Futboll Kategoria Superiore Sport

HUMBJA NDAJ PARTIZANIT/ “Nëndetësja” e fundosur, pritet revolucion më i madh në janar te Dinamo

Humbja me Partizanin e ka bërë edhe më dramatike situatën te Dinamo, që po shfaq vazhdimisht dobësi të mëdha. Nëse para derbit kishte sadopak optimizëm se situata do të mund ndryshonte me një rezultat pozitiv, pas humbjes së radhës të gjithë duken të dorëzuar në kampin blu.

Trajneri Bledi Shkëmbi, përtej deklaratave publike, këtë herë u duk i dorëzuar realisht. Pozicionin e tij e ka në dorë presidenti Adrian Bardhi, që edhe në derbin me Partizanin mungoi në tribunë, por pak mundësi ka që në stolin blu të ketë lëvizje, të paktën deri në fund të këtij viti. Skuadra nuk po funksionon, përkundrazi, po shfaq më shumë probleme në të gjitha fazat e lojës dhe në këto kushte merkatoja e dimrit mund të sjellë një revolucion më të madh nga ai që ishte menduar deri më sot.

Deri më sot ishte menduar se Dinamo, me 3-4 afrime, do të stabilizohej, por tashmë që gjërat kanë shkuar më keq dhe kriza e rezultateve dhe lojës është thelluar, duket i pashmangshëm një ndryshim i madh. Largimet mund të shtohen, rrjedhimisht edhe afrimet nëse do të gjenden në një merkato që lejon pak hapësira, sepse lojtarët me kualitet janë thuajse të gjithë nën kontratë. Përveç problemeve tekniko-taktike, Dinamoja është pushtuar nga një krizë e thellë besimi, çka reflektohet në fushë, duke gabuar edhe në veprimet më të thjeshta.

Përpara janë ndeshjet me Vllazninë dhe Skënderbeun, por kjo Dinamo nuk po jep asnjë sinjal. Të gjithë po e konsiderojnë ekipin më të dobët të Superiores në këtë moment dhe këtë po e vërteton fusha. Ndërkohë, paradoksi i madh te Dinamo është se ka një korrektësi financiare për t’u marrë shembull. Presidenti Bardhi jo vetëm që nuk ka vënë gjoba, edhe pse në një intervistë për gazetën ishte shprehur se do të merrte masa, por para derbit ka dhënë rrogat për ekipin. Por çuditërisht kjo gjë nuk ka asnjë lloj ndikimi në skuadër.

Related posts

METODA E ÇUDITSHME E SOLSKJAER/ Inkurajon grindjet brenda ekipit në stërvitje për…

Delo.autor

Problemet financiare të Milanit, menaxheri Jorge Mendes mund të blejë “djallin”

Q.Autor

DOPINGU BËHET PROBLEM NË ANGLI/ 11 futbollistë janë lejuar të luajnë me teste pozitive, ja shkaku befasues

Delo.autor

Leave a Comment