Futboll I pakategorizuar Sport

TENSION NË DHOMAT E ZHVESHIES/ Te Juvja ka nisur krisja. Alegri kundër kampionit të Europës

Kur Masimiliano Alegri theksoi se nuk kishte goditur asnjë prej zëvendësimeve të tij, pa dyshim që diçka e tillë nuk është vetëm një marrje përgjegjësie për barazimin ndaj Milanit, por pikësëpari një kritikë direkte e atyre që zbritën në fushën e lojës. Pikërisht kështu, sepse edhe analiza e tij bazohet e gjitha në 15 minutat e fundit shumë të dobëta që Juventusi tregoi, aq sa sipas trajnerit rrezikoi edhe ta humbte një ndeshje që ishte nën kontroll deri në golin e 1-1:

“Kieza hyri në një moment të vështirë të ndeshjes, por unë kisha nevojë për të, për të mbajtur topin në gjysmëfushën e Milanit, por nuk e bëri asnjëherë. Federiko duhet të rritet dhe të fitojë vetëbesim, pasi cilësitë nuk i mungojnë dhe mbi të gjitha duhet të nisë të kuptojë se ka ardhur te Juventusi”. Mos ndoshta nga ana e Alegrit kjo deklaratë është një strategji?

Ndoshta jo, për faktin se vërtet nuk ishte parë asnjëherë një Kieza në aq vështirësi sa dje me Milanin dhe madje në aksionin kur Kalulu rrezikoi që të dërgonte shifrat në 2-1 për kuqezinjtë, sulmuesi hezitoi që ta ndiqte anësorin e “Djallit” duke i lënë rrugë të hapur dhe i qetë. Por ndoshta edhe po, pasi duke “goditur” Kiezën, i cili është ndër të rinjtë e pakët që ka treguar se është i denjë për bluzën e Juves, pas edhe një Europiani si protagonist absolut, ndoshta Alegri kërkon të zgjojë edhe pjesën tjetër të skuadrës, e cila nuk i përgjigjet, si shpërthimi i tij pas vërshëllimës finale:

“Ku… zhulse! Po luani te Juventusi m…”, shprehu trajneri bardhezi, teksa i drejtohej tunelit që të dërgonte në dhomat e zhveshjes i tërbuar. Gjithsesi, e sigurt është që te “Zonja e Vjetër” diçka është krisur dhe ndoshta Alegri me të drejtë kërkonte diçka më shumë edhe nga Kieza, të cilin edhe pse e kurseu ndaj Napolit, duke qenë se klinikisht ishte rikuperuar, i lejoi që të rikuperonte energjitë dhe të shpërthente me Milanin, qoftë edhe në ato pak minuta ku ai di ta bëjë gjithmonë diferencën. Tani, se si do të shkojë kjo situatë do të mësohet të mërkurën, kur Juventusi të udhëtojë në Specia.

“XIXA” SHEZNI-RABIO – Por nëse “Konti Maks” doli përballë të gjithë Italisë dhe Europës duke kritikuar Kiezën, një tjetër krisje brenda skuadrës ka qenë edhe ajo mes Vojceh Sheznit dhe Adrien Rabiosë. Fillimisht portieri i ulëriti mesfushorit francez që i lejoi Kalulut ta rifuste në lojë topin që po dilte larg duke i dhuruar një goditje këndi.

Më pas, polaku po i tregonte me forcë edhe pozicionin se ku ai donte që Rabio të qëndronte në zonë, por transalpini nuk e dëgjoi dhe erdhi goli i pësuar nga Rebiçi. Shezni ishte i tërbuar, por teksa priti fundin e ndeshjes, nervozizmi mes portierit dhe mesfushorit raportohet se vazhdoi edhe në dhomat e zhveshjes. “Corriere della Sera” flet gjithashtu për disa sharje të lëshuara mes të dyve duke konfirmuar tensionin edhe momentin absolutisht jo normal të Juves.

Related posts

E PABESUESHME/ Yjet paguhen më shumë se trajneri? Jo gjithmonë, ja përjashtimet…

Isa.Autor

TRAJNERI DALIPI NË “LUFTË” ME KOHËN/ Dyndje lojtarësh në provë te Luftëtari

Delo.autor

Partizani me sytë nga Skënderbeu, “veteranët” në mes të “katër rrugëve”

Sadik.Autor

Leave a Comment