Bundesliga Champions League Futboll Sport

ANALIZA/ Bayern Munich me mbrojtje të hekurt, Kimmich truri i ekipit

Shumë pak e kishin menduar një start të tillë për trajnerin Julian Nagelsman te skuadra e Bajernit. Pas një faze të dobët në ndeshjet e verës, të gjitha kritikat ishin për trajnerin 33-vjeçar që dukej se do ta kishte të vështirë të drejtonte 31 herë kampionët e Gjermanisë. Por gjithçka ndryshoi brenda pak javësh.

Pas barazimit në Gladbah në javën e parë, Bajerni nisi të reflektojë dhe që pas asaj ndeshjeje nuk njeh asnjë rezultat tjetër përveç fitores. Ajo ndaj Barçës të martën ishte një nga tri pikëshit më të bukur dhe më me shumë rëndësi që nga koha kur Nagelsmani mori drejtimin e klubit.

Jo më kot Bajerni pagoi 25 milion euro për një trajner, ishte i pari në historinë e futbollit gjerman që kushtonte aq shumë. Tani, dalëngadalë klubi është duke marrë frytet e tij, edhe pse është vetëm fillimi. Në “Camp Nou” pamë një Bajern të bukur, pasionant dhe fitues, një përshkrim ideal i ADN-së së klubit më të titulluar të Bundesligës.

MBROJTJA E HEKURT

Dajit Upamekano ia ka vlejtur çdo qindarkë nga 42 milion eurot e paguar nga Bajerni te Lajpcigu. Francezi 22-vjeçar bëri një nga ndeshjet më të mira që nga koha kur erdhi në Mynih. Memfis Depai dhe Luk de Jong u neutralizuan në mënyrë perfekte. 10 duele të fituara, 89% saktësia në pasime në 97 prekje të topit. Shtatlarti i mbrojtjes bavareze është padyshim një siguri e shtuar në prapavijë duke bërë që të harrohen Zherom Boatengu dhe David Alaba që tani nuk janë më pjesë e Bajernit. Nuk ishte rastësi fakti që Barcelona nuk goditi asnjëherë në portën e Nojerit duke vendosur kështu një rekord historik, negativ që nga koha kur kanë nisur të përdoreshin statistikat.

TRURI KIMISH

Skuadra e Nagelsmanit duket si një makineri perfekte ku të gjitha pjesët funksionojnë në mënyrë perfekte. Nga porta në sulm, skuadra di si të rreshtohet dhe lëvizjet që duhet të bëjë në lojën me dhe pa top. Joshua Kimish është truri i skuadrës, lojtari nga ku nisin pothuajse të gjitha aksionet. Më pas, gjithçka i kalon sulmit, i cili duhet të finalizojë aksionet në gol. Ndaj Barcelonës të gjitha aksionet e rrezikshme përfunduan në rrjetë ose në shtyllë, asnjë mundësi nuk u shpërdorua totalisht.

Trajneri është prefeksionist dhe kërkon të shfrytëzojë çdo përqindje të mundësisë për t’iu afruar golit në mënyrën më të mirë. Myleri dhe Leva nuk e lanë as këtë herë në baltë skuadrën dhe trajnerin duke siguruar tri pikët e para në Champions. Fillimi i mbarë është gjysma e punës, është një shprehje e urtë. Bajerni dha një sinjal të fortë te rivalët në Europë se edhe në këtë sezon ata do të jenë në garë për të fituar trofeun më të rëndësishëm për klube.

Related posts

EPOKA E DYTË E ZIDANE/ Real Madrid po kalon një periudhë katastrofë, ja statistikat e tmerrshme

Delo.autor

Nis sfida. Kazma për të larguar fantazmat e rënies, Luftëtari për të ‘blinduar’ vendin e 3

Sadik.Autor

Chiellini: Juventus do të shkoi në Madrid për përmbysje

Sadik.Autor

Leave a Comment