Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

I PËRGJIGJET LEGJENDËS BONIEK/ Bogdani: Zibi ka frikë nga “Kuqezinjtë”, ndaj përmend Lewandowski-n

Erjon Bogdani është i bindur se Shqipëria mund ta mposhtë Poloninë sot në “Air Albania”. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, rekordmeni i golave kuqezi i përgjigjet në distancë edhe Zibi Boniekut. “U përmend Levandovskin shqiptarëve sepse na ka frikë. Ai e di se Shqipëria nuk është më e dikurshmja”, thotë ish-sulmuesi për gazetën.

Bogdani, si ju duk ndeshja me Hungarinë?

Ishte një ndeshje e mirë nga ana jonë, edhe pse të themi të drejtën, ishte një ndeshje shumë e kujdesshme. Për mendimin tim, ishte një ndeshje më ndryshe nga herët e tjera.

Pse?

Sepse në fazën mbrojtëse ekipi bëri një punë të shkëlqyer dhe rrezikoi shumë pak. Kam bindjen se në të dyja ndeshjet kundër Hungarisë e kemi merituar plotësisht fitoren, pavarësisht se në të dyja rastet, por sidomos ajo në Budapest, u shënua gol nga veprime individuale të Brojës.

Si ju duket Broja?

Një lojtar që po afirmohet dita-ditës. Për mendimin tim, është një lojtar shumë i mirë, një sulmues cilësor që i ka të gjitha mundësitë për të bërë shumë mirë me ekipin kombëtar. Megjithatë, ne që i shohim ndeshjet nga TV duhet të jemi të kujdesshëm edhe me ndonjë kritikë, sepse është një djalë i perspektivës, një djalë që këto dy ndeshje kundër Hungarisë shpëtoi jo vetëm ekipin…

Çfarë mund të bëjë Shqipëria në ndeshjet e mbetura?

Jemi afër edhe një ëndrre. Ndeshja me Poloninë do të jetë një ndeshje e vështirë, një ndeshje që mund ta luajmë edhe për ta fituar.

Kemi intervistuar Zibi Boniekun dhe ai thotë: “Unë kam shumë respekt për Shqipërinë, por ne kemi Levandovskin dhe me skuadra si ju, për aq kohë sa kemi Levandovskin ne jemi gjithmonë favoritë…”. Si e komenton Bogdani këtë?

Derisa Bonieku e ka thënë këtë, unë mendoj se i druhet ekipit tonë. Me të drejtë ai ka përmendur edhe Levandovskin, sepse për mendimin tim ai tani është qendërsulmuesi më i mirë në botë. Por, unë këmbëngul se ai e ka thënë këtë për t’i zgjuar lojtarët e Polonisë dhe për t’u thënë lojtarëve të tij se Shqipëria nuk është ajo e dikurshmja, por është një ekip shumë i fortë. Dhe, për mendimin tim, polakët do të gabojnë po na morën pak më lehtë. Boniek ka dashur të karikojë skuadrën e Polonisë, t’i japë sa më shumë forcë, sepse do të jetë një ndeshje shumë delikate dhe, përveç Levandovskit, nuk është se kanë ndonjë lojtar tjetër që bën diferencën…

Ju jeni rekordmen i Kombëtares për golat e shënuar dhe ende pa e mbyllur me përfaqësuesen përpiqeshim të gjenim një “Bogdani” tjetër… A e shihni veten te Broja?

