Futboll Kategoria Superiore Sport

SFIDA NDAJ DINAMOS/ “Luftë” për një vend në formacion, Brdariç ka një problem luksi te Vllaznia

Vllaznia do të ketë një ekip të plotë në ndeshjen e radhës ndaj Dinamos, e cila do të luhet të premten në orën 19:45 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Trajneri Tomas Brdariç dhe drejtori sportiv, Matko Djarmati, kanë qenë të hënën në kryeqytet për të vëzhguar rivalin e radhës, që humbi derbin ndaj Partizanit. Lajm i mirë për stafin është rikthimi nga pezullimi i dy titullarëve të padiskutueshëm si kapiteni Erdenis Gurishta dhe mesfushori Ardit Krymi, të cilët nuk u aktivizuan ndaj Skënderbeut për shkak kartonësh.

Ndërkohë, dje është konfirmuar se Viktor da Silva nuk do të mungojë ndaj Dinamos, pasi ka tre kartonë të verdhë dhe jo katër. Kartoni që mori kundër Skënderbeut ishte i treti, por një gabim në sistemin e FSHF-së bëri që shkodranët të shqetësoheshin, duke e llogaritur fillimisht si mungesë.

FORMACIONI

Sulmi përbën pikëpyetjet e vetme për formacionin në ndeshjen ndaj Dinamos. Skuadra kuqeblu gëzon “shëndet” të plotë dhe objektivi përballë bluve patjetër është fitorja. Ajo që gëzon më shumë në këto çaste, përveç faktit se mbrojtja ka mbajtur portën e paprekur në ndeshjen e fundit, është edhe pjesa sulmuese e skuadrës.

Të gjithë kanë lënë pas problemet fizike dhe po gëzojnë një formë të mirë. Sulmuesit e Vllaznisë kanë shënuar në vazhdimësi, ndërsa vlonjati Ardit Hoxhaj ka arritur të rifitojë formacionin. Ishte pikërisht ai që hapi rrugën e fitores ndaj korçarëve, ndërsa tashmë për Brdariç ka halle luksi, pasi në stol mbeten lojtarë me shumë cilësi.

Aralica e nisi pikërisht nga pankina, për t’u aktivizuar në pjesën e dytë dhe vulosur fitoren 2-0 ndaj bardhekuqve. Gjurgjeviç, Aralica, Çoba dhe Kaina janë tre qendërsulmues të cilët luftojnë për një vend. Ky është “shqetësimi” i vetëm i Brdariçit para kësaj sfide.

Pas rikthimeve të Gurishtës dhe Krymit, porta, mbrojtja dhe mesfusha janë që tani të kopsitura. Të sakrifikuarit duket se do të jenë Arsid Kruja dhe Elvedin Heriçi, të cilët patën një performancë të shkëlqyer me Skënderbeun, por konkurrenca e madhe bën që tashmë të pranojnë stolin. Me Zogoviçin në portë, mbrojtja do të përbëhet nga Gurishta, Adili, Dianje dhe Hakaj.

Në mesfushë do të luajnë Krymi dhe Jonuzi, ndërsa pak para tyre braziliani Da Silva. Ndërsa Ardit Hoxhaj dhe Latifi do të jenë nga krahët e sulmit për të mbështetur Aralicën, i cili ka fituar balotazhin me maqedonasin Gjurgjeviç. Gjithsesi, Brdariç ka edhe dy ditë kohë për të përgatitur planin anti-Dinamo.

Related posts

Perez “harron” NEYMARIN/ Gjen në skuadër zëvendësuesin e Ronaldos (VIDEO)

Isa.Autor

Diego Costa te Napoli? Kjo video e Ancelotti-t me lojtarin po çmend tifozët

Sadik.Autor

ROMA-MILAN/ I jashtëzakonshëm, Ibrahimovic ndëshkon “Romakët” me një “PERLË” nga goditja e dënimit (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment