Futboll Premier League Sport

RIKTHIMI I RONALDOS NË “OLD TRAFFORD”/ Kërkohej nga Tottenham, Bilanci i frikshëm i CR7 kundër klubeve angleze

Pritjes për debutimin e dytë të Kristiano Ronaldos në “Old Trafford” po i vjen fundi. Ajo mund të vijë që nesër kundër Njukasëllit në Premier Ligë ose maksimumi të martën, në transfertën e parë të Champions-it këtë sezon, kundër Jang Bojsave.

Sulmuesi portugez u stërvit për herë të parë në “Carrington” që pas rikthimit në Mançester ditën e martë dhe stafi i Junajtidit është duke analizuar gjendjen e tij fizike, përpara se të veshë fanellën e “Djajve” sërish pas 12 vitesh. Rivali i ardhshëm i Mançesterit në kampionat, Njukasëlli, do të shpresonte që 36-vjeçari mos të ishte në fushë këtë të shtunë sepse portugezi i ka “Qymyrxhinjtë” një prej viktimave të tij të preferuara.

Ai i ka shënuar 6 gola dhe dhënë 5 asiste në 11 përballjet kundër tyre, përfshirë tregolëshin e famshëm në fitoren 6-0 në “Old Trafford” janarin e 2008-ës. Por nuk është skuadra e Stiv Brusit ajo që ka vuajtur më shumë prezencën e Kristianos në fushë. Preja e preferuar e luzitanit në Angli është Totenhemi, të cilin ai e ka ndëshkuar 10 herë në 18 ndeshje në të gjitha kompeticionet (5 asiste): 6 prej këtyre golave ai i ka shënuar për Junajtidin, ndërsa 4 në Champions kur luante për Realin.

Aston Vila, të cilën Junajtidi do ta presë në fund të këtij muaji ka pësuar 9 gola nga CR7 në 14 ndeshje. Ai ka ndëshkuar gjithashtu 7 herë Fulhamin dhe Uiganin, por këto skuadra do të kursehen këtë sezon, duke qenë se luajnë në Championship dhe Ligën e Parë, edhe pse nuk përjashtohet një përballje e mundshme në kupa.

Rivalëve të Sitit ai i ka shënuar 4 gola me Junajtidin, por ata ishin atëherë ende larg versionit të skuadrës së sotme. Ai i ka ndëshkuar “Qytetarët” kur luante për Realin e Madridit, në fazën e grupeve të Champions-it (2012-‘13). Tre golat e tij kundër Liverpulit përfshijnë edhe 1 për Realin në “Anfield” në Champions-in 2014-‘15. Çelsi duket imun përballë portugezit me vetëm 1 gol të pësuar në 15 ndeshje, por ai gol ishte goditja me kokë në finalen e Champions-it 2008.

Ai i ka shënuar më shumë herë skuadrës së tij të zemrës, Junajtidit. CR7 e gjeti rrugën e golit në të dyja ndeshjet me eliminim direkt në Champions 2013 me Realin dhe sërish me Juven në “Old Trafford” në 2018. Uolves, Noruiçi, Lestëri, Lidsi dhe Kristal Palasi janë ndër klubet që kanë arritur ta bllokojnë numrin 7. Por gjahtari i golit është rikthyer dhe të gjithë janë të paralajmëruar.

Related posts

ELIMINIMI I SPANJËS NGA “EURO 2020″/ Kapiteni Busquets: I dominuam italianët edhe pse flitej ndryshe, por…

Delo.autor

ËSHTË ZYRTARE/ Juventus-Inter nuk do të luhet ditën e nesërme, shtyhen 5 ndeshje të Serie A. Ja kur do të zhvillohen

Delo.autor

Ronaldo më i paguari në botë? Deklarata e Valverdes është epike

Q.Autor

Leave a Comment