Futboll Sport

PLAS TEK LAÇI/ Mbrojtësi Malota largohet pas debatit me presidentin Laska

Rezultatet pozitive mund t’i fshehin problemet e brendshme në një skuadër, ndërsa ato negative nxjerrin në sipërfaqe detaje që klubet mundohen t’i mbajnë të fshehta dhe në fund sërish zbulohen. Laçi është një nga ekipet që po vuan në këtë fillim sezoni, teksa në katër ndeshje ka pësuar dy humbje dhe ka marrë dy barazime duke qenë në fundin e tabelës.

Në ndeshjen ndaj Tiranës ajo që habiti ishte fakti se qendërmbrojtësi Renato Malota, jo vetëm që nuk bënte pjesë në formacion, por as që nuk ishte grumbulluar fare.

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se 32-vjeçari lezhjan është larguar nga Laçi dhe shkas janë bërë debatet me presidentin Pashk Laska pas ndeshjes me Kukësin në stadiumin e Kamzës një javë më parë.

Burime në klubin kurbinas tregojnë se pas kritikave në adresë të Malotës nga kreu i klubit, mbrojtësi ka kërkuar largimin përfundimtar nga skuadra.

Kur ende nuk është mbyllur faza e parë e kampionatit, teksa janë luajtur vetëm katër ndeshje, tashmë Laçi duhet t’i bëjë llogaritë me një mbrojtës më pak.

Malota mbajti peshën kryesore te Laçi në repartin e mbrojtjes në dy sezonet e fundit duke qenë pjesë e suksesit historik në Ligën e Konferencës, kur skuadra drejtohej nga Shpëtim Duro.

Në sfidën e fundit ndaj Tiranës, trajneri Dejan Vukiçeviç aktivizoi për herë të parë në qendër të mbrojtjes maqedonasin Viktor Velkoski.

Mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet në ditët e ardhshme, në një kohë që skuadra do të pushojë deri të mërkurën.

Tashmë presioni në ekip është shtuar për shkak të rezultateve negative, por vlen të theksohet se edhe në sezonin e kaluar, starti i kampionatit për kurbinasit nuk ka qenë i mirë, por më pas erdhi kthesa e madhe.

Related posts

“NUK JAM LARGUAR KURRË”/ Ibrahimovic mesazh dashurie tifozëve kuqezi

F.autor

“INTER, NUK DUHET TË MBARONTE KËSHTU”/ Lukaku bën Chelsea-n të dridhet: Kam gabuar…

Delo.autor

PLEJADË LEGJENDASH/ “Dita e Maldinëve”: Djemtë e Paolos sfidohen në miqësoren e MILANIT

Isa.Autor

Leave a Comment