Futboll Kategoria Superiore Sport

VETËM 18-VJEÇ DHE KA SHËNUAR MBI 50 GOLA/ Talenti Dragaj: Dua të ruaj traditën e shkodranëve tek Partizani

Dy ditë më parë Partizanit iu bashkua sulmuesi i talentuar Klevis Dragaj. Shkodrani ka qenë pjesë e Shkëndijës së Tiranës dhe në 76 ndeshje ka shënuar 52 gola.

18-vjeçari u zyrtarizua si afrimi më i fundit i të kuqve dhe “Panorama Sport” ka intervistuar djaloshin e talentuar, i cili tha se ka ardhur me një objektiv të qartë te Partizani: Të ruajë traditën e futbollistëve shkodranë, që kanë bërë paraqitje shumë të mira me fanellën e “demave”.

Klevis, urime për transferimin te Partizani. Si ndiheni?

Jam te klubi më i madh në Shqipëri, me tifozët më të mirë dhe ndihem shumë mirë. Shokët e ekipit më kane pritur shumë mirë dhe deri tani, është fillim i mbarë.

Çfarë mund të na thoni më shumë për këtë transferim, kur e kuptuat që Partizani ju do, kur kishit kontaktin e parë?

Transferimi ndodhi në mënyrë të menjëhershme. Kisha oferta si brenda, ashtu dhe jashtë vendit, por drejtuesit dhe projekti i Partizanit më bindi. Nuk mund t’i thuash jo një ekipi kaq të madh sa Partizani.

Jeni vetëm 18 vjeç, por keni shënuar më shumë se 50 gola deri më tani. Është kjo pika juaj më e fortë, shënimi i golave?

Unë luaj si sulmues pykë dhe shënimi i golave është detyra ime, por është edhe gjeja që di të bëj më mirë. Marrëdhënien me portën e kam cilësinë më të mirë dhe shpresoj që ta shfaq këtë edhe këtu te Partizani, duke ndihmuar ekipin të fitojë sa më shumë ndeshje dhe trofe.

Jeni dhe pjesë e Kombëtares U-19, sa shpejt shpresoni dhe mendoni se mund të luani dhe me Kombëtaren A?

Ëndrra e çdo futbollisti është të përfaqësojë Kombëtaren e tij dhe mendoj se me shumë punë dhe pak fat, çdo gjë mund të arrihet. Unë do të punoj fort çdo ditë, pastaj ajo do të ndodhë në momentin e duhur.

Shkodranët te Partizani kanë rezultuar të suksesshëm. Është Dragaj emri i radhës?

Shkodranët te Partizani kanë kontribuar shumë për ekipin dhe këtë gjë e kemi parë dhe vitet e kaluara. Shpresoj që ta ruaj këtë traditë të mirë që kanë krijuar ata ndër vite.

Keni biseduar me trajnerin Daja? Ju ka treguar për planet e tij në raport me ju?

Unë sapo jam bashkuar me ekipin dhe shokët e ekipit, drejtuesit dhe stafi teknik më kanë pritur shumë mirë. Çdo ditë mundohem të jap më të mirën në stërvitje dhe të zbatoj detyrat e dhëna nga profesor Daja.

Çfarë duhet të dinë dhe të presin tifozët e Partizanit nga Klevis Dragaj?

Ata duhet të dinë që unë nuk do të jap asgjë më pak se maksimumin, sa herë që të zbres në fushën e lojës. Na ectë mbarë!

Related posts

Torres: Griezmann duhet të fitojë trofe për t’u krahasuar me Messin dhe Ronaldon

Sadik.Autor

Emery i lë në shtëpi Cavanin, Verrattin e Mbappen, fton djalin e George Weah

Q.Autor

PRANON SE PO I MUNGON FUTBOLLI/ Mourinho deklaron: Jam gati për tu rikthyer…

Delo.autor

Leave a Comment