Champions League Futboll Sport

NGA HUMBJA NDAJ PORTOS TEK KUALIFIKIMI/ Pioli: Duhet të besojmë. E lehtë të thuhet e më vështirë të bëhet

Porto konfirmohet mallkim për Milanin duke qenë se është i vetmi ekip portugez ndaj të cilit ka pësuar humbje. Sikur të mos mjaftonte kjo, kuqezinjtë dje regjistruan edhe një rekord negativ siç është ai i tri humbjeve radhazi në fazën e grupeve të turneut. Për Stefano Piolin nuk ka kohë për statistika, teksa në konferencë për shtyp analizoi disfatën e “Do Dragao”-s.

NDESHJA – “Episodet vendosin rezultatin, megjithatë nuk mund të mohohen vështirësitë tona. Porto luajti më mirë dhe ishte më e qartë. Ne nuk komunikuam siç duhej e mendoj se topin mund ta menaxhonim më mirë. Patëm situata ku mund të krijonim ndonjë rrezik më shumë, por s’ia dolëm dot”.

PARAQITJA – “Nuk ishte paraqitja jonë më e mirë e në këto nivele nëse nuk luan me qartësi, çdo gjë ndërlikohet. Porto punoi më mirë se ne”.

KUALIFIKIMI – “Duhet të besojmë. E lehtë të thuhet e më vështirë të bëhet. Nuk kemi pikë, por ekipet e vendit të dytë kanë të dyja nga katër e nuk janë larg. Sidoqoftë, tani duhet të mendojmë për kampionatin pasi për Champions-in do të kemi kohë. Sot patëm një mbrëmje të keqe”.

ARBITRI – “Unë duhet të mendoj për skuadrën sepse për arbitrat nuk kam dëshirë të flas. Kam gjëra të tjera për të cilat duhet të mendoj”.

HUMBJA – “Asgjë nuk ndodh rastësisht. Ne nuk bëmë ndonjë gjë të madhe për ta vendosur Porton në vështirësi. Nuk ishim të saktë, nuk ishim kompaktë dhe rivali na mundi me meritë. Më vjen keq sepse nuk bëmë dot asgjë nga ato që kemi mundësi zakonisht. Cilësinë e kundërshtarit e dinim ndaj nuk mund të ulnim nivelin, por ja që ndodhi…”.

LEAO – “Ndeshjet vendosen nga kolektivi që përcakton edhe vlerën e paraqitjes së individëve. Nuk dua të veçoj asnjë nga djemtë. Nuk luajtëm me cilësinë tonë të zakonshme dhe Porto përfitoi duke manovruar më mirë”.

RITMI – “Nuk ishim në lartësinë e duhur, megjithatë nuk fajësoj dot formën e disa lojtarëve. Formacioni më bënte të mendoja se ishim konkurrues, por me aq gabime sa bëmë nuk meritonim të fitonim. Gabuam shumë dhe ky është fakt”.

MUNGESAT – “Nuk mund të justifikohem me të dëmtuarit. Ndoshta mund të kishim më shumë cilësi në zëvendësime, por ndaj Portos ishim ne që gabuam edhe ato aspekte më elementare. Nuk ishim dinamikë e as të shpejtë, ndaj është e kotë të kërkojmë justifikime”.

QASJA – “Flasim shpesh për mentalitet, por besoj se në këtë aspekt e kishim përgatitur mirë garën. Porto na sulmoi që në fillim e megjithatë nuk shfaqëm frikë. Ishin gabimet e shpeshta që na penalizuan në aspektet e tjera. Në pjesën e dytë rivali bëri diferencën dhe gjeti golin”.

SHANSET– “Me djemtë fola. Nuk luajtëm si Milani. Ata e dinë e pres që të reagojnë. Ndoshta me 9 pikë mund të kualifikohemi, por nuk duhet të harrojmë se nuk kemi ende asnjë pikë. Tani të mendojmë për Bolonjën, Torinon e Romën. Për Porton do të mendojmë në momentin e duhur”.

Related posts

PASI REALIZOI NJË “PERLË”/ Anësori anulon golin spektakolar të Cutrones (VIDEO)

Delo.autor

HIDHET SHORTEU/ Ja cilat janë çiftet gjysmëfinaliste në Europa League

Sadik.Autor

Shqipëria shënon golin e nderit ndaj Ukrainës

Sadik.Autor

Leave a Comment