Futboll Seria A Sport

HISTORIA E “SPECIAL ONE”/ Mes karizmës, polemikave dhe triumfeve. Ja 1000 pankinat e Mourinhos…

Thonë se historitë e mëdha fillojnë me një dhimbje, ajo të kalit dhe të mëson si të përballosh të ardhmen. Këtë të diel nuk dihet nëse Zhoze Mourinjo do ta mbajë mend ditën e 23 shtatorit të vitit 2000, kur vetëm 37 vjeç, i veshur me një xhaketë kuqeblu, e mbylli me trishtim ditën e tij të parë si trajner i Benfikës pas humbjes 1-0 nga Boavista. Pak më shumë se njëzet vjet më vonë, me etiketën “Special One” të certifikuar me 25 trofe në karrierë, natën e “një mijë pankinave” do ta gjejë veten duke shtrënguar duart me Alesio Dionisin, 41 vjeç, kolegun që është vetëm në stolin e tretë në Serinë A.

HERA E PARË – Dy karrierat që takohen janë të ndryshme, duke pasur parasysh se trajneri i Sasuolos, kur Murinjo fitonte trofetë e tij të parë në Porto, ishte një lojtar i Vogerës. E vetmja e përbashkët mes tyre mund të jetë fakti se të dy kanë qenë mbrojtës jo të shkëlqyer, me shpresa për një të ardhme të ndritur si trajnerë. Për pjesën tjetër, asnjë krahasim.

Dionisi është i lumtur si trajner i Serisë A, në të njëjtën moshë, 41 vjeç, në të cilën Murinjo kishte fituar tashmë 2 tituj dhe 2 Kupa në Portugali, duke shtuar një Europa League dhe një Champions League.

TRANZICIONI – Që nga momenti kur u transferua te Çelsi i Abramoviçit, historia e Mou-t u bë mjaft “e veçantë” dhe vetëm Pep Guardiola arriti të mbante ritmin e portugezit për sa u përket trofeve dhe impaktit mediatik.

Ajo që nuk mund të shkruhet si titujt është karizma që trajneri nga Setubali ka arritur të zhvillojë, strategjia e komunikimit (polemizuese shumë herë) që ka zgjedhur të ndjekë, empatia me tifozët e tij – të cilën ai shpesh e ka theksuar – e cila e ka vënë shpesh në qendër të vëmendjes edhe për gjëra që nuk kishin të bënin me futbollin.

Rasti aktual i Romës është një nga shembujt. Në vitet e Interit (2008-2010), në sytë e verdhekuqve ishte armiku, por tani është kthyer në adhurim e këtë Murinjo ka ditur ta bëjë më së miri me diplomacinë e tij dhe duke shfrytëzuar teknikën e rrjeteve sociale. Një mrekulli e tillë po përsëritej pjesërisht edhe te Totenhemi, rivali i ashpër i Çelsit, para se pronarët të vendosnin ta shkarkonin në vigjiljen e finales së FA Cup, ndeshje që mund t’i sillte trofeun e 26-të në karrierë.

Me pak fjalë, ata që e urrejnë nuk e kanë trembur kurrë portugezin i cili, përkundrazi, herë pas here ka shfrytëzuar atë ndjenjë për të “ndezur zjarrin” e ekipit të tij.

NUMRAT – Pjesa tjetër janë numra që kombinohen me ndjesi të forta. Murinjo ka fituar kampionatin në të gjitha shtetet ku ka stërvitur, duke triumfuar në Premier Liga (2 herë), Premier (3), Seria A (2) dhe La Liga; ai është trajneri i vetëm në histori i aftë për të fituar si Champions-in ashtu edhe Ligën e Europës më shumë se një herë.

Trajneri portugez ka arritur 50 fitoret më të shpejta në Serinë A (në 77 ndeshje), në Premier League (63 ndeshje) dhe në La Liga (62 ndeshje) në epokën e tre pikëve. Nuk mjafton. Në 5 turnetë më të mirë europianë, Murinjo është gjithashtu më i suksesshmi nga të gjithë, me 355 fitore, para 340 të Guardiolës.

FRENIMI – Përballë numrave të tillë, pak rëndësi ka që përvojat e fundit – edhe pse të suksesshme – me Çelsin, Mançester Junajtidin dhe Totenhemin nuk i kanë përmbushur pritshmëritë, duke përfunduar me tri shkarkime që sigurisht i kanë dëmtuar krenarinë. Në fakt, një rekord tjetër mund të jetë gati për t’u thyer nga Murinjo. Në dhjetë aventurat teknike që ka pasur në karrierën e tij, në fakt, nuk i kishte ndodhur kurrë që të niste me 5 fitore në po aq ndeshje zyrtare.

Nëse Roma mund të dielën Sasuolon e Dionisit, një rekord tjetër personal do të bëhet pjesë e legjendës së saj. Murinjo do të ngelet gjithmonë “special”, por për të mos u venitur mes emrave të rinj të trajnerëve, portugezi do të kërkojë sa më shpejt trofe, për të rikthyer krenarinë edhe në fushë, ashtu si bën me driblimet me fjalët.

Related posts

SFIDA NDAJ BARCELONËS NË CHAMPIONS/ Trajneri Gattuso: Nuk do fle 3 net radhazi!

Delo.autor

LËSHON NJË DEKLARATË/ Mbrojtësi Acerbi: Dua Portugalinë në çerekfinale, më e lehtë të ndalosh CR7 se sa…

Delo.autor

LIVE/ Tirana-Kamza: Hasani i kthen “borxhin”, Ngo përmbys shifrat me kokë. Tirana në avantazh (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment