Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

KOMBËTARJA U-21/ Sulmuesi i Partizanit dëmtohet sërish, shtohen problemet për trajnerin Daja

Pas nisjes së mirë të sezonit, Tedi Cara u ftua nga trajneri Alban Bushi në grumbullimin e Kombëtares U-21 për ndeshjet ndaj Sllovenisë dhe Kosovës për kualifikueset e Europianit U-21.

Por sulmuesi është detyruar të lërë grumbullimin për shkak të shqetësimeve fizike. FSHF-ja përmes një deklarate njoftoi se pas ekzaminimeve, mjekët kanë konstatuar se 22-vjeçari nuk mund të rikuperohet për këto beteja dhe vendin e tij e zë një tjetër “i kuq”, Arinaldo Rrapaj.

Problemet fizike për Carën nuk janë shfaqur në grumbullimin e Kombëtares për herë të parë. Në dy ndeshjet e fundit, 22-vjeçarit i është dashur të luajë i sforcuar.

Nga klubi, për gazetën, bëjnë me dije se Cara do të stërvitet i veçuar në këto ditë dhe në vijim do të shihet nëse ai do të jetë i gatshëm të paktën për ndeshjen me Laçin, pas 10 ditësh. Ndaj Besëlidhjes në Kupë, me siguri Ilir Daja do e kursejë.

Megjithëse ka shpresa të mëdha që Cara të kthehet shpejt në fushë, nuk mund ta përjashtojmë mungesën e tij ndaj Laçit, çka do të ishte “therëse” për Ilir Dajën. Cara, me dy gola, është i vetmi sulmues i Partizanit, që ka shënuar në aksion të rrjedhshëm në Superiore.

Sulmuesi tjetër, që ka gjetur rrugën e rrjetës është Zhunior, i cili ka shënuar dy herë me penallti, të dyja të fituara pikërisht nga Cara. Ky i fundit është titullar këtë sezon, ndryshe nga edicioni i shkuar, ku nga 34 zbritje në fushë, 5 ndeshje i nisi si titullar dhe tundi rrjetën 5 herë.

Ndërkohë, kolegu i tij, Zhunior, nuk duket në nivelet e sezonit të shkuar deri më tani, gjithsesi, asisti për Rrapajn ndaj Kastriotit mund të jetë sinjal i qartë se ai po shkon në drejtimin e duhur. Andrija Filipoviç është më i shtrenjti te Partizani sipas “Transfermarkt” (500 mijë euro), por kaq nuk mjafton.

Ai nuk e ka vendosur ende firmën në Superiore dhe ka shënuar vetëm në Kupë, ndaj modestëve të Tërbunit. Kardozo, një lojtar mjaft i nevojshëm për manovrën e Partizanit, edhe pse nuk ka shënuar ende, është operuar dhe do të mungojë disa javë, duke mos i lënë shumë zgjidhje trajnerit Daja. Gjithsej,

Partizani ka vetëm 4 sulmues (Kardozo i dëmtuar, Cara në dyshim), të cilët mbajnë peshën e Superiores për 3 vende në formacion.

Shumë pak për një sezon të gjatë, teksa shpresohet që Cara të mos rrijë shumë jashtë fushave sepse në dispozicion do të ishin vetëm Zhunior e Filipoviç dhe trajnerit do t’i duhej të improvizonte për të ndërtuar formacion konkurrues për të kuqtë.

Related posts

LEAO RINOVON ME MILANIN/ Ja kur pritet të hidhet firma e portugezit në kontratë

F.autor

MOMENTE TRONDITËSE/ Barella në lot, axurrët e tjerë të shokuar. Ja si u përcoll arresti kardiak i Eriksen (VIDEO)

Delo.autor

ZBULON VITIN E ERRËT E “BARDHEBLUVE”/ Mirel Josa rrëfehet “pa doreza”: Fajin për rrëzimin e Tiranës e kishin…

Delo.autor

Leave a Comment