Futboll Kategoria Superiore Sport

KËRKON PËRFORCIME/ Humbjet zbulojnë boshllëqet, Dinamo projekton tri goditje në janar. Ja emrat…

Që Dinamo do të kishte dhe do të ketë luhatje në këtë kampionat, është e qartë, sepse është një skuadër e formuar rishtas, me mbi 90% të lojtarëve të ardhur në verë, por që “turbulencat” të ishin kaq të forta, nuk ishte menduar. Brenda pak ditësh Dinamo mundi 2-0 Tiranën dhe më pas u mund prej saj 4-0.

Luan mirë ndaj Teutës dhe Partizanit e pastaj pëson 6 gola në Shkodër nga Vllaznia. Arsyet mund të jenë disa, duke nisur nga mungesat e shpeshta, veçanërisht e mbrojtësit Sofranak. Po ashtu, përvoja e paktë e ndonjë lojtari apo lodhja e ndonjë titullari kyç ndikon në rezultatet, ashtu sikurse edhe stafi mund të ketë përgjegjësitë e veta.

Ajo që është e dukshme dhe që e kuptojnë të gjithë ka të bëjë me boshllëkun që Dinamo ka në stol për të mbuluar disa role të veçanta dhe që në merkaton e janarit duhen mbushur patjetër.

FORMACIONI – Kur blutë luajnë me formacionin më të mirë, pa asnjë mungesë, paraqitja a tyre në fushë është ndryshe. Skuadra është solide dhe në pjesën më të madhe të ndeshjes e ka lojën nën kontroll. Dinamo ka luajtur mirë dhe ka marrë pikë ndaj Kastriotit, Teutës dhe Partizanit.

Edhe ndaj Kukësit luajti mirë, por doli pa pikë. Por, mjafton një mungesë dhe menjëherë skuadra fillon të çalojë. U duk në Shkodër, ku pësoi 6 gola dhe më shumë akoma në ndeshjen e kampionatit me Tiranën, ku veç Sofranakut mungonin edhe Harizaj, Haxhiu dhe Maliqi.

Pas dy golave të pësuar në këtë ndeshje, blutë nuk patën më forcë të reagonin, sepse edhe stoli nuk u ofron alternativa.

MANGËSITË – Trajneri Bledi Shkëmbi dhe drejtuesit e Dinamos e dinë mirë ku u “pikon çatia”. Tetë javët e deritanishme dhe veçanërisht humbjet ua kanë bërë të qartë se ku kanë gabuar në merkato dhe çfarë u duhet në janar. Dinamo patjetër ka nevojë për një mbrojtës qendre, i cili mund të jetë titullar, nëse ka kualitetin e nevojshëm ose të paktën të mund të zëvendësojë Sofranakun dhe Imamin, kur ata të mungojnë.

Me mungesën e malazezit në disa ndeshje, trajneri Shkëmbi është detyruar të kthejë Sidibenë në mbrojtje. Një mesfushor qendre me kualitet është një tjetër nevojë e bluve. Një lojtar që të ketë aftësi të mira organizative për ta nxjerrë skuadrën përpara. Peshën më të madhe deri tani në këtë sektor e ka mbajtur Besir Demiri, që disa herë ka pasur partner Sidibenë dhe herë të tjera Ali Samaken apo edhe Siljanovskin.

Dhe një tjetër blerje e fortë bluve u duhet në sulm. Fjala është për një lojtar që të luajë në majë të këtij reparti dhe të ketë përvojë për të garantuar golat. Ai mund të luajë bashkë me Stefen Çinedun apo edhe të alternohet me të.

Gazeta mëson se kërkimin për këta lojtarë drejtuesit e Dinamos e kanë filluar që tani për t’i paraprirë situatës në janar. Në merkaton e dimrit, në fakt, është shumë e vështirë për të gjetur lojtarë të lirë dhe të mirë, ndaj dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të sjellë ky sesion afrimesh te blutë.

Related posts

ZHANG UDHËTON DREJ SPANJËS/ Presidenti i Inter në “gjurmët” e yllit të “Los Blancos”…

Delo.autor

U RRËZUA NË “WEMBLEY”/ Mourinho: Ishte e qëllimshme, por jo penallti

F.autor

Zyrtare: Caktohet data për derbin Milan – Inter

Q.Autor

Leave a Comment