Champions League Futboll Seria A Sport

HUMBJA NDAJ ATLETICOS NË CHAMPIONS/ Theo Hernandez: Paraqitja jonë ishte e mirë, por më vjen keq që…

Kjo është hera e parë që Milani ka zero pikë pas dy ndeshjesh në grupet e Champions-it, teksa nga katër humbjet e fundit radhazi në këtë turne, tri kanë ardhur në përballje me Atletikon. Teo Hernandez nuk është nga ata që merret me statistikat dhe në intervistën për francezët “Sofoot” ka ofruar këndvështrimin e tij të situatës në të cilën ndodhet me ekipin e tij.

Si është gjendja një ditë pas humbjes me Atletikon?

Paraqitja jonë ishte e mirë, por më vjen keq që nuk mund të them të njëjtën gjë për atë të arbitrit. Gjykimi i tij nuk m’u duk aspak korrekt. Sidoqoftë, ne kemi objektivat tanë e do të vijomë të punojmë fort.

Ishte më e padrejtë penalltia në fund apo i kuqi për Kesin?

Vendimet i merr arbitri. Nga fusha nuk më dha ndjesinë e një faulli që meritonte kartonin e verdhë. I të njëjtit mendim jam edhe tani që e kam parë në televizor. Mbetet një vendim i kryesorit dhe pasi ai e jep, nuk mund të bësh diçka për ta ndryshuar.

Po penalltia?

Mendoj se që të dy futbollistët e prekin topin me dorë gjatë duelit. Arbitri duhet të shkonte të paktën te monitori për të parë atë që kishte ndodhur. Nëse nuk pranoi ta shihte apo nuk i thanë se duhet ta analizonte, atëherë gjërat ndërlikohen. Por, siç thashë, kjo nuk na pengon që ne të vazhdojmë të punojmë për t’u përmirësuar.

Për 30 minuta luajtët si të barabartë me Atletikon. Ku mund të përmirësoheni ende?

Atletiko ka një skuadër të fortë dhe është normale që të vuash kur përballesh. Akoma më shumë nëse ke edhe një lojtar më pak. Në 30 minutat e para në fushë nuk u panë diferenca të mëdha, por me grumbullimin e lodhjes është e natyrshme që të mos reagosh dot siç duhet.

Cilët janë objektivat e Milanit në këtë edicion të Champions-it?

Në Champions jemi kualifikuar me meritë. Normalisht duam të vijojmë rrugëtimin tonë duke fituar ndonjë ndeshje. Vetëm pjesëmarrja nuk na mjafton, megjithatë do të kemi kohë për të menduar për Europën. Tashmë na pret një tjetër ndeshje e rëndësishme kundër një rivali në nivelin tonë siç është Atalanta. Do të mundohemi ta mbyllim sa më mirë këtë copëz tjetër të sezonit.

Related posts

Chelsea bën “prapa-kthehu”/ Sarri nuk do të largojë kampionin e botës

Isa.Autor

SFIDA FINALE CHAMPIONS NË MADRID/ “Fenomeni” bën parashikimin: Kjo skuadër fiton trofeun, ja rezultati (FOTO)

Delo.autor

STATISTIKAT/ Në 14 vite janë ndërruar 9 trajnerë në ekipin kombëtar, ja debutimi i Messit

Delo.autor

Leave a Comment