Nuk diskutohet që shoh edhe veten time te Broja në disa gjëra. Dhe kjo për arsyen se, pavarësisht se ai është një djalë i ri, e ka demonstruar dhe vjet me skuadrën e Viteshes se çfarë potenciali ka. Ndërkohë që edhe trajneri i Çelsit ka shprehur fjalë shumë të mira për Brojën. Është një djalë në perspektivë, por një djalë me të cilin duhet të jemi të kujdesshëm, sepse karriera e një futbollisti nuk varet as nga një ndeshje, as nga dy ndeshje. Unë mendoj se ai i ka të gjitha mundësitë për të qenë golashënues jo vetëm me ekipin kombëtar, por golashënues edhe me një ekip shumë të mirë, siç është edhe Çelsi. Po flasim për një lojtar që ka shpejtësi dhe ka mënyrë ekzekutimi shumë të mirë. Është i fortë sidomos me kokë, është i fortë edhe të mbrojë topin, por për mendimin tim nuk është si një pykë e parë statike, por është një pykë e parë siç e kërkon futbolli i kësaj kohe: pra që është i lëvizshëm dhe nuk rri në qendër të sulmit, por është shumë i lëvizshëm. Edhe goli që realizoi dje (të shtunën) i kishte të gjitha: teknikë, shpejtësi dhe forcë. Ishte një veprim individual shumë i mirë. Në sezonin që ju keni shënuar më shumë gola (17) kur luanit te Verona, Brigeli nuk ju ftonte në Kombëtare.

Ndërkohë, Broja ka shënuar 3 gola në 81 minutat që ka luajtur si zëvendësues në tri ndeshje dhe sërish nuk shihet titullar. A mund të bëjmë paralelizma për këto dy situata dhe a është normale të ndodhë kështu?

Për mendimin tim, menaxhimi i Brojës ka qenë i mirë. Kjo, sepse ai është shumë i ri dhe nuk mund të ngarkohet më tepër sesa duhet. Natyrisht, ai e meriton edhe të luajë titullar, kjo nuk diskutohet, por unë them që më mirë gjërat të bëhen në mënyrë graduale dhe me besimin e duhur, sesa të nxitohet. Ai e ka bërë detyrën shumë mirë në Kombëtare dhe mund ta meritonte plotësisht të ishte edhe titullar. Por, ama ky progres duhet përshëndetur sepse e mban lojtarin edhe larg presionit apo kritikave që vijnë pasi luan titullar dhe nuk arrin të bësh më të mirën. Duhet përvojë që të përballosh si duhet edhe kritikat pas një ndeshjeje jo të mirë.

Çfarë ju pëlqen më shumë te Broja?

Shikoni, përveç golave, sepse nuk po flasim vetëm për golat, por edhe për freskinë që i ka dhënë lojës, mua më pëlqen edhe për mbajtjen e topit dhe për faktin që është një lojtar shumë i lëvizshëm. Madje, edhe në minutat finale ishte një lojtar që mori faulle dhe e nxori prapë ekipin përpara. Këtë duhet ta dijë mirë trajneri, por për mua nuk diskutohet që ai e meriton të jetë edhe titullar me ekipin kombëtar.

A ju vjen pak keq që në kohën tuaj Shqipëria nuk bënte kaq shumë ndeshje dhe nuk ishim kaq të organizuar? A mund të kishit bërë gjëra më të mëdha në rast se do të luanit sot me këtë ekip kombëtar?

Po flasim për dy kohë të ndryshme nga njëra-tjetra. Tani po u japin edhe më shumë rëndësi ndeshjeve të ekipeve kombëtare, madje ka edhe më shumë ndeshje, sepse përveç Europianit apo Botërorit, është edhe Liga e Kombeve. Ndërsa për ne ka qenë pak më e vështirë, për arsyen se edhe kualifikueset i kemi pasur gjithmonë me ndeshje shumë më të vështira. Nuk diskutohet që futbolli i sotëm ka ndryshuar nga koha ime.

A është më e kompletuar sot Kombëtarja shqiptare?

Po, dhe pikërisht për këtë arsye ndonjëherë jemi edhe kritikë ndaj saj. Dikur ne na kritikonin për një barazim apo humbje me skuadra si Kazakistani dhe Lituania. Me të drejtë. Por sot ekipi kombëtar ka kualitete, sepse ky grup ka shumë lojtarë që luajnë edhe në Serinë A. Tani mund të bësh zëvendësime në sulm, në mesfushë dhe në mbrojtje. Ne dikur nuk kishim kaq bollëk. Jam plotësisht dakord me atë që tha edhe trajneri i Hungarisë, se ekipi shqiptar ka kualitete.

