goditës i hidhur, shumë i rrezikshëm. Kur e fuste topin në këmbë vështirë t’ia merrje. Më shumë se një talent. Simbol i skuadrës, idhull i qytetit, tifozërisë, prej shumë vitesh jeton në Maltë.

Agim Prifti (Naftëtari) – Një e majtë e shkëlqyer, lojtar i talentuar i mesfushës, jo më shumë se 1.70 m. Distributor i lojës, manovrave të kuçovarëve, asistman, organizator, me gjuhën e së majtës së tij “fliste”, komunikonte, vështirë të harrohet. Veçanërisht në Tiranë, i habiste të gjithë me bukurinë e lojës së tij.

Llambi Jorgji (17 Nëntori, Kombinatit Tekstileve “Stalin”) – I paharruar edhe ky lojtar, shtatshkurtër, por i jashtëzakonshëm në mesfushë. I palodhur, zemra e skuadrës, një karrierë e luajtur me Kombinatin e surprizave të viteve ‘70, veçanërisht në Kategorinë e Parë. I larguar nga klubet e njohura si lojtar i shkurtër. Si një Zhires, jo më shumë se 1.65 m.

Brikeno Bizi (Vllaznia) – Jo më shumë se 1.66 m, mesfushor, djali i kolosit Sabah Bizi. Një klub, një mbiemër, një familje. Por me diferencë babë e bir edhe në shtatlartësi. I talentuar edhe Brikeno, lojtari i Vllaznisë për shumë vite, i palodhur, para-mbrapa, një trashëgues modest i mbiemrit të madh.

Shpëtim Toska (Korabi) – Edhe ky në librin e “gjigantëve të vegjël”. Një memorial meriton për kontributin që ka dhënë te Korabi i viteve ‘80. “Toska-gol!”. Një legjendë e vërtetë për klubin qytetin, tifozërinë. Golashënues i pandalur në vite, lider skuadre, protagonist absolut i kësaj kategorie të vështirë për nga kushtet, agresiviteti, rivaliteti i ashpër. Nuk ka qenë më shumë se 1.63 m, por zonal, nuhatës, gola spektakolarë, mjeshtër në goditjet standarde me të majtën e tij ndëshkuese. Nëse do të ishin të regjistruara golat e tij, do të kishim një shifër tronditëse. E nisi dhe e mbylli karrierën vetëm në Kategorinë e Dytë.

ATA QË KANË LËNË GJURMË DEMNERI, BARE, S. BULKU, LISTA ËSHTË VËRTET SHUMË E… GJATË

Xhavit Demneri (Partizani, 17 Nëntori) – Mesfushor, 1.69 m, emër i madh për vitet para, pas lufte, kampion me Kombëtaren e ‘46-tës, më pas trajner i suksesshëm, zbulues talentesh nga më të spikaturit. S. Seferaj (Flamurtari, Partizani) – Edhe ky, jo më shumë se 1.61 m, sulmues jo karrierë e gjatë, por interesante. Protagonist i skuadrës ushtarake në krah të Panos, titullar dhe kampion me Partizanin në finalen e dyfishtë më 1961, ndaj Dinamos. Autor i disa librave historikë për sportin etj.

A. Zaho, N. Hodo, N. Matrapazi – beratasit lojtarë të Tomorrit, Partizanit e Kombëtares. Shtatshkurtër, por protagonistë në periudha të ndryshme.

F. Llambi (17 Nëntori) – Sulmues i majtë, robust, i shpejtë, goditës. Në sinkron të plotë me skuadrën në periudhën e mesviteve ‘70-‘80 në sulmin bardheblu me Gëzdarin e Dibrën. M. Fagu (Shkëndija, Partizani) – Sulmues i majtë, i rrezikshëm, improvizues, i shpejtë, me një teknikë të lartë. Tipik lojtar alla, shkëlqeu në dekadën 1972- 1980.

Fierakët Bare e Kokuri (Apolonia) – formacioni i paharruar e Majacit;

B. Sulejmani (Naftëtari) – një tjetër shtatshkurtër simbol i një skuadre, i një qyteti, kapiten i Naftëtarit të viteve ’75, që punonte si një motor. Prej vitesh është ndarë nga jeta. Sulovari i Labinotit, Savën (Partizani-31 Korriku)Nezha i Shkumbinit, pa harruar mbrojtësin durrsak N. Jani, shkodranët, mbrojtësin e fuqishëm H. Lekaj, Allën L. Koçobashi; korçarët Kotomelo, Avramushi. Lushnjarët R. Baballëku (Kastrioti-Traktori), mesfushor, robust, i kudondodhur, goleadori Pepo, B. Elezi; dinamovitët Zhupa e Bakalli; kavajasit Duro, Sk. Çurri; tiranasit S. Bulku e A. Daja; mesfushorët e Kombëtares A. Lala, E. Skela, Bare junior – të gjithë përfaqësues të familjes futbollistike të lojtarëve “shtatshkurtër, por gjigantë”.

Related posts

LeBron përbindësh, Cleveland “fluturon” falë 44 pikëve të “mbretit”

Sadik.Autor

NGA PEPE TEK FAMILJA MALDINI/ Ja dinastitë unike në futbollin botëror

Delo.autor

“KUQEZINJTË” JANË TË PAPARASHIKUESHËM”/ Zaccheroni: Ja si e ka ndryshuar Pioli Milan-in këtë vit

Delo.autor

Leave a Comment