Futboll Kategoria Superiore Sport

“EDHE NE NJERËZ JEMI, NUK JEMI ROBOTË”/ Aleksi shfajësohet: Kemi ende shanse për titullin

Albano Aleksi është një nga titullarët e padiskutueshëm të Teutës, teksa luan sezonin e tij të tretë me fanellën durrsake. Humbja ndaj Egnatias tronditi jo pak situatën te kampionët në fuqi, që tashmë po pushojnë për të reflektuar disi në prag të javës së 16-të, e cila nis më 15 janar 2022. Në intervistën për “Panorama Sport”, Aleksi tregon atë që nuk shkoi në 15 javët e para, si dhe flet për vazhdimësinë.

Albano, çfarë nuk shkoi ndaj Egnatias?
Asgjë nuk shkoi siç duhet. Kishim parashikuar një tjetër lojë, por e nisëm ndeshjen shumë keq. Pësimi i dy golave na vendosi në trysni. Unë mendoj që ka ndikuar pak edhe lodhja. Edhe ne njerëz jemi, nuk jemi robotë. Që pas rinisjes së kampionatit kemi luajtur çdo tri ditë, por duhet ta hedhim pas krahëve këtë humbje me Egnatian. Duhet të qetësohemi e të fokusohemi te pjesa e tjetër e sezonit.

Çfarë prisni nga pjesa e mbetur e sezonit?
Do të jetë një gjysmë sezoni tepër e vështirë për ne, por duhet të bëjmë mirë. Më saktë, duhet të jemi perfektë, sepse me hapa të tjerë falsë do të hidhnim poshtë gjithë sezonin. Çdo ndeshje duhet ta përgatisim që të marrim maksimumin e pikëve. Duhet të kemi dhe pak fat, pasi sezoni është i gjatë. Kemi kohën e duhur deri në ndeshjen e javës së 16-të ndaj Kastriotit, për të treguar realisht sa vlejmë.

Çfarë note do t’i vendosnit Teutës në këtë vit 2021?
Besoj se kemi bërë një vit të jashtëzakonshëm. Ky vit përkoi me titullin kampion dhe do të mbahet mend gjatë. Kemi fituar 4 trofe në pak kohë, gjë që nuk e ka bërë asnjë ekip. Shpresoj që edhe këtë sezon ta mbyllim me trofe, sepse i kemi mundësitë.

OK, por jeni shumë larg zonës së kreut dhe ndoshta rruga më e lehtë do të jetë Kupa për trofe, apo jo?
Nuk mendoj se kemi zhvilluar një kampionat të keq, paçka se me pikë jemi shumë mbrapa. Jemi në garë, si për Kupën e Shqipërisë, ashtu edhe për kampionatin. Asgjë nuk ka mbaruar edhe në kampionat, sepse do të luhen edhe 21 ndeshje. Janë shumë pikë në lojë dhe ne do të kthehemi.

Vërtet mendoni se objektivi titull është ende në lojë?
Ju thashë edhe më lart. Janë edhe shumë pikë në garë, do të luftojmë për të dhënë gjithçka. Do të jenë të gjitha ndeshje të vështira dhe duhet të bëjmë më të mirën. Jam i bindur që shanset i kemi ende, pasi edhe rivalët tanë do të ndalen ose më saktë do ta kenë atë momentin e tyre të keq, siç na ndodhi neve në këto javët e fundit.

Related posts

CHAMPIONS / Gjyqtari dhe Qarabag eliminojnë Kukësin, tani në Europa League

Isa.Autor

Zbulohet buxheti i Milanit për transferime gjatë kësaj vere

Sadik.Autor

MERKATO E VERËS/ Nga Lazio tek Laçi, ish-titullari i Shpresave firmos në futbollin amator

Delo.autor

Leave a Comment