Futboll Seria A Sport

DERBI I ITALISË/ Nga sulmi te mbrojtja, ja lufta që pritet në çdo repart në Inter-Juventus…

Inter-Juventus, e thënë ndryshe një luftë pa favoritë. Përballë janë dominuesit e 9 nga 10 sezonet e fundit përballë atyre që i rrëzuan nga froni. Krahasuar me një vit më parë kanë ndryshuar trajnerët dhe disa lojtarë, ndërkohë që në mesfushë do të sfidohen Nikolo Barela me Manuel Lokatelin, dy motorët e kombëtares italiane, dy njerëzit nga lind energjia e shtyllës kurrizore e të dyja skuadrave, të cilat do të përplasin fort brirët të dielën në mbrëmje. Dhe mbi të gjitha, në “San Siro”, në orën 20:45, do të kuptohet më në fund nëse Interi është vërtet skuadra që mbetet për t’u mundur në Serinë A dhe akoma më shumë, nëse Juventusi mund të vazhdojë të shpresojë dhe të luftojë për titullin kampion duke qenë se kreu pas 8 javësh është plot 10 pikë larg.

SULMI KUNDËR MBROJTJES

Simone Inzagi ka një armë shkatërrimtare si Edin Xhekon. Boshnjaku i ka dhënë formë një reparti që ka shpuar këdo që ka pësuar përballë. 23 golat zikaltër në këtë sezon janë thuajse dyfishi i 12 realizimeve bardhezi.

Me gjashtë gola në CV-në e sivjetshme, Xheko është snajperisti i Interit, ndërkohë që pranë ka Lautaron që deri më tani ka shkruar emrin pesë herë në tabelën e golashënuesve për ekipin e tij. 9-shi dhe 10-shi do të kenë një test të rëndë ndaj Juves, aq më tepër në një moment kur Alegri duket se ka sistemuar problematikat në prapavijën e ekipit të tij, siç e dëshmojnë katër ndeshjet e fundit pa pësuar. Pas pushimit ndaj Zenitit, Kielini me shokë duken gati pasi kanë zvogëluar në minimum gabimet individuale, teksa Shezni po gjen formën më të mirë pas një nisjeje kampionati të dobët.

DUELET NË MES

Mesfusha është reparti ku Inzagi ka më shumë dyshime. Çalhanoglu nuk luajti ndaj Sherifit dhe përbën një ekuacion për trajnerin. Pavarësisht situatës së turkut, Vidal ka motorët të ngrohur më së miri pas golit në Champions. Edhe Darmian pritet të rimarrë vendin e tij në të djathtë për të garantuar më shumë mbulim përballë Federiko Kiezës. Çifti Brozoviç-Barela do të ketë për detyrë të bëjë “filtrin”, ndërkohë që do t’i duhet edhe të ndihmojë manovrën sulmuese. Në të majtë Perisiçi duhet të konfirmojë momentin e mirë personal pas golit kundër Lacios. Anësorët janë thelbësorë në lojën zikaltër, ndërkohë që Alegri burimet kryesore të manovrës së tij i ka në qendër. Emri i parë është ai i Arturit që ndaj Romës dhe Zenitit ka treguar rritje. I dyti në listë është MeKeni. Amerikani ndihet komod në mesfushën me tre lojtarë të ideuar nga Alegri dhe mund të sulmojë hapësirat si në kohët e arta. Lokateli plotëson mesfushën që i ka dhënë soliditet dhe kompaktësi një skuadre e cila në fillim të sezonit fuste ujë nga të gjitha anët.

MBROJTJA KUNDËR SULMIT

Juventusi ka sulmin e nëntë më të mirë të Serisë A dhe po has disa vështirësi. Përballë do të ketë një bunker që disa të çara i ka. Shkriniar-De VrajBastoni duhet të mjaftonin për t’i dhënë garanci Inzagit, por golat e pësuar në kohët e fundit janë një kambanë alarmi. Mbrojtja më e mirë e kampionatit të kaluar është shpuar 11 herë në tetë javë dhe ka hasur vështirësi kur është sfiduar në shpejtësi. Në këtë diskutim përfshihet Kieza që ka treguar se mund t’i shkaktojë probleme kujtdo. Kërcënimi tjetër për Handanoviçin është Morata që përballë zikaltërve shënon mesatarisht 0.5 gola çdo 90 minuta. Nëse ajri është sektor i Interit, gjerësia dhe fusha e hapur janë deficitet e De Vrajit me shokët. Kulusevski është gjithashtu i karikuar pas golit në Rusi, ndaj motivimet e suedezit mund të jenë fatale për kampionët e Italisë në fuqi.

DUELI SPECIAL

Të dielën do të asistojmë edhe në një sfidë më vete mes Lokatelit dhe Barelës. I pari është blerja e bujshme e merkatos juventine, ndërsa tjetri përgatitet për gradën e kapitenit të së ardhmes. Mesfushori zikaltër ka statusin e liderit për teknikë dhe karizëm duke qenë lojtari më i mirë i skuadrës për asiste. Pesë të tillë sivjet, ndërkohë që rekordin personal e ka në kuotën 7. Kur Barela funksionon, e bën edhe skuadra. Ai garanton cilësi në të dyja fazat dhe nëse duam të ankohemi, patjetër mund të themi se i mungojnë disa gola. Në një ndeshje me ritëm të lartë e pa hapësira të mëdha, zbritjet e 24-vjeçarit mund të rezultojnë vendimtare. Xheko dhe Darmian janë “dialoguesit” e preferuar të interistit, teksa me Brozoviçin, përveç dhomës ndan titullin e maratonomakut. Te kombëtarja italiane ka cilësi e askush nuk e ka vendin të sigurt, megjithatë ashtu si Barela, edhe Lokateli është ndër më të besuarit e Mançinit.

Përparimet te “Axurrët” e kanë ndihmuar mesfushorin e formuar në akademinë e Milanit që të jetë gati për një superfuqi si Juventusi. Mesfushori bardhezi është qendra e rëndesës së rrugëtimit të ri të Alegrit dhe ofron besueshmëri të lartë. Sidomos në fazën kur ekipi nuk e ka topin në zotërim. Fiziku e ndihmon të jetë një “gardian” për prapavijën siç ka rezultuar në ndeshjet e fundit, por Lokateli njihet edhe për sensin e pozicionimit. Në sezonin e kaluar bëri hovin cilësor në aspektin e personalitetit. Alegri nuk thotë kot: “Dritën ‘Zonjës së Vjetër’ ia ka ndezur i ardhuri i fundit nga merkatoja”.

Related posts

BOTËRORI 2022/ Pas një asist perfekt nga Berghuis, mesfushori Wijnaldum ndëshkon Malin e Zi (VIDEO)

Delo.autor

PARTIZANI-TIRANA/ Olsi Rama zbret në fushë për t’i dhënë zemër skuadrës, Egbo stërvit portierët (FOTO+VIDEO)

Delo.autor

ËSHTË ZYRTARE/ Angela Merkel vendos për futbollin gjerman, ja çfarë do të ndodhë me Bundesligën

Delo.autor

Leave a Comment