Futboll Sport

STATISTIKAT/ Humbja e parë pas 28 vitesh, tani Spanja rrezikon Botërorin

Ishte 31 mars 1993, Danimarka kampione e Europës në fuqi, në “Idraetsparken” të Kopenagenit sfidonte Spanjën e Havier Klemenetes për ndeshjen e vlefshme të Grupit 3 për eliminatoret e Botërorit “USA ’94″. Ishte akoma Spanja e “Furive të Kuqe”, ajo e ashpra, ajo që do të zhdukej më pas falë prekjes magjike të Aragonesit dhe Del Boskes që futën stilin elegant dhe sulmues. Në atë duel që mbahej mend si rrëshqitja e fundit e fortë sfidoheshin Shmajkëll e Brajan Laudrup nga njëra anë, ndërsa në tjetrën e prisnin Zubizarreta me Guardiolën… Në fund fituan danezët, 1-0 me gol të Fleming Povlsen.

SERI E PAFUNDME – Deri të enjten, ajo humbje e Spanjës ishte e fundit në eliminatoret e një Botërori, periudha nga e cila kishin kaluar 28 vite e gjysmë, por edhe çmenduria e 66 takimeve në të cilat iberikasit nuk kishin dalë asnjëherë kokë ulur nga fusha e lojës. Por mesa duket toka nordike është e mallkuar për Spanjën, duke qenë se magjinë e kësaj serie të pafundme e prishën Luis Enrike dhe lojtarët që ai drejton. “Furitë e kuqe” u mundën në Solna me rezultatin 2-1 dhe tani papritur ringjallin fantazmat e vitit të largët 1974. Nëse 28 vite e gjysmë më parë disfata me Danimarkën ishte vetëm një plagë e lehtë, e cila në fund nuk ndikoi që Spanjë të mos mungonte në Botërorin “USA ’94″, këtë herë udhëtimi drejt “Katar 2022” është ndërlikuar jo pak, por më shumë se çfarë mund të mendohej.

FANTAZMAT E 1974-ËS – Kundër Suedisë, të kuqtë humbën jo vetëm vendin e parë të grupit, por akoma më keq se kaq i dhanë një dopio bonus dishepujve të Zlatan Ibrahimoviçit, duke qenë se jo vetëm Suedia është dy pikë përpara Spanjës pas mbrëmjes së të enjtes, por në të njëjtën kohë ata kanë luajtur edhe një ndeshje më pak sesa Alvaro Morata me shokë.

Dhe kjo do të thotë se edhe sikur “Furitë e kuqe” t’i fitojnë të gjitha takimet e mbetura deri në fund, por të njëjtën gjë bën edhe Suedia, madje duke pasur edhe luksin që të bëjnë një barazim rrugës, atëherë biletën direkte për në Botërorin e dimrit të vitit tjetër do ta kenë nordikët, ndërsa Spanja do të luajë një fazë “play off” shumë të rrezikshme, ku nga 12 skuadra në garë (10 nga vendet e dyta dhe 2 nga Liga e Kombeve), vetëm dy prej tyre do t’i bashkohen 10 të parave të grupeve të kontinentit europian në Katar.

Të mos shkuarit në një Botëror për Spanjën do të ishte një goditje shumë e madhe, aq më tepër në një moment që vetë La Liga ka nisur të humbë shumë peshë dhe shumë yje pas largimeve në vitet e fundit të Ronaldos e Mesit, por jo vetëm.

Dy ndeshjet e ardhshme, ato kundër Gjeorgjisë dhe Kosovës do të jenë jetike, pasi nevojiten me çdo kusht për të vazhduar së shpresuari, përndryshe një tjetër hap fals jo vetëm që mund të anulonte edhe mundësinë e “play off”-eve, por do të përjetohej një tjetër verë e varfër dhe nervoze si ajo e vitit 1974, hera e fundit kur Spanja nuk arriti që të jetë protagoniste në një Botëror.

Related posts

PAS HUMBJES NË DERBI NDAJ INTER/ Pioli: Handanovic nuk priste kaq shumë prej kohësh, java më e keqe e sezonit

Delo.autor

Kroos zbulon arsyen e dështimit të Lopeteguit te Real Madridi

Delo.autor

LIVE/ Botërori 2022: Mbyllet ndeshja Hungari-Shqipëri në “Puskas Arena”. Rezultati 0-1

Delo.autor

Leave a Comment