Çfarë duhet të përmirësojë Shqipëria?

Për mua skuadra është e fortë dhe mund t’i hapë punë çdo kundërshtari. Kemi portierë cilësorë, por edhe mbrojtës dhe sulmues. Duhet ndonjë zëvendësim për pak më shumë mesfushë, nëse ne mund ta kemi.

Sa punë na prish Gjimshiti?

Unë mendoj që Gjimshiti na prish punë. E kam ndjekur me kujdes, sidomos këto tri vitet e fundit me Atalantën dhe e them me bindje se është një nga 5 mbrojtësit më të mirë që luajnë në Itali. Kjo është bindja ime dhe nuk ma heq dot njeri. E kam parë që edhe kundër Lukakut, ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë dhe unë Beratin e vendos një mes pesë mbrojtësve më të mirë që janë në Itali.

Kush mund ta zëvendësojë Beratin?

Një si puna e Beratit mendoj se është lider në ekipin kombëtar dhe kundër Polonisë që ka një skuadër të fortë, për mendimin tim, është mungesë me peshë. Megjithatë, me këto lojëra që ka bërë ekipi kombëtar, unë mendoj se forca që ka ekipi kombëtar është grupi. Këtë e treguan edhe dje (të shtunën), pavarësisht që Gjimshiti u zëvendësua me Veselin, edhe ky i fundit bëri një lojë shumë të mirë. Duhet të luajnë pa frikë ndaj polakëve, sepse topi është i rrumbullakët dhe futbolli prandaj është i bukur, sepse ka edhe surpriza.

Kemi intervistuar Zibi Boniekun dhe ai thotë: “Unë kam shumë respekt për Shqipërinë, por ne kemi Levandovskin dhe me skuadra si ju, për aq kohë sa kemi Levandovskin ne jemi gjithmonë favoritë…”. Si e komenton Bogdani këtë?

Derisa Bonieku e ka thënë këtë, unë mendoj se i druhet ekipit tonë. Me të drejtë ai ka përmendur edhe Levandovskin, sepse për mendimin tim ai tani është qendërsulmuesi më i mirë në botë. Por, unë këmbëngul se ai e ka thënë këtë për t’i zgjuar lojtarët e Polonisë dhe për t’u thënë lojtarëve të tij se Shqipëria nuk është ajo e dikurshmja, por është një ekip shumë i fortë. Dhe, për mendimin tim, polakët do të gabojnë po na morën pak më lehtë. Boniek ka dashur të karikojë skuadrën e Polonisë, t’i japë sa më shumë forcë, sepse do të jetë një ndeshje shumë delikate dhe, përveç Levandovskit, nuk është se kanë ndonjë lojtar tjetër që bën diferencën…

Po ne, mund t’i përgjigjemi atij: “Ju keni Levandovskin, ne kemi Brojën”, apo e teprojmë kështu?

E teprojmë! Shumë madje. Kështu rrezikojmë t’i japim më shumë përgjegjësi Brojës që është lojtar shumë i mirë, por shumë i ri. Ata kanë Levandovskin, ne kemi grupin e futbollistëve. Dhe them se kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë me Poloninë dhe duhet të zhvillojmë një ndeshje identike si në Poloni, por nuk duhet t’u japim mundësi polakëve sepse ata kanë Levandovskin, që pavarësisht se luan mirë apo luan keq, nëse prek topin një herë, është shumë i rrezikshëm dhe me një prekje mund të të bëjë edhe një gol e gjysmë…. Kjo është bindja ime për Levandovskin.

Related posts

Zbardhet plani i Panuçit kundër Jordanisë, në formacion sot do të luajnë…(FOTO)

Isa.Autor

VIDEO/ Udinese dhe Inter e nisin ‘furishëm’ ndeshjen, Icardi sërish protagonist

Q.Autor

HUMBJA NDAJ CHELSEA/ Guardiola: Nuk jemi këtu për të qenë të pamposhtur, jemi këtu për…

Isa.Autor

Leave a Comment