Flamurtari pret përgjigjen nga Xhevahir Sukaj. Administratori Sinan Idrizi i ka ofruar shkodranit postin e drejtorit sportiv, por pa hequr dorë nga futbolli.
Ai është përfshirë edhe në planet e trajnerit Dritan Resuli si sulmues. 33-vjeçari nuk është dukur më në Vlorë që pas takimit të fundit që zhvilloi me kreun e klubit.
Duket se shkodrani është ende i pavendosur për të ardhmen dhe po e shqyrton mirë mundësinë e nisjes së një aventure të re në Vlorë, tanimë edhe si zyrtar.
“Panorama Sport” kontaktoi me Xhevahir Sukajn rreth ofertave të klubit vlonjat. Por, sulmuesi as e ka pohuar dhe as e ka mohuar një rikthim te Flamurtari.
“Për këtë çështje do të flasim një moment tjetër”, ka deklaruar shkurtimisht ai. Mbetet për t’u parë nëse Sukaj do t’i pranojë dy propozimet e Idrizit.
Duket se merkatoja po shkon drejt mbylljes. Odaildo Souza de Oliveira do të jetë lojtari i vetëm i huaj në radhët e kuqezinjve.
Drejtuesit e klubit ishin në bisedime edhe me një lojtar tjetër brazilian, por orët e fundit konfirmohet se ai mund të mos vijë në Vlorë.
Nuk jepen shumë hollësira se përse nuk u krye ky transferim te Flamurtari, ashtu sikundër as të dhëna për lojtarin që mbeti enigmatik.