Futboll Seria A Sport

“INZAGHI SI SHOK, CONTE QESHI VETËM KUR…”/ Dhurata e hidhur e Skriniar: Nuk e përjashtoj largimin

Me emrin që ka, duket se vesh ngjyrat e gabuara të qytetit, por Milan Shkriniar, edhe pse vetëm 26 vjeç, është një veteran me fanellën e Interit për atë që jep në fushën e lojës. Prania e tij gjigante brenda zonës kompensohet vetëm me zemrën e tij po aq të madhe, siç zbulojnë shokët e skuadrës.

“Nuk jam njeri i keq, dua të mbahem mend për mirë”, përgjigjet sllovaku kur pyetet mbi këtë temë. Sampdoria ishte trampolina që e çoi më pas tek Interi për 34 milionë euro, vlerë që Shkriniar e ka paguar shumëfish në fushën e lojës.

Për “Corriere dello Sport”, muri zikaltër ama zbuloi se nuk ia mbyll derën një eksperience jashtë Italisë, duke treguar edhe mendimin e tij për trajnerët dhe për sulmuesit më të vështirë që ka markuar.

TITULLI – “Kur erdha nga Sampdoria, shpresoja ta fitoja titullin sepse e dija se vija në një klub historik, edhe pse atëherë kishte vështirësi. Këtu ishte Spaleti dhe synonim të shkonim sa më lart. Edhe tani mendoj se jemi favoritë për titullin sepse jemi një grup i mirë”.

TRAJNERËT – “Xhampaolo dhe Spaleti luanin me 4 mbrojtës, kurse Konte dhe Inzagi me 3 dhe në fillim e kisha të vështirë të ambientohesha. Konte më shpjegonte gjithçka me video, edhe lëvizjet. Për më tepër të ngulit edhe mentalitetin fitues, edhe nëse nuk do ta asimilosh, ta imponon. Inzagi është si shok skuadre, na kupton, flet dhe bën shaka e qesh me ne. Me Konten mund të bëje shaka, por vetëm pasi siguruam Skudeton”.

LARGIMI – “Një eksperiencë e re jashtë vendit nuk do të ishte keq, por tek Interi jam i lumtur. Megjithatë, nuk i dihet asnjëherë së ardhmes dhe për rinovimin nuk po flasim akoma, kontratën e kam deri në 2023”.

SULMUESIT – “Sulmuesi më i vështirë për t’u markuar është Lukaku, por për fat më duhet ta bëja vetëm në stërvitje. Është gjigant, i shpejtë, i kompletuar, nuk ka tjetër si ai. Xheko është po ashtu i vështirë, e mbron topin shumë mirë. Ndërkohë, Suarez e Benzema janë dy djaj.

Në pozicionin që jam tani, më duhet të përballem më shumë me sulmues krahu dhe Vinicius e Hazard kanë qenë ndër më të vështirët, kurse në Itali më vjen në mendje Kieza. Pastaj Mesi dhe Ronaldo janë në krye, më të fortë se të gjithë. Për t’u përballur i studioj të gjithë, flas me shokët për të kuptuar lëvizjet, por janë kaq të zotë sa gjithmonë mund të ta hedhin me një lëvizje”.

SHOKËT E SKUADRËS – “Për Hakimin dhe Lukakun flitej se do të largoheshin. Hakimi as nuk e filloi sezonin, kurse Lukaku na tregoi se nëse do të ishte mundësia do të largohej. Pastaj shoqëria i zëvendësoi me lojtarë të shkëlqyer. Bastoni dhe Dimarko janë ata me të cilët jam më shumë i lidhur, por edhe Kordaz, Barela dhe Ranokia. Jemi shumë persona dhe të paktën me 10 prej tyre ndajmë gjithçka”.

ERIKSEN – “Isha në Europian kur po ndiqja ndeshjen dhe komenti ishte në rusisht e unë nuk kuptoja gjë. Pashë vetëm një futbollist të shtrirë në tokë. U tmerrova kur pashë Kristianin, pastaj më qetësuan nga Interi. Puna jonë është shumë e bukur, por kur ndodhin gjëra të tilla, e kupton se një jetë kemi dhe as dua ta mendoj sikur të më ndodhte mua”.

SERIA A DHE CHAMPIONS – “E nisëm keq këtë sezon, si të bllokuar. Mendoj se është edhe çështje fizike, por edhe një provë e mentalitetit tonë që nuk dorëzohemi. Në Itali bëjmë më mirë se në Europë sepse punohet shumë me taktikën dhe përqendrohemi te mendja, jo si anglezët që vrapojnë gjithë kohën dhe të vënë në vështirësi me këtë veçori. Luajtëm mirë me Realin dhe pastaj pësuam një gol nga 25 metra. Kundër disa skuadrave duhet të shfrytëzosh rastin kur të jepet. Unë besoj tek Interi dhe mendoj që edhe Liverpulit mund t’i bëjmë dëm, sidomos në ‘San Siro’. Do të jemi gati, edhe pse kalendari i janarit e i shkurtit është i vështirë”.

STADIUMET – “Përveç ‘San Siro’-s, ata që më kanë emocionuar më shumë janë i Totenhemit dhe i Zenitit, që janë modernë dhe të rinj. Si atmosferë më pëlqen ai i Dortmundit. Aty ndeshja përfundoi 3-2 për gjermanët dhe akoma e mbaj mend sa u acarua Konte”.

Related posts

BUFFON TEK LAZIO? Agjenti i “Gardianit” frenon transferimin: Ata kanë Strakoshën…

Delo.autor

NUK DO TA BESONI/ CASSANO “bëhet” me ekip, të hënën nis stërvitjen me…

Isa.Autor

INZAGI ME SURPRIZË NË PORTË/ Zikaltërve u rikthehet dyshja e sezonit të kaluar. Si pritet të rreshtohet Interi sonte ndaj Kremonezes

F.autor

Leave a Comment