Futboll Premier League Sport

ZBULOHET PRAPASKENA/ Solskjaer bllokoi largimin e pesë futbollistëve nga Manchester United

Jadon Sancho, Raphael Varane dhe Cristiano Ronaldo janë tre emrat e bujshëm që iu bashkuan Manchester United gjatë merkatos së kësaj vere dhe kanë rritur ndjeshëm ambiciet e klubit për t’u rikthyer te suksesi këtë sezon.

Tekniku Ole Gunnar Solskjaer ka tashmë alternativa të shumta për çdo rol, por gjithashtu edhe mundësinë për të aplikuar skema të ndryshme, ndaj justifikimet për të duket se janë mbaruar dhe tani duhet të sjellë trofe në “Old Trafford”.

Përveç merkatos në hyrje, pati edhe të tjerë që lanë Manchesterin këtë verë, ndërsa mediat angleze zbulojnë se trajneri norvegjez bllokoi largimin e plot 5 futbollistëve të “djajve të kuq”, pavarësisht se ata nuk shihen si titullarë.

Një ndër ta ishte mbrojtësi portugez Diogo Dalot, që vjen pas një huazimi një vjeçar te Milani dhe që tentoi të largohej në një klub ku të mund të luante rregullisht, por Solskjaer e mbajti në “Old Trafford”, pasi në krahun e djathtë ka vetëm Luke Shaw në dispozicion për momentin.

Emri tjetër që kërkoi një tjetër destinacion, ishte holandezi Donny Van de Beek, që erdhi me bujë verën e kaluar, por sezonin që lamë pas e kaloi mes tribunës e pankinës.

Fantazisti kërkoi gjithashtu largimin një sezon në huazim, por duket se Solskjaer e sheh si zëvendësuesin ideal të Bruno Fernandes dhe këmbënguli për ta mbajtur sërish në ekip.

Menjëherë pas ardhjes së Ronaldos dhe deklaratës së Solskjaer se portugezi do të luajë si qendërsulmues, kërkuan largimin edhe lojtarë si Edinson Cavani, Anthony Martial dhe i riu Anthony Elanga, por në të tre rastet trajneri norvegjez u pozicionua kundër dhe drejtuesit e “djajve të kuq” bllokuan transferimin e tyre.

Cavani negocioi me Barcelonën deri në sekondat e fundit të merkatos, por nga Manchesteri nuk u ndez drita jeshile, ndërsa Martial pati një ofertë konkrete nga PSG-ja për të zëvendësuar Kylian Mbappe, nëse ky i fundit do të largohej drejt Realit të Madridit.

Megjithatë tani janë të gjithë aty, gati për të treguar vlerat e tyre në “Teatrin e Ëndrrave”, ndërsa trajnerit Solskjaer i takon misioni për të udhëhequr drejt lavdisë një grup futbollistësh nga më të mirët në botë.

Related posts

PRITET TË UDHËTOJË DREJT MILANOS/ Arturo Vidal prish kontratën me Barcelonën, transferimi tek Inter çështje orësh

Delo.autor

MESSI “TRONDIT” BARCELONËN/ Kërkon largimin me parametra zero. Tifozët “blaugrana” në revoltë

Delo.autor

LISTA/ Studimi i IFFHS-së, njihuni me ekipin më të mirë të dekadës së fundit

Delo.autor

Leave a Comment