Futboll Seria A Sport

BRENDA QENDRËS STËRVITORE TË MILANIT/ Nga topi 90 cm te “buka me vete”, ja ndryshimet e “Kuqezinjve” me Piolin

Brenda qendrës stërvitore të Milanit, ka një botë më vete. Një mori njerëzish që punojnë çdo ditë brenda “Milanello”-s, duke vënë përvojën e tyre në shërbim të skuadrës. Nuk po flasim për futbollistët, por për stafin që punon për ta, duke nisur që nga Xhakomo Mureli, i cili prej vitit 2004 është krahu i djathtë i Stefano Piolit.

Së bashku, gjithmonë e kudo. Ka edhe nga ata si Luixhi Ranjo që si përgatitës portierësh kishte punuar edhe më parë te Milani, në kohën kur ekipi trajnohej nga Xhenaro Gatuzo. Me ekipin punojnë dy ish-titullarë kuqezi si Daniel Bonera dhe Nelson Dida. Analisti është Xhanmarko Pioli (djali i trajnerit), që ndeshjet i sheh nga lart e që vuan, ndoshta, më pak se babai i tij. Përvoja dhe mosha të ndryshme për një ide: respekti i traditës Milan me synimin për të qenë në pararojë të shkencës dhe risive moderne.

Për tifozët është pasion, por profesionistët, ata që veprojnë prapa kuintave, detaji është aspekti më i rëndësishëm. Zhvillimi është thelbësor për një klub bashkëkohor dhe Milani modernizimin e ka nisur vite më parë me krijimin e “MilanLab”-it, një strukturë super teknologjike, së cilës së fundmi i është bashkuar “Elliott”, fondi që komandon klubin dhe frymëzohet nga simotrat e kampionatit anglez.

RRUGË E GJATË – Milani kërkon të rikthehet në majë dhe stadiumi privat është element më i rëndësishëm për sa i përket financave. Në pritje të nisjes së punimeve, klubi ka rinovuar qendrën stërvitore duke zmadhuar dhomat dhe hapësirat e tjera. Ndërkohë, salla e trajnerëve nuk është më pranë dhomës së zhveshjes së lojtarëve, çka garanton privatësi reciproke. Puna për përmirësimin e terreneve stërvitore ka nisur prej kohësh, teksa edhe palestra është rinovuar krejtësisht. Për skuadrën ka një hapësirë krejtësisht të re, e cila shërben për “fitball”-in (ushtrime me top gome 90 cm) dhe seancat e Pilates-it.

Godinë e re për fizioterapinë dhe shërbimet mjekësore, ndërkohë që është ndërtuar edhe një pistë riatletizimi, e cila shërben për lojtarët e kthyer nga dëmtimet dhe fushën e rërës ku punohet në mënyrë specifike, sidomos pas ndeshjeve, pasi lojtarët thuajse kanë hequr dorë nga stërvitjet klasike. Vaska me akull dhe dhomat e krioterapisë janë një tjetër aset ku lojtarët kalojnë kohë përpara se të shkojnë në shtëpi.

MË THUAJ SI HA – Një tjetër skuadër që punon për Milanin është ajo që merret me ushqimin. Fillimisht ishte me detyrim torta me fruta pylli që duhej konsumuar para ndeshjeve, ndërkohë që doktor Tavana, mjek historik i klubit, mundohej t’u shpjegonte holandezëve se kapuçino pas buke ishte i dëmshëm. Aktualisht, doktor Maxoni, që gjithashtu ka shumë vite si kuqezi, ka një staf shumë herë më të gjerë në numër sesa pararendësit e tij, pavarësisht se në epokën berluskoniane kujdesi ndaj vakteve ishte i madh. Tradita e vakteve pas ndeshjeve nuk ka ndryshuar, por disa korrigjime të lehta i janë bërë, sidomos pas izolimit të pandemisë.

Pioli ka shfuqizuar grumbullimet, të cilat bëhen vetëm kur ekipi duhet të luajë ditën pasardhëse në mesditë ose drekë, por lojtarëve u jepet ushqimi në shtëpi ku duhet të ndiqen udhëzimet për ngrohjen e tyre. Dreka nuk është njësoj çdo ditë. Jo vetëm pasta, pasi çunakët e Piolit preferojnë edhe hamburgerët apo orizin curry (kërri). Globalizimi i ka këto e kulturat shkrihen edhe në kuzhinë.

NDESHJE ME MIKROSKOP – Futboll, por edhe shkencë për Stefano Piolin që është kreu i një tjetër skuadre siç është ajo e stafit teknik. Praktikisht, janë rreth 30 njerëz që punojnë të ndarë mes fushës, zyrave, palestrave dhe studiove.

Profesionistë të fushave të ndryshme për një qëllim të vetëm që është ai i gjetjes së gabimeve dhe krijimit të formulave për t’i shmangur. Kilometrat dhe pasimet kalohen në “sitën” kompjuterike nga stafi prej katër personash të kryesuar nga Luçiano Vulkano, i cili gjatë ndeshjeve ulet në pankinë pranë Piolit. Pjesa tjetër studion kuqezinjtë në distancë sepse futbolli modern i tillë është tashmë e askush nuk dëshiron të mbetet prapa.

Related posts

MERKATO E JANARIT/ Nga Kallaku te Hebaj e Sabien Lilaj, ja të gjitha lëvizjet e kryera në Superiore…

Delo.autor

Bayern Munchen ka kontaktuar trajnerin e Tottenham, Mauricio Pochettinon, dhe i kërkuar që ai të zëvendësojë Jupp Heynckes

Sadik.Autor

HISTORI DHE 1.60 MILIONË EURO/ Teuta ka shansin e artë për të kapur fazën “play off” në Conference League

Delo.autor

Leave a Comment